DURRES – Ndërtimi i TEC-it në Porto-Romano është rikthyer sërish në qendër të debatit mes dy rivalëve kandidatë për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj dhe Vangjush Dako. Ata kanë replikuar me njëri-tjetrin në distancë, ndërsa të dy janë shprehur kundër ndërtimit të TEC-it me qymyr në veri të qytetit të Durrësit. Kandidati demokrat ka sfiduar nga çadra e socialistëve në qendër të qytetit rivalin e tij, Vangjush Dako, duke akuzuar këtë të fundit si firmëtar të masterplanit të Parkut Energjetik në mbledhjen e KRRT-së së qarkut, të zhvilluar në nëntor të vitit- 2008. Ferdinand Xhaferaj, në një konferencë për shtyp pranë tendës së ngritur nga rivali i tij Vangjush Dako, tha: “Kam ardhur sot këtu t’i shtoj disa fletë librit të gjelbër të Dakos, fletë që janë dokumente të cilat tregojnë se z.Dako, që në vitin 2008, është pro ndërtimit të Parkut Energjetik dhe TEC-it.” Në vitin 2008, kompania britanike Landell Mills, me porosi të UNDP-së, hartoi vlerësimin e impaktit mbi mjedis të ndërtimit të Parkut Energjetik. “Në vlerësimin e impaktit mbi mjedis janë përfshirë edhe shënimet e mbledhjes së organizuar me grupet e interesit në Durrës”, tha Xhaferaj. Sipas tij, Dako, më 10 nëntor 2008, në mbledhjen e Këshillit të Rregullit të Territorit të Qarkut të Durrësit, ka dhënë votën e tij pro masterplanit të Parkut Energjetik. “Ndoshta ka parë përfitimin personal, se territori ku shtrihet parku në Porto Romano është shumë pak mbi nivelin e detit dhe ka nevojë të mbushet me betonin e z.Dako”, ironizoi kandidati i PD-së. Nga ana tjetër, ai theksoi se është shprehur gjithmonë kundër TEC-it me qymyr, që kur ishte deputet. Pak kohë më vonë, nga i njëjti vend ka reaguar kandidati i PS-së, Vangjush Dako, i cili hodhi poshtë deklaratën e Xhaferajt. “Unë jam anëtar i KRRT-së së qarkut dhe është miratuar në atë mbledhje masterplani për të gjithë zonat e Porto Romanos, por unë jam larguar nga ajo mbledhje. Ju mund ta verifikoni procesverbalin që nuk është firmosur nga ana ime. Unë në çdo mbledhje dhe në çdo aktivitet që zhvillohet në qytetin e Durrësit, marr pjesë, shpreh mendimet dhe shqetësimet”, tha Dako. Dako akuzoi Xhaferajn se ka lëshuar shpifjen e radhës, “pasi unë jo vetëm që jam kundër TEC-it, por edhe kam firmosur e vulosur këtë qëndrim”. Kryebashkiaku aktual paraqiti një shkresë të 15 prillit 2009, ku i drejtohet kryeministrit, ministrit të Punëve Publike dhe ministrit të Ekonomisë, se Bashkia e Durrësit ishte kundër projektit, nëse nuk u jepej përgjigje disa problemeve nga ana e kompanisë italiane “ENNEL”. l.m











