Forcat e armatosura ruse ndërmorën në orët e para të mëngjesit valën më të fuqishme të bombardimeve me raketa dhe dronë ndaj dy qyteteve më të mëdha të Ukrainës, Kievit dhe Harkivit. Ky i fundit ndodhet në verilindje të vendit, rreth 30 kilometra nga kufiri me Rusinë.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, gjatë natës Rusia lëshoi gjithsej 293 mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe 18 raketa. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 240 dronë dhe shtatë raketa, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar në Telegram.
Viktima në Harkiv
Në Harkiv, i cili është shpesh objektiv i sulmeve ruse, guvernatori rajonal Oleh Syniehubov njoftoi se katër persona humbën jetën në periferi të qytetit, pas bombardimit të një objekti postar, ndërsa gjashtë civilë të tjerë u plagosën.
Sipas burimeve, rreth 20 raketa balistike u lëshuan brenda afërsisht një ore, në atë që përshkruhet si sulmi më intensiv ndaj Ukrainës deri në këtë fazë të vitit.
Kundërpërgjigjja ukrainase
Ndërkohë, ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur një fabrikë për prodhimin e dronëve në rajonin rus të Rostovit.
“Shkatërrimi i kësaj njësie do të ulë aftësinë e armikut për të prodhuar dronë dhe do të dobësojë kapacitetin e agresorit rus për të goditur objektiva civile në territorin ukrainas”, deklaroi ushtria ukrainase përmes Telegramit.
Situata mbetet tejet e tensionuar, ndërsa lufta hyn në një fazë të re përshkallëzimi me sulme masive nga ajri dhe kundërgoditje nga të dyja palët.
© Panorama.al












