Tahiri: Shtatë pyetje Bashës për shtëpinë që bleu në Holandë

Apr 26, 2011 | 10:31

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, bëri dje 7 pyetje për kandidatin e maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ndërsa theksoi se pret përgjigje prej tij përpara se shqiptarët ta gjykojnë me votë më 8 maj. “Përse shtëpinë që e bleu në Holandë, në vlerën 450 000 gulden, e ka deklaruar në Shqipëri sikur e ka blerë për 510 000 gulden, plot 60 000 gulden më shumë? Përse shtëpinë që shiti në Holandë, në vitin 2008, e deklaroi sikur e kishte shitur në vitin 2007? Si ka mundësi që shtëpinë e shitur në vitin 2007 e shiti në vitin 2008, me po të njëjtin çmim që kishte deklaruar një vit më parë, në vitin 2007? Ku i gjeti paratë për të shlyer kredinë bankare të marrë në një bankë holandeze një vit para se të shiste shtëpinë? Përse deklaroi së kredinë e shleu me paratë e shtëpisë që nuk e kishte shitur ende e që do ta shiste një vit më vonë? Si ka mundësi që si ministër e ka detyruar shtetin shqiptar ta pajisë me tri pasaporta diplomatike, të tria të vlefshme njëkohësisht? Për cilat arsye i duheshin Lulzim Bashës tri pasaporta të ndryshme, të tria diplomatike, të tria të vlefshme?”, ishin pyetjet e Tahirit, që i bëri publike në seancën parlamentare, ndërsa ka vijuar më pas me akuza të tjera. “Kandidati më i përlyer nga skandalet, mashtrimet dhe vjedhjet në 20 vitet e historisë së pluralizmit në Shqipëri, duket se ka ndërmend të fshihet përsëri pas përgjigjeve të mekura, duke fshehur të vërteta të hidhura për të dhe publikun, në lidhje me skandalin më të fundit të bërë të ditur në media”, tha Tahiri, teksa i ka bërë thirrje Bashës që të bëjë transparencën e pasurisë së tij.

© Panorama.al

Te lidhura