Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka vlerësuar se ekonomia shqiptare përballet sot me tre sfida kryesore, të cilat kërkojnë politika të kujdesshme dhe përshtatje me realitetet e reja globale.
Në konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se sfida e parë lidhet me rritjen e tensioneve gjeopolitike në arenën ndërkombëtare, të cilat kanë sjellë një “realitet të ri ekonomik” me barriera më të larta tregtare dhe lëvizje më të kufizuara të kapitalit.
Ai deklaroi se “rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen si në cilësi dhe sasi nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në BE”.
Gent Sejko: Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit botëror, si dhe rritja e barrierave tregtare, janë tashmë një realitet i ri ekonomik. Ky realitet dëmton ekonomitë në zhvillim në dy mënyra. Së pari, ai frenon alokimin efektiv të resurseve në nivel global e rajonal, duke reduktuar aftësinë e vendeve në zhvillim për të tërhequr investime dhe kapital të huaj. Së dyti, ai rrit volatilitetin dhe pasigurinë, duke frenuar investimet afatgjata dhe duke detyruar vendet në zhvillim të forcojnë rrjetet e tyre të sigurisë, fenomen i cili – natyrisht – ka kostot e veta.
Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë rrënjësisht vetë këtë industri. Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, të aseteve digjitale dhe të financës të decentralizuar, ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, rreziqet potenciale burojnë si nga ndikimi negativ që ky inovacion ka në modelin e biznesit dhe bilancet e ndërmjetësve tradicionalë financiarë, ashtu edhe nga eksperienca e pakët e rregullatorëve, publikut të gjerë, por edhe e operatorëve të kësaj industrie.
Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ky stad ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Si një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria është tashmë e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Po ashtu, Shqipërisë i duhet të bazojë gjithnjë e më shumë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi dhe zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike – në Shqipëri, rajon e më gjerë -, të cilat vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, nga këndvështrimi ynë, rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen, në cilësi dhe në sasi, nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto përfitime vijnë si në formë direkte, nga rritja e aksesit në programet e përbashkëta të zhvillimit të Bashkimit Evropian, ashtu edhe në formë indirekte, nga rritja e investimeve të huaja, si pasojë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe reduktimit të rrezikut të perceptuar.
Fjala e plote e Guvernatorit
I nderuar Zoti Kryeministër,
Të nderuar kolegë Guvernatorë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, miq e të ftuar nga vendi e nga bota,
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në punimet e Konferencës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2025.
Kjo është një konferencë e veçantë për ne. Ajo zhvillohet në përvjetorin e njëqindtë të Bankës së Shqipërisë, një institucion i cili u krijua dhe vijon të shërbejë si bankë qendrore e Shtetit Shqiptar.
Në opinionin tim, çdo jubile duhet t’i shërbejë një qëllimi të dyfishtë. Ai është një moment vlerësimi i punës së një institucioni, si dhe një moment kremtimi i përpjekjeve të të gjithë punonjësve që kanë kontribuuar në zhvillimin e tij. Në të njëjtën kohë, çdo jubile duhet të shërbejë edhe si moment vështrimi kritik mbi atë çka kemi arritur, atë çka ka bërë të mundur këto arritje, si dhe sfidat dhe oportunitetet e zhvillimit që kemi përpara.
Punimet e kësaj konference i dedikohen – në masën më të madhe – këtij qëllimi të dytë. Kontributi aktiv i folësve, panelistëve dhe pjesëmarrësve të shquar, do të na ndihmojë në këtë proces reflektimi dhe vështrimi përpara.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përpara se të vijoj më tej, më lejoni të them përmbledhtazi dy fjalë mbi të shkuarën dhe të tashmen e Bankës së Shqipërisë.
Vizioni për krijimin e një banke kombëtare u artikulua për herë të parë, në vitin 1899, nga rilindësi ynë i madh Sami Frashëri, i cili nënvizoi se sovraniteti i vërtetë kërkon institucione të afta për të garantuar pavarësinë ekonomike të vendit. Këtë ide e përqafoi dhe e çoi përpara Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar. Përpjekjet fillestare të qeverisë së tij u vijuan nga qeveritë pasuese dhe u kurorëzuan me themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipnis në vitin 1925. Kjo bankë shërbeu si banka e parë kombëtare e vendit; ajo krijoi sistemin e parë monetar kombëtar, mbi bazën e standardit të arit dhe, në vitin 1926, hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare, Frangun Ar dhe nënfishin e tij Lek.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kursi i ri politik i shtetit komunist u shoqërua me masa të shpejta shtetëzimi. Në janar 1945 u anulua koncesioni i Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe u krijua Banka e Shtetit Shqiptar. Gjatë thuajse pesë dekadave pasuese, kjo e fundit i shërbeu ekonomisë së centralizuar, si instrument kontrolli dhe administrimi ekonomik. E megjithatë, pavarësisht kontekstit politik, Banka e Shtetit Shqiptar mbeti një bërthamë e çmuar e ekspertizës ekonomike dhe financiare.
Fillimi i viteve ’90 shënoi tranzicionin e madh politik të vendit drejt demokracisë, pluralizmit politik dhe një sistemi ekomomik të bazuar në parimet e tregut të lirë. Ky tranzicion solli ndryshime thelbësore për sistemin bankar. Në prill të vitit 1992, Banka e Shqipërisë u riformatua si një bankë qendrore, e ngarkuar me objektiva të stabilitetit makro-financiar dhe funksione mbikëqyrëse e rregullatore. Gjatë tre dekadave pasuese, ajo ka adoptuar një kuadër modern të politikës monetare, të bazuar në regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe të kursit të lirë të këmbimit. Po ashtu, ajo ka arritur një shkallë të lartë konvergjence me normat mbikëqyrëse dhe praktikat rregullatore të Bashkimit Evropian; ka ndihmuar në zhvillimin e tregjeve financiare; ka ndërtuar një sistem efecient pagesash; ka investuar në edukimin financiar; si dhe ka ndërtuar një proces efektiv dialogu me partnerët vendas e të huaj dhe publikun e gjerë.
Në terma sasiorë, një dëshmi direkte e arritjeve të Bankës së Shqipërisë është dhe progresi ekonomik dhe financiar i vendit gjatë tre dekadave të fundit. Pavarësisht luhatjeve dhe goditjeve jo të pakta që kemi përjetuar, ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej 4.3% gjatë këtij horizonti kohor, ka njohur një rritje të të ardhurave mesatare për frymë nga 670 në 11 mijë euro, si dhe ka pasur një nivel mesatar inflacioni prej 3.1%, normë kjo mjaft afër objektivit tonë prej 3%. Po ashtu, në të njëjtin horizont kohor, stoku i kredisë për sektorin privat është rritur më shumë se njëqindfish, stoku i depozitave është rritur pothuajse 35 herë, duke arritur në 18 miliardë euro, ndërsa rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është rritur nga 380 milionë në 7 miliardë euro.
Në terma cilësorë, një dëshmi po aq domethënëse e përmbushjes së misionit të saj, është fakti se – me përjashtim të turbulencave politike e sociale të vitit 1997 – ekonomia shqiptare nuk ka njohur kriza të mirëfillta financiare apo kriza të bilancit të pagesave. Përkundrazi, besimi i investitorëve vendas dhe të huaj në sistemin financiar shqiptar ka ardhur në rritje. Kjo dëshmohet nga rritja e investimeve të huaja, nga rritja e besimit të publikut në monedhën vendase dhe institucionet financiare shqiptare, si dhe nga reduktimi i primeve të rrezikut.
Së fundi, një dëshmi tjetër e stadit të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë është edhe partneriteti i gjerë që ajo ka me një sërë organizatash ndërkombëtare. Ajo është anëtare me të drejta të plota e institucioneve të Bretton Woods-it: Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore; dhe e Bankës Ndërkombëtare të Rregullimeve (BIS Basel). Po ashtu, ajo ka një proces të strukturuar dialogu me Komisionin Evropian, një kuadër të gjerë bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane, sidomos në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe të sistemeve të pagesave, një seri projektesh binjakëzimi me banka qendrore të Eurozonës, si dhe një rrjet të gjerë marrëveshjesh bashkëpunimi me institucione homologe rajonale.
Të nderuar të ftuar,
Historia e një institucioni mund të analizohet bazuar në burime historike, por ajo është produkt i punës dhe vendimeve tona të përbashkëta e të përditshme. Në këtë kontekst, më lejoni ta kthej vështrimin nga e ardhmja, duke u ndalur në vizionin, misionin dhe politikat që do të udhëheqin aktivitetin e Bankës së Shqipërisë në dekadën e ardhme.
Vizioni ynë për të ardhmen është ai i një banke qendrore moderne, e cila aplikon praktikat më të mira ndërkombëtare, e aftë për të përmbushur misionin e saj dhe e denjë për të qenë anëtare e sistemit evropian të bankave qendrore.
Vënia në jetë e këtij vizioni kërkon një mandat të qartë dhe të fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Paralelisht, por jo në konflikt me të, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për promovimin e stabilitetit të përgjithshëm financiar të vendit. Së fundi, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të kontribuojë në zhvillimin e tregjeve monetare, në përgjithësi, dhe të sistemeve të pagesave, në veçanti. Përmbushja e këtyre objektivave ndihmon në gjenerimin e një ambienti financiar të qetë, transparent dhe efecient, duke mbështetur rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë.
Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se zgjerimi i mandatit të bankave qendrore me objektiva të tjerë, për adresimin e të cilëve këto banka nuk kanë legjitimitetin, kapacitetet apo instrumentet e duhura, priret të gjenerojë konflikte në vendimmarrje, të dëmtojë kredibilitetin, dhe të jetë kundër-produktiv.
Përtej mandatit, bankat qendrore duhet të kenë një kuadër të qartë e konsistent politikash për arritjen e objektivave, si dhe një gamë të gjerë instrumentesh për zbatimin e këtyre politikave.
Në këtë kontekst, më lejoni të theksoj dy momente të rëndësishme.
- Së pari, në drejtim të politikës monetare, Banka e Shqipërisë gjykon se kuadri aktual i saj – regjimi i inflacionit të shënjestruar dhe i kursit të lirë të këmbimit – ofron një strategji optimale për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, stabilizimin e aktivitetit ekonomik dhe adresimin me kosto minimale të goditjeve. Nga njëra anë, regjimi i inflacionit të shënjestruar ofron rrugën më direkte dhe efektive për kontrollin e inflacionit. Nga ana tjetër, regjimi i lirë i kursit të këmbimit shërben si stabilizator automatik i goditjeve, rrit fleksibilitetin e politikës monetare dhe fiskale, si dhe i mundëson Bankës së Shqipërisë të ushtrojë rolin e huadhënësit të instancës së fundit, si një garanci serioze për stabilitetin financiar të vendit.
Ky regjim i politikës monetare ka rezultuar i suksesshëm gjatë tre dekadave të fundit. I zhvilluar dhe sofistikuar më tej, ai do t’i shërbejë ekonomisë shqiptare në procesin e anëtarësimit e të konvergjencës me standardet e Bashkimit Evropian edhe në të ardhmen.
- Së dyti, në drejtim të mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë për adoptimin e plotë të kuadrit rregullator, praktikave mbikëqyrëse, instrumenteve të ndërhyrjes makroprudenciale, dhe rrjeteve të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Duke qëndruar në këtë temë, dëshiroj të theksoj se sektori bankar ka qenë dhe do të mbetet shtylla kryesore e sistemit tonë financiar. Ky sektor kryen një rol të pazëvendësueshëm: ai ofron instrumente të sigurta kursimi në formën e depozitave bankare, alokon fondet në sektorët, degët dhe bizneset më rentabël të ekonomisë, duke marrë përsipër një pjesë të rrezikut, si dhe krijon instrumente të sigurta e të shpejta pagesash. Për këtë arsye, gjatë dekadës së fundit, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje të madhe reformës së plotë strukturore të këtij sistemi. Ndër të tjera, administrimi i procesit të konsolidimit, zbatimi i strategjisë kombëtare të reduktimit të kredive me probleme, si dhe përmirësimet e vazhdueshme të kuadrit tonë rregullator, kanë mundësuar një sektor bankar të sigurt, të besueshëm dhe të aftë të furnizojë ekonominë me fondet e nevojshme për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve.
Të nderuar pjesëmarrës,
Duke iu rikthyer temës së konferencës, dëshiroj që në pjesën e mbetur të fjalës sime të fokusohem në disa nga sfidat dhe oportunitetet me të cilat përballemi dhe të cilat do të konturojnë aktivitetin e Bankës së Shqipërisë në vijim. Pa pretenduar të paraqes një listë shteruese, dëshiroj të ndalem në më kryesoret prej tyre.
Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit botëror, si dhe rritja e barrierave tregtare, janë tashmë një realitet i ri ekonomik. Ky realitet dëmton ekonomitë në zhvillim në dy mënyra. Së pari, ai frenon alokimin efektiv të resurseve në nivel global e rajonal, duke reduktuar aftësinë e vendeve në zhvillim për të tërhequr investime dhe kapital të huaj. Së dyti, ai rrit volatilitetin dhe pasigurinë, duke frenuar investimet afatgjata dhe duke detyruar vendet në zhvillim të forcojnë rrjetet e tyre të sigurisë, fenomen i cili – natyrisht – ka kostot e veta.
Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë rrënjësisht vetë këtë industri. Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, të aseteve digjitale dhe të financës të decentralizuar, ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, rreziqet potenciale burojnë si nga ndikimi negativ që ky inovacion ka në modelin e biznesit dhe bilancet e ndërmjetësve tradicionalë financiarë, ashtu edhe nga eksperienca e pakët e rregullatorëve, publikut të gjerë, por edhe e operatorëve të kësaj industrie.
Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ky stad ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Si një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria është tashmë e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Po ashtu, Shqipërisë i duhet të bazojë gjithnjë e më shumë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi dhe zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike – në Shqipëri, rajon e më gjerë -, të cilat vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, nga këndvështrimi ynë, rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen, në cilësi dhe në sasi, nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto përfitime vijnë si në formë direkte, nga rritja e aksesit në programet e përbashkëta të zhvillimit të Bashkimit Evropian, ashtu edhe në formë indirekte, nga rritja e investimeve të huaja, si pasojë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe reduktimit të rrezikut të perceptuar.
Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë pasur e do vijojnë të kenë një rol të madh në këtë proces. Si kryesuese e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian për 2 kapituj të Acquis dhe si kontribuuese e qenësishme në 6 kapituj të tjerë, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale e procesit të negociimit. Në të njëjtën kohë, puna që kemi bërë për konvergjencën rregullatore dhe integrimin e sistemit financiar shqiptar me atë evropian, proces i cili shënoi së fundi një arritje të madhe me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, ka shërbyer si promotor i integrimit të gjithë ekonomisë shqiptare.
***
Të dashur miq,
Në mbyllje, dëshiroj të ndaj me ju edhe një observim të fundit. Mandati i qartë i bankave qendrore është kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm për përmbushjen me sukses të misionit të tyre. Ai duhet të jetë i shoqëruar me atribute të qarta pavarësie, përgjegjshmërie, transparence dhe profesionalizmi institucional.
Në këtë kontekst, ndihem i inkurajuar tek shoh se filli i përbashkët që lidh të gjithë brezat e punonjësve të Bankës së Shqipërisë është pikërisht përkushtimi i vazhdueshëm ndaj detyrës dhe profesionalizmi në rritje. Ky përkushtim dhe profesionalizëm është garancia më e mirë që ne mund t’i ofrojmë publikut për përmbushjen e detyrave tona.
Duke ju falënderuar edhe një herë për prezencën tuaj në konferencë, ju inkurajoj për një pjesëmarrje sa më aktive dhe një shkëmbim sa më të hapur e të sinqertë opinionesh.
***
Dhe tani një moment i veçantë. Për kremtimin e përvjetorit njëshekullor të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.
Monedha simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite.
Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa, në faqe, monedha paraqet logon e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe përreth ravijëzohen data historike për bankingun qendror shqiptar.
Kjo vepër nderon kujtesën institucionale dhe frymëzon besim për të ardhmen.
© Panorama.al












