“Terezinën 19-vjeçare e mbajtur të lidhur nga krahët, pa prekur këmbët në tokë”- Burgosja e regjisorit Zef Zorba dhe aktores në ‘46, shkresa që dërgoi Nexhmije Hoxha dhe kalvari i vuajtjeve të burrë e grua

Jun 14, 2025 | 11:59

Zef Zorba ishte regjisor, përkthyes dhe poet. Është autor i dy librete operash, “Teuta” dhe “Rozafa”, tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës.

enver hoxha nexhmije hoxha

I zbuluar vetëm pas vdekjes, më 1994 iu botua vëllimi me poezi “Buzë të ngrira në gaz”. Pas viteve ’90 lexuesit nisën ta njohin atë falë përkthimeve që kish lënë, me “Estetika 2” e Benedetto Croce e “Love Story” e Eric Segal. Më 2019 iu botua vëllimi “Perfectum Trinum” me 103 poezi të tre poetëve italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Giuseppe Ungaretti e Salvatore Quasimodo. Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke.

Nis angazhimin si regjisor në Teatrin e Shkodrës, ku bie në sy pasi vë në skenë dramën “Juda makabe” të Fishtës, një shfaqje që shkonte krejt kundër rrymës me ideologjinë e regjimit të ri që ishte instaluar. Zefi ishte i biri i Jak Zorbës (1877-1946) dhe Elena Skanjetit, mbesa e Kolë Idromenos. I ati ishte njohës i serbo-kroatishtes, italishtes dhe frëngjishtes; ndër përkthimet e tij “Tre musketierët” e “Konti i Montekristos” kanë humbur dhe vetëm “Siloani dhe Milena” (1901) dhe “Milienko e Dobrila” (pa datë) i kanë mbijetuar kohës. Më 1924 familja u kthye në vendlindje. I ati punoi kryetar komune në Gur të Zi (1925-1928) dhe më vonë administrator i Kafes së Madhe. Pasi ndoqi dhe kreu shkollimin fillor e të mesëm në Shkodër, më 1941 u regjistrua në Universitetin e Padovës për Shkenca Politike.

LUFTA

I ndërpreu studimet më 1943 për shkak të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe u kthye në qytetin e prejardhjes, ku u punoi në një bankë. Më 1945-1946 u punësua si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, asokohe ka vënë në skenë pjesët “Juda Makabe” të Fishtës dhe “Armiku i Popullit” i Ibsenit, përkthyer nga vetë Zorba. Më 1946 u arrestua në valën e përndjekjes së qytetarëve e intelektualëve pas Kryengritjes së Postrribës, u dënua dhe burgoset për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin nëpër kampet e punës deri më 1951. Më vonë punon në ndërmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension.

Ndërroi jetë në janar 1993. Libri i tij i parë, “Buzë të ngrira në gaz”, u botua pas vdekjes pasi kishte shkruar tinëz përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, cilësuar si “letërsia e sirtarit”. Çmohet si një poet i veçantë i letërsisë shqiptare dhe përfaqësues kyç i modernizmit dhe hermetizmit. Është cilësuar ndër autorët klandestinë me Kasëm Trebeshinën, Daut Gumenin, Primo Shllakun që në qerthullin e vogël të tyre rimerrnin fillin e këputur të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkëmbnin lidhjen me autorë si Kuteli, Koliqi e Poradeci. Përktheu autorë si Robert Frost, dramaturgë si Shau, Pirandelo, Uajlld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. La në dorëshkrim: T. S. Eliot (Katër Quartete, Pritje koktej, E mërkura e përhime) Robert Frost (Poema), Oscar Ëilde (Rëndësia e seriozitetit) si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Ëilder, O’Neil etj.

ARRESTIMI

Zef Zorba që një intelektual i spikatur në vitet e para të regjimit komunist, i cili ndante pasionet mes ekonomisë dhe artit teatror. Në teatër Zef Zorba njihet me bashkëshorten Terezina Pali. Të dy arrestohen në shtator të vitit 1946, Terezina e para dhe Zefi pas saj. Aktore e Teatrit të Shkodrës. U arrestua në vitin 1946, pak ditë para bashkëshortit Zef Zorba dhe të dy u dënuan me burg. Falë aktiviteti të tij si regjisor dhe pjesëve të para të vëna në skenë, ai arrestohet në vitin 1946 si kundërshtar i regjimit. I shkolluar në Itali gjatë viteve të luftës, Zorba pati një fat të trishtë pas mbarimit të saj. Ai do të kalonte një kalvar disavjeçar në burgjet e para të komunizmit, ku të burgosurit përdoreshin si skllevër për punët më të vështira, sidomos në tharjet e kënetave apo ndërtimin e infrastrukturës. Gjatë viteve të burgut ai u detyrua të punojë në kushte të tmerrshme edhe në tharjen e kënetës së Maliqit, ku ishte ngritur kampi i Vloçishtit, quajtur ndryshe kampi Orman – Pojan, një kamp pune për tharjen e kënetës së Maliqit ku të burgosurit politikë punonin në kushte shumë të vështira duke përballuar njëkohësisht urinë, etjen dhe keqtrajtimin e policëve. Lirohet në vitin 1951.

Pas daljes në liri Zorba i rikthehet profesionit të vjetër si llogaritar. Nexhmije Hoxha, në atë kohë Drejtore e Drejtorisë së Arsim- Kulturës në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ia drejton një shkresë sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Enver Halilit, ku i kërkon të dhëna rreth biografisë së Zef Zorbës i cili kishte shkruar libretin operës “Teuta”, që asokohe po shkruhej nga kompozitori i ri, Nikolla Zoraqi. Sipas dokumentit në fjalë, Nexhmija Hoxha kishte të dhëna për Zorbën që ai kishte qenë në burg, por “nuk dinte të dhëna më të hollësishme” për të, se për çfarë ishte dënuar, qëndrimi politik që ai mbante në atë kohë etj. etj. Zorba shkroi shumë poezi që i mbante të mbyllura në sirtar.

RITAKIMI

Pas burgut dhe torturave në vitin 1951 Zef Zorba dhe Terezina Pali, me shumë vuajtje në jetët e secilit dhe me tragjedi në familjet e tyre, ritakohen, e forcojnë lidhjen e tyre të dashurisë dhe martohen e krijojnë familje. Jeta e dy intelektualëve dhe artistëve do të ishte krejt ndryshe pas burgut. Terezina që ëndërronte të bëhej mjeke, e detyrojnë të punojë gjithë jetën si pastruese në spital, ndërsa regjisori, poeti dhe përkthyesi Zef Zorba detyrohet të punojë gjithë jetën si llogaritar i thjeshtë. Terezina ishte një vajzë e shkathët dhe që në fillimet e formimit të saj, ajo u aktivizua në grupet artistike amatore të qytetit të Shkodrës, ku u njoh me të riun Zef Zorba, që ishte regjisor i shfaqjeve, i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj.

Në atë kohë u vunë në skenë disa drama, me temën e atdhedashurisë, ku flitej hapur për liri. Gjatë shfaqjeve, salla ushtonte nga thirrjet: – Liri! Liri! Por fatkeqësisht kjo gjë nuk do të zgjaste shumë, pasi në vitin 1946, Sigurimi i Shtetit, arrestoi edhe regjisorin Zef Zorba. Terezinën e përjashtuan nga shkolla, sepse mori pjesë në funeralin e Dom Gaspër Thaçit, i cili kishte qenë Arqipeshkvi i Shkodrës. E gjithë familja ishte nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, pasi ata donin të zbulonin vendstrehimin e Pal Thanit (që në të vërtetë ishte strehuar në shtëpinë e tij, në pjesën e vjetër, ndërsa pjesa e re e shtëpisë, ishte e zënë nga një funksionar komunist).

HETUESIA

Në janar të vitit 1948, mbas 17 muajsh hetuesi e nën torturë, u bë gjyqi, duke nxjerrë në bankën e të akuzuarve, të pandehurit – Terezina Pali, Zef Zorba, Kolë Kurti, Karlo Suma, Xhabir Dibra, Maliq Bushati. Pretenca: Agjitacion e propagandë. U dënuan me 5 vite heqje lirie. Terezina vuajti dënimin me shumë femra të burgosura si ajo (të burgosura politike), si me: Agime Pipën, Drita Kosturin, Ana Dajën, Dila Zef Dodën, Nasiben nga Tropoja, Naxhije Hardallin, Bedrije Ashiken, Leze Kolën, Vitore Kukën, etj.

Edhe pse në ato kushte çnjerëzore, Terezina u tregua një vajzë me zëmër të madhe, shumë bamirëse duke i shërbyer shoqes së saj të dhomës, Bardha Kroçaj dhe ajo e dënuar politike, por që ishte e sëmurë nga ‘TBC’ dhe vdiq në qeli. Terezina i dhuroi shumë përkujdesje, me plot dashuri e shumë dhimbje, bashkëvuajtëses së saj, që jeta e la në moshën 18 vjeçare. I qëndroi pranë, u kujdes për të dhe s’mendoi që tuberkulozi mund t’i ngjitej. Vazhduan pesë vitet në Burgun e Madh, në Burgun e Kishës së Fretërve, punonin, por gjithmonë qëndrimi në burg shoqërohej me frikën, se mos thirreshin në hetuesi e nën torturë!

TORTURAT

E mbajtën vajzën 19- vjeçare 17 muaj në hetuesi. E kanë torturuar, duke e mbajtur të lidhur, të varur nga krahët, pa takuar këmbët në tokë. Ajo tregonte: – Shefi i degës me dorë të vetën më rrahu me kamxhik shpinës. Trimëri kalorsiake për një burrë oficer, ndaj një vajzë 19-vjeçare! Pastaj urdhëroi të më lidhnin me litar nën sqetull e duar për hekura tek birucat e degës. Më kanë torturuar me ditë e me muaj, por asgjë nuk është kjo çfarë i kanë bërë të riut Sami Barbullushi e dajës tem Pal Thanit, të cilin e torturuan derisa ju trash gjuha dhe e mbytën, po kështu e pësoi dhe Qemal Draçini, pedagog i ri i gjimnazit, idhull i rinisë shkodrane”. Ka pasur ënjtje në këmbë.

Kur e dërguan në spital, në gjendje shumë të rëndë, dr. Mborja është tmerruar. I kanë dalë lot nga dhimbja që provoi, kur pa këmbët e vajzës të fryra jashtë mase, të shpërfytyruara… Oh, çfarë tmerri!! – iu drejtua policëve plot kurajë me këto fjalë! – Kur i çoni në këtë gjendje, mos na i sillni këtu! E lanë 6 muaj nën torturë, më e vështira për vajzën e re ishte që s’lejohej të përdorte ujin për nevoja personale (vetjake), i jepnin ujë sa për të shuar etjen. Gjithë ato muaj pa u larë trupi, duart, fytyra, pa ndërresa, pa rroba, pa veshje. E kanë futur me burra, si me: Guljem Sumën, Xhemal Naipin, Idris Tahirin nga Vorfa, Myrto Danin nga Drishti, Mustafa Dragushën që ishte 70 vjeç.

RITAKIMI

Kur Terezina doli nga burgu, ishte me sëmundje polmonare, kjo e detyronte të shtrohej shpesh nëpër spitale. Por jeta ka pjesën e dritës e të diellit. Njeriu i zemrës, regjisori i njohur, Zef Zorba, mbasi doli nga burgu, i dhuroi shumë dashuri e përkujdesje. Dy bashkëshortët u martuan në vitin 1953. E mira e ëmbla Terezinë, lindi dy vajza: Lejla (1954) dhe Luçia (Lali, 1958); të cilat i rriti plot dashuri dhe i edukoi ato, më cilësitë me të mira të të parëve të tyre. Kështu edhe pse ato ishin nxënëse të shkëlqyera në gjimnaz, nuk iu dha e drejta, për të vazhduar shkollat e larta. Por edhe pse iu refuzua e drejta e shkollimit, shtëpia e tyre ishte dhe mbete një çerdhe lumturie, pasi aty lëvrohej poezia, flitej me plot pasion për libra dhe shkrimtarë të mëdhenj, dëgjohej muzika klasike, etj. Ishin të lirë dhe në paqe me vetveten, në brendësi ruajtën lirinë e tyre edhe pse regjimi komunist, vazhdonte të ishte përherë i egër dhe i dhunshëm.

LETRA

Në librin e saj Fatbardha Saraçi Mulleti, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” botuar nga ISKK është botuar dhe një letër që Zef Zorba I shkruante bashkëshortes së saj. Një pjesë e një letre e vitit 1973, kur Terezina kurohej për një spital (sanatorium) larg Shkodrës dhe burri i saj i stërmunduar nga lodhja e punës së përditshme dhe në pamundësi që ta vizitonte shpesh në spital, ja çfarë i shkruan: E dashur Terezina, pashë letrën tënde. Kërkojshe me të shkru unë… Sa shtigje të vështira kemi kaluar bashkë. Nganjëherë çuditem me vetvete si kemi dalë m’anësh. E me çfarë mjetesh? Gati gjithmonë me aq pak, sa që në çdo moment, më dukesh se gjithçka do të rroposej. Jetë e mundimshme, por kush po i jep randësi.

Na të dy s’i kemi vue randësi mungesave e mundit e lodhjes kurrë, e jo me tash që na janë ba petk, pavarësisht se forcat tona s’janë ma ato të dikurshmet, madje çdo ditë e ma tepër vijnë tue u paksue. Veçse vullnetin e kemi ende të ri, kjo ka ma vlerë se çdo gja tjetër… Plakemi: reumatizmat, stomaku e kushedi tjetër mund të na trazojnë ndonjëherë… Por mandej do të vejmë në gramofon diskun e poemës simfonike të Ravelit “nëna ime pata” e do ta ndëgjojmë bashkë… Pardje kam ndje se mjelmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe çifti që bashkohet një herë në rini nuk ndahet kurrë ma për gjithë jetën… Bepi. (Zef Zorba – burri i Terezinës)”. Zef Zorba filloi të njihej pas viteve ’90 si poet. I zbuluar vetëm pas vdekjes, më 1994 iu botua vëllimi me poezi Buzë të ngrira në gaz. Pas viteve ’90 lexuesit nisën ta njohin atë falë përkthimeve që kish lënë, me “Estetika 2” e Benedetto Croce e Love Story e Eric Segal. Më 2019 iu botua vëllimi “Perfectum Trinum” me 103 poezi të tre poetëve italianë të shekullit XX, Eugenio Montale, Giuseppe Ungaretti e Salvatore Quasimodo.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura