Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Oct 30, 2011 | 13:24

Po ç’bëni, as makaronat s’dini t’i gatuani?!!
Duk vrapuar të dielën e shkuar më telefonon një numër i panjohur. E hap dhe dëgjo : “Hë mi, ça bëre? Dëgjo jam në Vlorë, kam marrë ca skampi të freskët, më thuaj pak si pastrohen dhe si gatuhen, dua t’i bëj me makarona.
-Po kush je?
-Hë mi Bana jam, po ma thuaj çik shpejt se nuk kam shumë lekë.
Ja mbyll e nis e i shkruaj recetën edhe pse është një nga më të thjeshtat. Që ndër të tjerat, e kam ndarë këtu me ju më shumë se një herë, në variante të ndryshme. Nuk po e përsëris më, tani i kemi kaluar ato faza :P kemi mbërritur te peshku me gështenja e me gjëra. Për të gjitha Banat, që të ndihen pak keq se sa pak nuhasin nga këto punë. E të zënë mend :P

Spagetini me miell orizi me karkaleca e perime
Në Familje

Receta libri i nga Benedetta Parodit “Gatuaj e Shijo”

Këtë gatesë e sajova thjesht e nxitur nga krenaria. Ma sollën në majë të hundës vajzat që më thoshin se pjata që u pëlqente më shumë ishin fluturat me shafran që hanin në shkollë. Kështu më hipi në kokë të matesha pikërisht me kuzhinieren e shkollës. Nuk më vjen turp të them se nuk ia kalova…por të paktën arrita barazim.

Makarona flutur me shafran
Përbërësit:
200 gr makarona flutur
1 qepë stërgjatëshe
Pak gjalpë
Vaj ulliri
1 qese shafran
1 lugë rikotë
Djathë grana i grirë
Kripë

Përgatitja:
Kaurdisim qepën e prerë në copa të vogla me vaj e pak gjalpë. Vëmë të ziejnë fluturat, kur qepa është zbutur, marim një qemshe ujë nga zierja e fluturave dhe qeskën me shafran e shterojmë pak, pastaj bashkojmë me rikotën dhe një grimcë kripë. Masi shuajmë zjarrin, shtojmë një tjetër lugë ujë të nxehtë, djath të grirë, dhe përziejmë fort deri sa të formohet një krem i trashë dhe i shijshëm. Kullojmë fluturat dhe i hedhim në këtë salcë.

Për miqtë
Kjo pjatë, mund të konkurojë lehtë ato të restoranteve orientale. Tashmë spagetinit me miell orizi  gjenden në të gjitha supermarketet (në Shqipëri gjithashtu) kurse përbërësit e tjerë i kemi në kuzhinat tona të gjithë. Mos mendoni se kanë shumë shije kinese e nuk do t’u pëlqejnë të gjithëve. E kam provuar edhe me mamanë që nuk ka fort besim te këto lloj përgatitjesh.

Përbërësit:
200 gr spagetini me miell orizi
1 vezë
Salcë soje
2 karrota
2 kunguj
2 qepë të njoma ose prasë
1 dorë embrion soje (gjendet te neranxi)
10 karkaleca të qeruar
Kripë

Përgatitja:
Fusim spagetit në një tas me ujë të ftohtë të paktën për 10 minuta. Ndërkohë thyejmë vezët në tigan të thellë dhe i rrahim me salcë soje sa të formohen grimca në ngjyrë bezhë-kafe. E vëmë vezën mënjanë, hedhim vajin në tigan dhe i kaurdisim në zjarr të fortë të gjitha perimet e prera në rripa për së gjati; kur perimet janë ende pak të forta i bashkojmë me karkalecat, i kavërdisim për pak minuta dhe shtojmë spagetit që i kemi kulluar. I shtojmë së gjithës një qemshe ujë, një spërkatje me salcë soje dhe i zjejmë spagetinit së bashku me perimet për fare pak minuta. Shtojmë vezën, i përziejmë dhe i servirim në tryezë.

Pëllumb deti me aceto balsamiko dhe mjaltë
Përbërësit:

Recetat nga Flori Neziri

Peshk Pullumb (bën pjesë në familjen e peshkaqenit dhe është i lehtë për tu gjetur në dyqanet tona të peshkut gjatë gjithë vitit me një cmim 700l/kg)
200g mjaltë
80g vaj
Miell, Uthull balsamike

pergatitja
Në një tigan (mundesisht të ketë fund horizontal) hedhim vaj ulliri, lyejmë me miell fetat e pëllumbit (që i keni marrë të prera e të qëruara nga dyqani i peshkut) dhe i hedhim në tigan për t’i skuqur në zjarr të avashtë, pastaj i spërkasim me uthull balsamike, i shtojmë mjatin e rregullojmë me kripë.  Sipas dëshirës mund t’i hedhim lëng limoni ose lëng portokalli. Vendosini në pjatë dhe bëni dekorimin sipas dëshirës.

Fileto levreku me havjar dhe gështenja
Përbërësit
levrek 1 400gr
pana 200ml
havjar peshku i kuq 1 lugë kafe
havjar peshku i zi 1 lugë kafe
kripë
gështenja të zieraë të thërmuara.

Përgatitja:
Filetojmë levrekun, e pastrojmë nga halat, por nuk i heqim lëkuren. Marrim një tavë, vendosim një letër alumin dhe sipër peshkun. I hedhim pak kripë, e fusim në furrë 240 gradë për 10 min. Ndërkohë në një tigan hedhim kremin pana (mundesisht vegjetale) shtojmë pak kripë dhe havjarin e kuq e të zi; i trazojmë dreisa të trashet. Nxjerrim peshkun nga furra e heqim nga lekura dhe e vendosim në pjatë, sipër i hedhim salcën me haviar të ngrohtë dhe e spërkasim me gështenjat e grira. E dekorojmë sipas dëshirës.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura