PERMET- Dy persona, njëri prej të cilëve me uniformë policie, tentojnë të grabisin lokalin. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në qytetin e Këlcyrës. Enrik Serani, 30 vjeç dhe Rigert Isufaj, 22 vjeç, të dy nga Këlcyra e Përmetit, ndërmorën tentativën për të grabitur të hollat që gjendeshin në arkën e një lokali dhe benzinatoje, në të hyrë të qytetit. Një telefonatë e kryer në sallën operative të policisë së Përmetit, vuri në lëvizje specialistët e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit të Policisë së Rrethit dhe në bashkëpunim me patrullat e Përgjithshme të Policisë së Rendit, ndërmorën veprime për zbulimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Në të gjithë aksin rrugor Gjirokastër-Përmet dhe Për-met-Çarshovë, u ngritën postblloqe, ndërkohë që në vendngjarje grupi hetimor u njoh me provat. Sipas deklarimeve të rojës së lokalit, autorët, njëri prej të cilëve i veshur një uniformë policie të vjetër dhe tjetri me një daltë dhe thikë në dorë, tentuan të shpërthenin portën e pasme të lokalit për ta grabitur. Pasi kanë dëmtuar bravën e portës, u diktuan prej rojës së pikës së karburantit dhe lokalit. Në këtë moment, ai u hodh në sulm për të mbrojtur pronën, duke u përleshur fizikisht me ta. Roja arriti të shmangte grabitjen. Disa orë më vonë, policia e Përmetit, mbi bazën e informacioneve të marra nga terreni, ka zbuluar autorësinë e ngjarjes, duke arrestuar më pas autorët. Njëri prej të arrestuarve, Enrik Serani, rezulton të ketë qenë tri herë i dënuar më parë për vjedhje dyqani në Këlcyrë e Tiranë, si dhe për trafik droge në Greqi. Nga kontrolli i ushtruar përreth objektit, u arrit të gjendeshin uniforma e policisë, si dhe një daltë, sende këto, të përdorura në aksionin për tentativë grabitjeje. Isufaj dhe Serani, të gjendur para fakteve të pakundërshtueshme të servirura nga grupi hetimor, pranuan autorësinë. p.n











