GJIROKASTËR- Nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo, deputet i Gjirokastrës dhe deputeti i PD për Sarandën Kosta Barka, në një deklaratë të përbashkët për shtyp, reagojnë kundër thirrjeve të OMONIA-s për bojkotimin e procesit të regjistrimit të popullsisë.
“Vendimi i lidershipit të OMONIA-s për bojkot ndaj këtij procesi, konsiderohet apriori, pa u këshilluar me faktorë të tjerë relevantë në minoritetin etnik grek në Shqipëri, një vendim në vijim të logjikës dhe taktikës për mbijetesë politike të këtij lidershipi, sipas parimit që më mirë të kemi probleme se sa t’i zgjidhim ato, ishte një vendim për të justifikuar paaftësinë e tij totale për të udhëhequr minoritetin etnik grek në procese të kësaj natyre”-thuhet në deklaratë.
Ky qëndrim sipas tyre, është me shumë pasoja për vet minoritetin etink grek pasi vetpërjashtimi nga procesi i censusit, i kërkuar me këmbëngulje për 20 vjet me radhë, me pretendime të paqëna dhe duke e paragjykuar atë, përbën një vetflijim të interesave të larta të këtij minoriteti, në emër të interesave të ngushta të një grupi njerëzish në krye të kësaj organizate.
Ndërkohë ata deklarojnë se kanë vërejtur fenomene që bien ndesh me kuadrin ligjor që rregullon censusin, klimën e kërkuar demokratike e bashkëkohore dhe vet permbajtjen e pyetësorit.
Sipas tyre përvec presionit të ushtruar nga shoqata të ndryshme apo edhe faktorë të tjerë, anketuesit tejkalojnë në mënyrë të dukshme kompetencat e tyre duke kërkuar dokumente vërtetuese për deklaratën e bërë për kombësinë greke, ushtrojnë presion që të anketuarit të shmangin terësisht këtë pikë ose të shmangin vullnetin e tyre për identitetin etnik e fetar dhe të deklarojnë atë që duan anketuesit, si dhe përdorim mjete e mënyra që pyetësori të mund të manipulohet. PIRO NASE
© Panorama.al











