Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar pezullimin për 180 ditë të pjesës më të madhe të sanksioneve ndaj Sirisë, pas takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Saraa r Shtëpinë e Bardhë.
Lajmi u bë i ditur nga Departamenti amerikan i Thesarit të hënën.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi nuk përfshin transaksionet që lidhen me Rusinë dhe Iranin, të cilat do të vazhdojnë të jenë subjekt i masave kufizuese.
Sanksionet amerikane ndaj Sirisë ishin vendosur për të goditu individë, kompani dhe institucione që kishin lidhje me ish-presidentin Bashar al-Assad.
Në një reagim në rrjetet sociale, presidenca siriane bëri të ditur se gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe çështje rajonale e ndërkombëtare “me interes të përbashkët”.
Në takim morën pjesë ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan al-Saibani, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sipas njoftimit zyrtar.
Vendimi për pezullimin e pjesshëm të sanksioneve erdhi menjëherë pas takimit të Trump me al-Saraa – vizit e parë e një presidenti sirian në Uashington që nga viti 1946, kur Siria fitoi pavarësinë.
Ky takim shënon gjithashtu gjashtë muaj pas bisedimeve të tyre të para në Arabinë Saudite, ku presidenti Trump kishte paralajmëruar planet për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Pak ditë më parë, SHBA kishte njoftuar se ish-komandanti i Al-Kaidës, al-Saraa, nuk konsiderohet më “terrorist ndërkombëtar”.
Ahmed al-Saraa mori pushtetin në dhjetor të vitit të kaluar, pasi udhëhoqi forcat rebele që rrëzuan regjimin shumëvjeçar të Bashar al-Assadit.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti sirian mbërriti në orën 11:37 të paradites me orën lokale, por nuk hyri nga hyrja kryesore, siç është zakon në vizitat zyrtare të krerëve të shteteve. Gjithashtu, gazetarët nuk u lejuan në fillim të takimit në Zyrën Ovale, ndryshe nga praktika standarde gjatë vizitave shtetërore. ↓
© Panorama.al












