
Arkëtime rekord në muajin mars. Administrata tatimore ka tejkaluar çdo nivel më të hershëm të saj ndër vite, duke arkëtuar 15.1 miliardë lekë brenda një muaji.Kjo vlerë parash, e përkthyer në përqindje sipas planit të miratuar për vitin 2011, përbën 107 për qind të tij. Ndërkaq, sipas këtij plani, në muajin mars ishin parashikuar që të arkëtoheshin 14.1 miliardë lekë. Duket se realizimi i të ardhurave për këtë vit ka ecur edhe më mirë sesa një vit më parë, ku nëse krahasojmë marsin e 2010-s me marsin e këtij viti, realizimi është dukshëm më i lartë, ku nga 13.9 miliardë lekë të arkëtuara vjet për të njëjtën periudhë këtë vit, diferenca është me 1.2 miliardë lekë. Në një konferencë për shtyp ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, zbuloi më gjerë shifrat e realizimit për muajin mars, por edhe për 3-mujorin e parë të vitit në përgjithësi. Parë në këndvështrimin e 3-mujorit të parë të këtij viti, plani u realizua në masën 101 për qind, ose 9 për qind më shumë se 3-mujori i parë i vitit të kaluar. “Këta tregues janë shprehje e performancës në rritje të administratës tatimore, janë rrjedhojë e reformave të thella të ndërmarra nga administrata tatimore në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, si dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit të tatimpaguesve për pagimin vullnetar”, tha ai. Paralelisht me rritjen e arkëtimeve, rritje ka pasur edhe rimbursimi i TVSH-së për bizneset. Në periudhën janar-mars janë rimbursuar rreth 1.6 miliardë lekë, çka në përqindje përfaqëson 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rritja e rimbursimit të TVSH-së është komentuar nga Tatimet herë pas here si një tregues në rritje.
Kasat fiskale
Pozitivisht nuk ka ecur vetëm pjesa e arkëtimeve apo rimbursimit të TVSH-së. Sipas të dhënave rezulton që si regjistrimi i bizneseve të reja, ashtu dhe procesi i fiskalizimit të kenë ecur në kahun pozitiv me ritme të kënaqshme. “Vetëm për muajt janar – shkurt 2011 janë regjistruar, në shkallë vendi, rreth 3 200 biznese të reja. Është fiskalizuar pjesa më e madhe e biznesit me kasa fiskale, me rreth 56 000 kasa të vendosura, të cilat kanë ndikuar në formalizimin dhe vetëdeklarimin e të ardhurave”, informoi Spahia. Pjesa e fiskalizimit është konsideruar edhe një nga reformat më të rëndësishme të Tatimeve. Në daljet publike, drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë theksuar se do të vijohet deri në fiskalizimin e plotë të ekonomisë. Rritja e ndërgjegjësimit të bizneseve për të vendosur kasë fiskale nga ana e Tatimeve është kryer edhe përmes kontrolleve në terren të inspektorëve, të cilët kanë aplikuar edhe masa administrative si gjoba për ata që nuk kanë vendosur ende një kasë fiskale. Ndërkaq, për t’i nxitur edhe më shumë bizneset që të vendosin një kasë fiskale, së fundi i janë bërë edhe disa ndryshime ligjit “Për procedurat tatimore”, duke rritur vlerën e gjobave për ata që nuk kanë respektuar ligjin.
14,1 miliarde leke
duhet të realizoheshin në muajin mars nga Tatimet sipas planit të miratuar
në buxhet. Ky plan u tejkalua me një miliard lekë, pasi në mars u arkëtuan 15.1 miliardë lekë
Tatimet janar-mars
. 15.1 miliardë lekë arkëtime në mars
. 14.1 miliardë lekë plani për marsin
. 107 për qind u realizua plani në mars
. 9 për qind më shumë mars ’11 se mars ’10
. 13.9 miliardë lekë arkëtime mars 2010
. 101 për qind u realizua plani në 3-mujor
. 1.6 miliardë lekë për rimbursimin e TVSH-së në 3-mujor
. 23 për qind më shumë se vjet u rimbursua TVSH-ja
. 3200 biznese të reja janë regjistruar në 3-mujor
. 56 mijë kasa fiskale janë vendosur deri tani
NERTILA MAHO
© Panorama.al











