Të miturit, nga gjoba në burg!

Apr 18, 2026 | 9:00

Florjan KalajaFLORJAN KALAJA

Në shkrimin “Norma të reja, probleme të vjetra” trajtova problematika kushtetuese të konvertimit të dënimit me gjobë në dënimin me burgim. Në këtë shkrim jam i detyruar që t’i kthehem edhe një herë tjetër kësaj çështje por tashmë nën një problematikë kushtetuese dhe nën një këndvështrim krejt tjetër.

Pjesa historike e analizës së legjislacionit, që nga Kodi Penal i vitit 1927, 1952, 1977, 1995 dhe projekti i Kodit të ri Penal është realizuar në shkrimin e mëparshëm dhe nuk shoh arsye pse t’i përsëris. Kështu që do kërkoja t’i referoheni për këtë pjesë gjithë sa është parashtruar në atë shkrim.

Sot, sikurse kumti i titullit të shkrimit vetëshpjegon, problematika kryesore e këtij shkrimi do të përqendrohet në zëvendësimin e dënimit penal me gjobë në dënim me burgim për të miturit. Një ndër mangësitë dhe ometimet sistematike normative, nga Kodi Penal i vitit 1927 e deri në projektin e Kodit të ri Penal të Korrikut të vitit 2025, rezulton se është çështja e trajtimit të posaçëm të të miturve në konflikt me ligjin, të cilët janë të dënuar penalisht me gjobë nga gjykata dhe se rezulton që, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit penal, është e pamundur të ekzekutohet dënimi me gjobë. Kjo do të thotë se Kodi Penal i vitit 1927, Kodi Penal i vitit 1952, Kodi Penal i vitit 1977, Kodi Penal i vitit 1995 (me 25 ndryshimet e tij në 31 vite) dhe neni 75 i projektit të Kodit të ri Penal nuk kanë parashikuar rregulla të posaçme për zëvendësimin e dënimit me gjobë në dënim me burgim për të dënuarit e mitur, nëse rezulton se dënimi penal me gjobë nuk ekzekutohet. Kjo do të thotë se historikisht çështja e zëvendësimit të dënimit me gjobë me dënimin me burgim është rregulluar njëlloj nga ligji penal material qoftë për të dënuarit madhorë dhe qoftë për të dënuarit e mitur.

Për efektet e analizës juridike të këtij shkrimi, në vijim do të merret e mirëqenë se gjoba penale nuk ekzekutohet për shkak të sjelljes së të miturit, megjithëse kjo është vështirësisht e mendueshme e jo më eventualisht e ndodhshme. Por vetëm ky skenar faktik përbën premisën kazuistike në të cilën, sipas Vendimit nr. 19/2011 të Gjykatës Kushtetuese, legjitimohet prokuroria të kërkojë zëvendësimin e dënimit me gjobë me dënimin me burgim dhe më tej legjitimohet gjykata e ekzekutimit të pranojë një kërkesë të tillë.

Por tej informacionit normativ, historik apo jo, të parashtruar në shkrimin paraardhës të cituar më lart, më duhet të referoj rregullat kushtetuese dhe ato të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, që lidhen drejtpërdrejtë dhe indirekt me zbatimin e nenit 34 të Kodit Penal në fuqi apo me nenin 75 të projektit të Kodit të ri Penal. Kështu pika 1 e nenit 54 të Kodit Penal parashikon ndër të tjera se fëmijët gëzojnë të drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti. Kjo normë shpjegon detyrimin e pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe të çdo institucioni tjetër të administratës publike që në veprimtarinë dhe në ushtrimin e funksioneve të tyre të mbajnë parasysh gjithmonë një regjim juridik të diferencuar dhe mbrojtës për subjektet e mitur. Për efektet përgjegjësisë penale me të mitur do të kuptojmë personat fizikë nga 14 vjeç deri në 18 vjeç për krimet dhe nga 16 deri në 18 vjeç për kundërvajtjet penale.

Në vitin 2017 reforma në drejtësi solli Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, ligj penal i posaçëm për të miturit ky, i cili përbën iniciativën e parë ligjore të rregullimit në mënyrë organike dhe të posaçme të përgjegjësisë penale të të miturve në historinë 114 vjeçare të shtetit shqiptar. Në drejtim të çështjes që ka objekt kryesor analize ky shkrim, me keqardhje konstatoj se, përveç euforisë së herës dhe ligjit të parë, në 143 dispozitat e tij nuk ka asgjë për t’u vlerësuar. Kështu neni 99 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur rregullon dënimin penal kryesor me gjobë për të miturit dhe për sa i takon çështjes së zëvendësimit të dënimit me gjobë me dënimin me burgim, në rast të pamundësisë për të ekzekutuar dënimin me gjobë, kjo dispozitë referon tek Kodi Penal, duke u njësuar sakaq kjo procedurë përmbarimore e vendimit penal për të miturit njëlloj me procedurën përmbarimore të subjekteve madhorë.

Neni 34 i Kodit Penal, sikurse është treguar edhe më herët në shkrimin “Norma të reja, probleme të vjetra”, ka parashikuar se, kur i dënuari nuk mund të paguajë gjobën në afat pa fajin e tij dhe nëse kriteret, mbi të cilat është caktuar gjoba, kanë ndryshuar pas dhënies së vendimit dhe nuk e justifikojnë haptazi pagimin e gjobës, atëherë i dënuari mund të kërkojë: a) shtyrje të afatit të pagesës së gjobës gjer në gjashtë muaj; b) kryerjen e një pune me interes publik. Më tej parashikohet se, nëse gjoba nuk paguhet edhe pas shtyrjes së afatit ose nëse i dënuari nuk e kryen punën në interes publik, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim. Për t’i dhënë mundësi të dënuarit që të mos i kufizohet liria si pasojë e mospagimit të dënimit me gjobë, paragrafi i fundit i nenit 34 të Kodit Penal, që prej vitit 2013, ka parashikuar se, kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin dhe përparësi i jepet edhe një herë ekzekutimit të dënimit me gjobë në pjesën e mbetur të tij. Rezulton se ky rregull ka ardhur i pandryshuar në të gjitha ligjet penale që kanë qenë në fuqi në Shqipëri, duke nisur nga Kodi Penal i vitit 1927. Logjikshëm kuptohet se në këtë rast ligji penal për 99 vjet me radhë i ka dhënë përparësi lirisë së personit dhe ka defavorizuar burgimin, duke prevaluar nevojën e ekzekutimit të dënimit origjinar dhe jo atij të prejardhur si pasojë e mospagimit të gjobës. Në këtë mënyrë kjo pjesë e rregullave të Kodit Penal në fuqi zbatohet njëlloj edhe për të dënuarit madhorë dhe për të dënuarit e mitur.

Për analizë krahasimore dhe si një shembull analog sjell në vëmendje se neni 31 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur i Republikës së Kosovës nuk ka parashikuar dhe nuk ka lejuar njëkohësisht që mosekzekutimi i dënimit me gjobë nga i mituri të pasjellë zëvendësimin e dënimit me gjobë me dënimin me burgim. Ky Kod rezulton të jetë i vitit 2018, konkretisht vetëm 1 vit më pas simotrës së Shqipërisë. Ndërkohë që Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur i Shqipërisë në nenin 97 parashikon se burgimi ndaj një të mituri mund të zbatohet në rast se ai ka kryer një vepër penale për të cilën minimumi i dënimit të parashikuar është 7 vjet dhe kur ky dënim është i nevojshëm për shkak të natyrës, rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së fajësisë, duke shtuar se, për caktimin e masës së dënimit për të miturin, gjykata merr parasysh dhe i kushton vëmendje të veçantë interesit më të lartë të të miturit. Ndërkohë neni 99 i këtij Kodi referon për zbatim në lidhje me zëvendësimin e dënimit me burgim tek neni 34 i Kodit Penal, që do të thotë se përmbarimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim për të dënuarit madhorë. Qartazi rezulton se nenit 99 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe më tej nenit 34 të Kodit Penal i mungon konformiteti me pikën 1 të nenit 54 të Kushtetutës, ku në vitin 1998 populli shqiptar ka vendosur ndër të tjera se ligjet penale do të mbrojnë në mënyrë të veçantë të miturit.

Tashmë radhën e analizës e ka regjimi juridik respektiv i projektit të Kodit të ri Penal, i cili u prezantua me pompozitet në mbledhjen shkëlqyese të Korrikut të vitit 2025. Rezulton se në nenin 75 të tij nuk ka asnjë parashikim që të përjashtojë të miturit nga përmbarimi i dënimit penal me gjobë në dënimin me burgim. Kjo do të thotë se projekti i Kodit të ri Penal ka vendosur të vijojë traditën ligjore penale të ometimit legjislativ shqiptar të nisur nga viti 1927 dhe të vijuar njëzëri nga çdo legjislaturë ndër këto dhjetë dekada hapësirë kohore shtetndërtimi deri më sot.

Jo vetëm kaq, por grupi i punës në këtë drejtim ka bërë edhe një hap më shumë në regresin e kufizimeve të lirisë personale të të miturve në konflikt me ligjin. Kështu fjalia e dytë e pikës 4 të nenit 75 të projektit të Kodit të ri Penal ka parashikuar se: “Nuk lejohet revokimi i dënimit me burgim pasi ai ka zëvendësuar dënimin me gjobë apo alternativën e punës në interes publik.” Kjo do të thotë se grupi i punës ka zhbërë rregullin favor libertatis që ka ekzistuar në Shqipëri nga viti 1927 e deri në vitin 2026, duke prevaluar karakterin ndëshkues të zëvendësimit të dënimit me gjobë në dënimin me burgim dhe jo duke prevaluar karakterin nxitës të kësaj mundësie ligjore, e cila rëndon jonatyrshëm por artificialisht në lirinë personale të të dënuarit. Sikurse konstatohet, ky rregull i ri i grupit të punës do të zbatohet njëlloj sikurse për të dënuarit madhorë dhe për të dënuarit e mitur.

Vlerësoj se zëvendësimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim, sikurse në vetvete përgjegjësia penale e të dënuarit, nuk mund të regjohet njëlloj si për të dënuarin madhor dhe për të dënuarin e mitur, pavarësisht se grupet e punës nga viti 1927 e deri më sot kanë konkluduar paqësisht dhe njëzëri kështu. Duke pasur parasysh edhe modelin kosovar të ligjit për drejtësinë penale të të miturve dhe gjithashtu edhe standardet e gjithëpranuara ndërkombëtare mbi këtë lëndë të posaçme të së drejtës penale, vlerësoj se ligji duhet ta parashikojë shprehimisht ndalimin e zëvendësimit të dënimit me gjobë në dënimin me burgim për të miturit në konflikt me ligjin.

Nëse dënimi me burgim nuk ka qenë i pajtueshëm për veprën penale të kryer kundrejt të miturit në momentin e deklarimit fajtor të tij, ai nuk mund të shndërrohet në të pajtueshëm gjatë ekzekutimit të dënimit penal vetëm sepse i mituri nuk paguan masën e gjobës. Nëse ligji parashikon shprehimisht se i mituri nuk mund të dënohet me burgim për vepra penale, minimumi i dënimit të të cilave nuk parashikohet të jetë 7 vjet, dhe kur ky dënim është i nevojshëm për shkak të natyrës, rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së fajësisë, nuk mundet që ligji të parashikojë se, kur i mituri i dënuar me gjobë nuk e paguan atë dhe nuk kryen punën në interes publik, atij i hiqet liria personale dhe ndaj tij konvertohet gjoba në burgim. Nuk mundet që ekzekutimi i dënimit të sjellë përgjegjësi penale më të madhe se sa vetë kryerja e veprës penale për të cilën është marrë dënimi, megjithëse grupi i punës ka sanksionuar të kundërtën. Nëse Kodi i Punës nuk i njeh zotësi për të vepruar për të ushtruar punë apo nëse këtë zotësi të miturit ky Kod ia njeh në mënyrë të kufizuar, nuk mundet që Kodi Penal apo projekti i Kodit të ri Penal ta trajtojë të miturin njëlloj sikur madhorin, i cili ka zotësi të plotë për të vepruar për punë. I dënuari i mitur, jo vetëm që nuk po mbrohet në mënyrë të veçantë nga Kodi Penal apo projekti i Kodit të ri Penal, por po trajtohet më rëndë në këtë drejtim se sa i dënuari madhor.

Vlerësoj se neni 34 Kodit Penal, neni 99 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe neni 75 i projektit të Kodit të ri Penal, në pjesën që nuk e përjashtojnë apriori konvertimin e dënimit me gjobë në denim me burgim, vjen në kundërshtim me pikën 1 të nenit 54 të Kushtetutës. Jo vetëm kaq, por vlerësoj se ky ometim normativ është njëlloj antikushtetues edhe për të dënuarit madhorë, të cilët eventualisht, sikurse të dënuarit e mitur, janë të paaftë të punojnë, pjesërisht apo plotësisht. Në çdo rast ligjet penale duhet të kishin parashikime ligjore të dedikuara këtyre personave.

Nga ana tjetër, vlerësoj se rregulli rishtar i grupit të punës për mosrevokimin e dënimit të zëvendësuar me burgim dhe lejimin e të dënuarit të rifitojë lirinë përmes pagimit të gjobës, konkretisht fjalia e dytë e pikës 5 të nenit 75 të projektit të Kodit të ri Penal, për të njëjtat argumente të dhëna më lart, dhunon pikën 1 të nenit 54 të Kushtetutës. Ky parashikim ligjor, i cili nuk prevalon lirinë personale të të dënuarit të mitur në fazën përmbarimore penale, krijon gjithashtu një dënim penal të papajtueshëm me nenin 25 të Kushtetutës, duke i trajtuar të miturit në mënyrë mizore dhe aspak humaniste sa i takon individualizimit të përgjegjësisë penale.

Më tej vlerësoj se ky rregull rishtar i grupit të punës është njëlloj i papajtueshëm me nenin 25 të Kushtetutës edhe për subjektet madhorë. Për 99 vjet me radhë legjislaturat e parlamentit shqiptar i kanë dhënë përparësi lirisë personale të të dënuarit në fazën përmbarimore dhe nuk kanë lejuar që mosekzekutimi i dënimit me gjobë të përbëjë shkak ligjor të parevokueshëm për lirinë personale. Në përmbylljen e këtij shekulli një grup pune kërkon të sanksionohet krejt e kundërta dhe mosekzekutimin e dënimit me gjobë ta shndërrojë në shkak ligjor të parevokueshëm të kufizimit të lirisë personale të të dënuarit me burgim. Në këtë mënyrë ky sanksion ligjor nuk synon më nxitjen e të dënuarit për ekzekutimin e dënimit me gjobë por ekskluzivisht ndëshkimin e tij me dënimin me burgim për këtë sjellje joligjore. Sjell në vëmendje këtu se në Pjesën e Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal, veprat penale të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor (shih nenin 542 – 545) parashikojnë në strukturën e sanksioneve edhe dënimit me gjobë krahas dënimit me burgim. Vlerësoj se ky qëndrim i grupit të punës në hartimin e nenit 75 në raport e hartimin e neneve 542 – 545 është paradoksal dhe është shkruar pa u menduar. Sikurse më parë kam vlerësuar, do të ishte e domosdoshme që projekti i Kodit të ri Penal të kishte si modus operandi në hartimin e normave besim dhe vlerësim më të madh tek liria e individëve. Imperative dhe e pacedueshme kjo qasje duhet të përditësojë dhe frymëzojë çdo rregullim të lirisë personale që lidhet me të miturin në konflikt me ligjin.

AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura