Tepelenë, filmoi nxënësit, drejtori i shkollës sherr me kreun e PS

Apr 28, 2011 | 9:36
Kreu i PS së Tepelenës, Arben Kaçorri

TEPELENE – Filmimi i nxënësve të shkollës, duke marrë pjesë në mitingun e kryeministrit Berisha shkakton tension në qytetin e Tepelenës. Nekim Liço, 53 vjeç, drejtor i shkollës së mesme “Abaz Shehu”, ka tentuar të godasë me tullë, kreun e PS-së qytetit. Arben Kaçorri. Ngjarja është regjistruar në orët e drekës së të mërkurës dhe menjëherë është raportuar si ngjarje në Komisariatin e Policisë. Sipas burimeve zyrtare nga ky organ, bëhet e ditur se policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku ka marrë kontakt me 39-vjeçarin Kaçorri. Nga të dhënat e siguruara rezulton se Liço është afruar në tavolinën e një lokali në qendër të qytetit ku qëndronte kryetari i PS-së së Tepelenës. Aty dy personat kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin, por sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Liço ka provokuar me fjalë Kaçorrin dhe më pas mori një tullë jashtë lokalit dhe tentoi të qëllonte në drejtim të 39-vjeçarit. Sipas versionit të Policisë së Tepelenës, drejtori i shkollës Nekim Liço, pasi është afruar tek tavolina e Kaçorrit, i ka kërkuar këtij të fundit, sqarime për filmimet që ai ka kryer një ditë më parë në ambientet e jashtme të shkollës. Po sipas policisë, debati midis tyre ka degjeneruar në fyerje dhe sharje të ndërsjella, deri në tentativën e goditjes. Policia ka shoqëruar në ambientet e komisariatit Liçon, ndaj të cilit ka bërë kallëzim Kaçorri. Shkak i këtij konflikti kanë qenë filmimet e nxënësve gjimnazistë të shkollës “Abaz Shehu”, ku tregohej angazhimi i tyre me posterë dhe flamuj të PD gjatë momentit kur dilnin nga shkolla për të shkuar në mitingun që mbahej në qendër të qytetit ku ishte kryeministri Sali Berisha. Filmimet janë dërguar për t’u pasqyruar në “Fiks Fare”, çka sipas hetimeve rezulton të ketë sjellë dhe acarimin e drejtorit të shkollës. p.n

© Panorama.al

Te lidhura