Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një pallat 10-katësh në Antwerp, njoftoi policia belge.
Një re e dendur tymi u ngrit nga kati i tetë i godinës, e cila ndodhet në lagjen Linkeroever. Sipas BBC, një video dramatike tregon momentin kur një banor zbret nga ballkoni i apartamentit të tij drejt dritares së fqinjit për t’i shpëtuar tymit të zi që kishte përfshirë ndërtesën.
Policia bëri të ditur se në pallat jetojnë më shumë se 200 persona, të shpërndarë në 80 apartamente, ndërsa trupat e disa viktimave janë gjetur tashmë brenda godinës.
Zjarri shpërtheu në orët e mëngjesit në këtë zonë rezidenciale të Antwerp-it, e njohur për ndërtesat e larta dhe afërsinë me një park të madh ku gjatë verës organizohen koncerte në ambient të hapur.
Sipas të dhënave paraprake, flakët dyshohet se janë shkaktuar nga një defekt teknik në katin përdhes të ndërtesës.
Menjëherë pas alarmit, në vendngjarje mbërritën ekipe të shumta zjarrfikësish, ambulancash dhe efektivë policie, përfshirë edhe një njësi të specializuar që përdor dronë për operacionet e kërkim-shpëtimit. Autoritetet aktivizuan gjithashtu një plan emergjence shëndetësore për të shmangur mbingarkesën e spitaleve të zonës.
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, ish-kryetar i bashkisë së Antwerp-it, reagoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
“Mendimet e mia janë me viktimat dhe banorët që u evakuuan për shkak të zjarrit të tmerrshëm në Linkeroever. Mirënjohja ime më e thellë shkon për shërbimet e emergjencës, të cilat po bëjnë gjithçka të mundur për të shpëtuar sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt personat e përfshirë, si edhe për të vënë nën kontroll flakët“, u shpreh ai.
© Panorama.alWATCH: Dramatic footage shows residents fleeing a burning apartment building in Linkeroever, Belgium, where six people were killed and hundreds were evacuated. pic.twitter.com/cb3GHmauGZ
— Breaking911 (@Breaking911) July 1, 2026












