“Jemi terroristët e vezës”- Gent Progni akuza policisë për dhunën në protestë: AMP dhe SPAK të hetojë! Na hodhën një solucion që nuk lejohet

Jul 23, 2026 | 21:52

Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Parlamentit, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës dhe duke kërkuar hetim për drejtues e efektivë policie.

Në fjalën e tij para protestuesve, Progni u ndal fillimisht te masat e sigurisë të marra nga policia, duke ironizuar rritjen e perimetrit të sigurisë përballë protestuesve që përdorin vezët si armë sulmi.

“Dua t’ju jap vetëm dy fakte që kanë ndodhur sot, por jo vetëm sot, por edhe në protestat e tjera që kemi para Parlamentit, me armët tona, vezët. Sot e kishin rritur perimetrin e sigurisë sikur Shqipëria të ishte në luftë me armë dhe jo me vezë”, deklaroi Progni.

Ai tha se, pavarësisht masave të shtuara të sigurisë, protestuesit kanë arritur të qëllojnë me vezë disa zyrtarë.

“Edhe pse kishin rritur atë perimetër, Eduard Shalsin e kemi lyer me vezë, Ervin Hoxhën e kemi lyer me vezë dhe shumë të tjerë që mbajnë pjesë në atë Parlament. Edhe pse kishin 500 forca policie, i kemi lyer me vezë dhe do t’i lyejmë prapë me vezë. Nuk do t’i falim. Edhe pse na thonë terroristë, ne jemi terroristët e vezës”, u shpreh ai.

Progni akuzoi gjithashtu drejtuesit e Komisariateve nr. 1 dhe nr. 3, se kanë qenë më aktivët gjatë ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve. Ai kërkoi hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe SPAK për drejtuesit

“Komisariati Numër 1 dhe Komisariati Numër 3 sërish ishin ato dy komisariate që kanë dhunuar protestuesit dhe ishin më aktivët për të na dhunuar dhe për të na arrestuar”, tha Progni.

Ai u ndal edhe te përdorimi i një lënde me ngjyrë gjatë protestës, duke pretenduar se bëhet fjalë për sulfur bakri, një substancë që përdoret kur protestuesit kanë armë zjarri.

Eksperti i IT-së, Gent Progni: Dua t’ju jap vetëm dy fakte që kanë ndodhur sot, por jo vetëm sot, por edhe në protestat e tjera që kemi para Parlamentit, me armët tona, vezët. Sot e kishin rritur perimetrin e sigurisë sikur Shqipëria të ishte në luftë me armë dhe jo me vezë.

Edhe pse e kishin rritur atë perimetër, Eduard Shalsin e kemi lyer me vezë, Ervin Hoxhën e kemi lyer me vezë dhe shumë plehra të tjera që mbajnë pjesë në atë Parlament. Edhe pse kishin 500 forca policie, i kemi lyer me vezë dhe do t’i lyejmë prapë me vezë. Nuk do t’i falim. Edhe pse na thonë terroristë, ne jemi terroristët e vezës.

Por, sot kanë ndodhur edhe dy gjëra të tjera. Komisariati Numër 1 dhe Komisariati Numër 3, sërish ishin ato dy komisariate që kanë dhunuar protestuesit dhe ishin më aktivët për të na dhunuar dhe për të na arrestuar.

Por pse, do thoni ju? Sepse shefi i Komisariatit Numër 1, Ervin Hasrama, ka qenë specialist antidrogë në një kohë kur në Shqipëri lulëzon droga gjithandej. Pra, nga “puna e mirë” atje e kanë bërë shef komisariati dhe do t’ju tregoj se sa i bindur dhe patronazhist i qeverisë është. Ndërsa Komisariati Numër 3, që ka Besmir Qibinin si shef komisariati, i cili përdor makinat e policisë për të bërë eskortë, e ka me zell për të treguar se sa patronazhist i qeverisë është. Kërkojmë nga AMP-ja hetim, edhe nga SPAK-u hetim, për lekët e drogës që paguhen këta dy shefa komisariatesh.

Gjithashtu, OPGJ-ja Amarildo Deraj, i cili sot ka qenë duke arrestuar një qytetar vetëm se kishte një qese në dorë, i kërkojmë AMP-së dhe SPAK-ut të hetohet për të gjitha mijëra eurot që merr për të mbyllur çështjet te Komisariati Numër 3.

Sot e patë atë lëngun me ngjyrë blu dhe jeshile, i cili është sulfur bakri. Nuk lejohet në asnjë konventë europiane dhe botërore, vetëm në raste kur protestuesit kanë armë me vete. Ne kishim sot vetëm vezë. Kështu që do të ndjekim të gjithë hapat ligjorë për të çuar përpara ligjit këdo që ka firmosur për atë lëng.

Gjithashtu, në Parlament, me çudinë më të madhe, këta mashtrojnë çdo njeri. Në Parlamentin Europian thanë që do të ndryshojnë ligjin e zonave të mbrojtura, por sot në Parlament kanë diskutuar që zonat e mbrojtura t’i japin me 1 euro. Këta janë palaçot gënjeshtarë dhe të korruptuar. Dorëheqje!

© Panorama.al

Te lidhura