Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë, me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Ndaj sot festohet Dita Kombëtare e Rinisë, e shpallur festë zyrtare që prej vitit 2009. Kjo datë përkujtohet çdo vit në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. 35 vite më parë një grup studentësh dhe pedagogë i dhanë “grushtin” e parë diktaturës, duke përmbysur regjimin 50- vjeçar komunist, përmes protestave që organizuan nga zona e “Qytetin Studenti”, në drejtim të sheshit të kryeqytetit. Ata u bënë iniciatorë e kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë.
Me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Natën e 8 dhjetorit, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Shkak u bë fillimisht fikja e dritave në Qytetin Studenti.
Të organizuar ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës. Atë natë, marshimi i tyre ndaloi mes qytetit të tyre dhe bulevardit të Tiranës, pa mundur të kryqëzohej me rrugën e asnjë prej intelektualëve apo pedagogëve. Radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 veta… Por në errësirë, policë me skafandra, sambistë (forcat speciale) dhe agjentë të shumtë të Sigurimit të Shtetit u shfaqën nga të gjithë anët.
Ata përdorën çdo mjet për t’i thyer… Por studentët nuk u ndalën, as atë natë dhe as në ditët që pasuan. Të nesërmen, më 9 dhjetor, studentët konfirmuan një kërkesë të qartë drejtuar Ramiz Alisë, e ndarë në disa pika, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike. Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuan përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












