Nga Njësia Bashkiake Nr. 6, Partia Socialiste vijoi dje denoncimin e atyre që i konsideron manipulime të listave të zgjedhësve në Tiranë. Deputeti opozitar, Saimir Tahiri, me një grup gazetarësh, shkuan dje në një lavash në zonën e Kombinatit, ku pretendohet nga kryetarja e Minibashkisë Nr. 6 se jetojnë prindërit e saj. Sipas tij, aty nuk jeton askush dhe se regjistrimi i prindërve të kryetares së Njësisë 6 është fiktiv, vetëm për të tentuar shtimin e numrit të votuesve. Më pas, Tahiri ndaloi në një shtëpi në të cilën ishte shtuar një familje që jeton me qira. “I zoti i shtëpisë është habitur për praninë e këtyre qiraxhinjve të panjohur dhe ka pohuar për mediat se ata jetonin ngushtë vetë dhe s’mund të jetonin të tjerë”, thotë Tahiri. Ndalesa e tretë ka qenë në një kasolle ku figurojnë të regjistruar 15 veta. “Gazetarët gjetën veç një kasolle të pabanuar. Aty, nga kryetarja e Njësisë ishin regjistruar 15 veta me qira fiktive. Të gjitha këto regjistrime në listat e votuesve në këtë njësi ishin bërë pas afatit ligjor të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, pas 8 marsit”, tha Tahiri, ndërsa shtoi se “këto ndalesa ishin fakte të pakundërshtueshme të tentativës për të manipuluar procesin zgjedhor nëpërmjet atyre që i kemi konsideruar mercenarë elektoralë”. Sipas tij, PS ka përgatitur një padi penale të personave të mësipërm, të cilët Tahiri i cilësoi votues fiktivë, që vijnë në Kombinat dhe në të gjithë Tiranën për të prishur procesin zgjedhor, dhe jo për të votuar realisht.











