Sulm me armë përpara Parlamentit në Beograd, plagoset një person në çadrat e ngritura nga studentët! Vuçiç: Akt terrorist

Oct 22, 2025 | 21:05

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin e Serbisë, ku para godinës së Parlamentit në Beograd, një burrë hapi zjarr ndaj disa çadrave të vendosura nga studentë, duke plagosur rëndë një person.

WhatsApp Image 2025-10-22 at 21.03.10

Autori u arrestua menjëherë në vendngjarje, por pas të shtënave, një nga çadrat mori flakë duke shkaktuar një zjarr të përmasave të mëdha. Autoritetet serbe, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiç, e kanë cilësuar incidentin si një “akt të rëndë terrorist”.

Vuçiç ka mbërritur mbrëmjen e sotme në kampin e studentëve, ku iu drejtua qytetarëve të mbledhur pas ngjarjes së rëndë.

Ai deklaroi se kishte vizituar Milan Bogdanoviqin, personin që u plagos rëndë në sulmin me armë, duke theksuar se ai ishte viktimë e një dhune të paprovokuar.

“Vizitova Milan Bogdanoviqin, i cili pa qenë fajtor për asgjë, u godit me plumb vetëm sepse dikush nuk mund të duronte që ekzistojnë njerëz që mendojnë ndryshe dhe shohin ndryshe të ardhmen e Serbisë edhe pse nuk rrezikonin askënd. Milan ju përshëndet të gjithëve,” u shpreh Vuçiq.

Presidenti serb theksoi se është e domosdoshme të ruhet paqja, pavarësisht provokimeve.

“Ata na treguan sa të papërgjegjshëm janë. Mijëra herë kanë treguar se janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka përpara vetes dhe e kanë bërë këtë me kënaqësi. Edhe sot, kur një baba i tre fëmijëve është plagosur… E keni vënë re, nuk keni dëgjuar asnjë ‘më fal’,” – theksoi Vuçiç.

 

Si ndodhi ngjarja?

Zona ku ndodhi ngjarja, e njohur me emrin “Caciland”, ishte e mbikëqyrur nga studentë që mbështesin Partinë Progresive Serbe (SNS), aktualisht në pushtet. Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për shpërthimin e një bombole gazi, por situata u përshkallëzua shpejt në një ngjarje shumë më serioze.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, një burrë hapi zjarr ndaj njerëzve të pranishëm në zonë, duke plagosur një protestues në pjesën e ijës së djathtë. I plagosuri u dërgua me urgjencë në spital, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale delikate.

Zjarrfikësit arritën ta vënë nën kontroll flakën në një kohë të shkurtër, ndërsa policia konfirmoi arrestimin e autorit të dyshuar të sulmit. Sipas hetimeve paraprake, agresori ka qëlluar disa herë me armë përpara se të vinte zjarrin, duke shkaktuar panik të madh.

Kush janë studentët e “Caciland” dhe pse protestojnë?

Kampi i sulmuar, i njohur si “Caciland”, ishte ngritur nga grupi “Studentët që duan të mësojnë”, i përbërë nga të rinj që mbështesin Partinë Progresive Serbe. Prania e tyre në park ishte një kundërpërgjigje ndaj bllokimeve të universiteteve të ndërmarra nga grupe studentësh opozitarë ndaj politikave të qeverisë.

“Caciland” ishte shndërruar në simbol të kundër-protestës studentore, e mbështetur nga një pjesë e institucioneve dhe e kritikuar nga opozita. Zona mbahej nën mbikëqyrje nga policia dhe deri në sulmin e 22 tetorit, nuk ishin regjistruar incidente serioze.

 

© Panorama.al

Te lidhura