E ka gjithmonë në mendje një femër që e frymëzon. Por kësaj here ka vendosur të na shfaqet në një klip që i këndohet asaj, por ajo mungon. Stine publikon këngën “Besoja”, një krijim që ai pohon ta ketë shkruar 1 vit e gjysmë më parë dhe të realizuar në ngjyra trishtimi që nga tapeti poshtë këmbëve dhe deri tek syzet e errëta. Në këtë intervistë tregon më shumë për bashkëpunimin energjik me Ingrid Gjonin dhe Stinen ndryshe, që pritet si i tillë me albumin e tij të ri.
Duket se ke ndryshuar stil me klipin “Besoja”, ti vetë do ta konsideroje si një moment kthese në muzikën tënde?
Jo, sepse unë do vazhdoj ta prezantoj muzikën time, ashtu si gjithmonë. Thjesht më intrigon dëshira për të suprimuar pak fansat dhe tregun muzikor. Në fakt, kam marrë shumë reagime pozitive, aq sa nuk i prisja.
Është i vetmi klip yti ku mungon prania e femrës, pse vendose të mos e përfshije femrën si imazh, ndërkohë që i këndon pikërisht asaj?
Sigurisht, kam pasur një qëllim që e kam realizuar, një klip ku femra mungon. Dhe kjo, për faktin që shikuesi ta imagjinojë në mënyrën më të mirë të mundshme femrën ideale.
Gjithashtu, prapë një këngë ku bëhet fjalë për zhgënjim, ndarje, dhe ti që rrëzohesh. Je rrëzuar shpesh në dashuri dhe si provon të ngrihesh sërish?
Ndoshta ka pasur momente ku themelet e një dashurie janë shembur, por ngritja e vështirë ka qenë edhe më e bukur… Uljet dhe ngritjet drastike janë të pranishme në jetën tonë të përditshme dhe duhet të mësohemi me to.
Për momentin a ekziston një femër në mendjen tënde që të frymëzon, të bën të lumtur dhe krijues?
Gjithmonë ekziston një femër në mendjen time, pa marrë parasysh nëse më bën të lumtur apo jo. Rëndësi ka që gjithmonë ekziston një femër në mendjen time, që më jep shtysë të punoj e më frymëzon vazhdimisht.
Në Youtube është hedhur një këngë në bashkëpunim me Niku që mban titullin “Dashuria ime”. Ka lidhje me ndonjë histori personale, i dedikohet dikujt?
Kënga “Dashuria ime” është regjistruar dhe ka përfunduar para katër vitesh, por vendosëm ta publikojmë vetëm tani në Youtube. Po ashtu është një këngë e pritur mjaft mirë nga fansat. Pyetjet nëse i dedikohet dikujt, mund t’i përgjigjem se teksti në fjalë është i qartë dhe nuk ka lidhje direkte me jetën time.
Para dy ditësh ka nisur të transmetohet klipi “Relax” me Ingrid Gjonin. Kësaj here behët fjalë për një këngë energjike, pse vendosët të bënit këngë bashkë?
Po, në fakt kënga “Relax” është komplet diçka tjetër, nga sa jam prezantuar deri tani. Eshtë sigurisht këngë energjike dhe që s’do u mungojë club-eve të natës. Për sa i përket bashkëpunimit, pse jo dhe një klip me kolegen time më të mirë, Ingrid Gjoni?! Gjithmonë më ka pëlqyer mënyra si e ka menaxhuar veten, si është prezantuar në klipe dhe për më tepër shoqëria e fortë që kemi. Këto kanë qenë shtysat, edhe pse kënga nuk ishte në plan, lindi shumë spontanisht dhe u realizua.
Po shfaqesh me disa krijime njëri pas tjetrit, pas një pauze në muzikë. Ke pohuar se po përgatit një album, kur përgatitesh ta nxjerrësh në treg?
Albumi nuk ka përfunduar ende, sepse ka shumë ndryshime të ndikuara nga ndryshimet drastike në tregun botëror të muzikës. Jam duke punuar për këngët, do të ketë bashkëpunime dhe këngë të reja që s’janë publikuar askund. Supriza ime do të jetë në stil dhe interpretim, po ashtu do të vij me një pjekje profesionale në tekste.
KLOTILDA HARKA











