Folësja e njohur e lajmeve, rrëfen për herë të parë mbi shtatzëninë e saj. Fëmija i parë i çiftit dhe ndryshimi i statusit në pritje të të bërit nënë
Prej një muaji ajo u mungon edicioneve informative të lajmeve. Duket se arsyeja që po e mban këso kohësh larg “oksigjenit” të përditshëm është më e fortë se vetë ajo. Folësja e njohur, Sonila Meço, është tremuajshe shtatzënë, në pritje të të bërit nënë. Metamorfoza fizike dhe ajo emocionale e kanë kapluar fort Sonilën, duke e endur mes vizitave mjekësore gjinekologjike dhe kujdesit absolut nga ana e mjekut me të cilin po ndiqet, Halim Kosova. Për Sonilën dhe Drinin, ky është fëmija i parë që pritet t’i bashkohet çiftit të tyre, pas një lidhjeje të gjatë dashurie. Për asnjë moment ata nuk reshtin së rrëfyeri kënaqësinë dhe padurimin deri në çastet kur krijesa e vogël do të jetë në krahët e prindërve. Kanë preferuar ta bëjnë edhe me lexuesit e suplementit “Unë Gruaja”…
Sonila, prej një muaji nuk ju kemi parë në ekranin e ABC-News dhe duket se teleshikuesve u ka munguar prania juaj. Ata që ju ndjekin vazhdimisht e “besnikët” e edicioneve informative që janë mësuar t’ju shohin prej vitesh, duan të dinë për shkëputjen tuaj. Cila është arsyeja që këso kohe po ju mban larg ekranit?
Arsyeja më e bukur që mund të ketë një grua. Jam në muajin e tretë të “pritjes së ëmbël”, megjithëse, deri më tani, “ëmbëlsinë” e ka rrëmbyer bebi brenda meje, teksa mua më ka lënë “shijen e fortë e të athët” të simptomave të nisjes. Për këtë arsye më është dashur të bëj një pushim të gjatë në pritje të kalimit të kësaj faze fillestare.
Çka do të thotë se jeni shtatzënë. Si erdhi ky lajm tek ju? Ishte një ndjesi që trokiti natyrshëm pa doza habie, sepse e prisnit prej kohësh apo…
E kam pritur këtë beb me shumë dashuri edhe kur frika apo ndjenja kontroverse më mbanin zgjuar për orë të tëra duke përgjuar veten në sinqeritetin e saj për vendosmërinë e dëshirimit të një fëmije. Kam pritur të më ndodhë ajo që më ka treguar një herë ime motër: një thirrje, një kumt i brendshëm i trupit që i gatitur të jep sinjalin se çdo pasiguri, është veç një trill hormonal e aq, se ti je lindur për të lindur, për të falur jetë. Megjithëse duhet ta pranoj se thjeshtë biologjia është arsye shumë e varfër për ta bërë një grua t’i thotë vetes nënë.
Ngjan e gjitha si një metamorfozë që ka prekur jetën tuaj, që po shoqërohet me ndryshime fiziologjike dhe pse jo emotive e psikologjike. Sepse “hormonet” bëjnë punën e vet në kësi periudhash. Si po e përjetoni ju?
Eksperiencë e pakrahasueshme, mëson të bëhesh nënë çdo ditë, ende pa e parë të vogëlthin tënd. Instiktivisht mbron fëmijën e palindur duke shmangur çdo aktivitet që e dëmton, dora udhëton mijëra herë mbi bark si reagim mbrojtës ndaj bebit. Mëmësia e ardhshme po më ndryshon, fizikisht ndiej ende pasojat e nisjes që më mbajnë nën efektin e ndjesive të pakëndshme fiziologjike, privimi nga gjumi i darkës, përzierjet, ulja e tensionit, por njëkohshëm trupi reagon, ndryshon tekstura e lëkurës, barku fryhet çdo ditë nga pak, stomaku nuk rresht së të kujtuari se nuk je më vetëm, por emocionalisht shpërthen një rezervuar përjetimesh ku brenda pak momenteve përjeton ekstreme, ndihesh e lumtur, ankthioze, e trishtuar, e motivuar. Unë po ndjej sesi një grup qelizash po shndërrohet në trupth, duar, këmbë, fytyrë, mezi pres ta shoh ta prek, të luaj me të në endjen e pafundme të lumturisë, me çmim jo të vogël të të ndjerit nënë.
Mund të na i përshkruash çastet e para kur patët ndër duar testin e shtatzënisë e kur ndjetë se këtë herë diçka ishte ndryshe…
Nuk di çfarë shënjon momentin e ndërgjegjësimit, se ajo qenie ekziston, testi i parë, ndjesia instiktive se diçka është ndryshe kësaj here, lëvizja e parë brenda teje, ultratingulli i parë, ajo foto e turbullt e trupthit shtriqur në barkun tënd, apo takimi i parë me fytyrën e engjëllit. Tash bebi nuk më flet dot, nuk më tregon dot, por unë e di se ajo thirrje e brendshme që paralajmëroi ardhjen e madhe nuk qe veç e trupit tim, por edhe e atij embrioni që më zgjodhi mua për nënë e Drinin baba.
Paskëtaj, me kë e ndatë gëzimin tuaj? Si reaguan gjyshërit respektivë, miqtë e të njohurit tuaj?
Kur vjen një fëmijë, sikur lind dhe ti me të, nuk ke ekzistuar më parë e tillë. Gruaja tek ti po, por nëna jo. Të bëhesh nënë do të thotë të rilindësh edhe ti. E kam vënë re këtë gjë tek ime motër dhe kur më ndodhi edhe mua mrekullia e ngjizjes së një fëmije, kuptova se çfarë lumturie po emetoja nga poret e mia drejt të shtrenjtëve të mi. Gjyshërit nga mami e përjetojnë për herë të dytë këtë emocion, por ata nga Drini e kanë për herë të parë dhe të them të drejtën mezi prisja të ndieja lumturinë e tyre, shpërthimin në lot gëzimi, por mbi të gjitha të shkaktoja kënaqësinë e të bërit stërgjyshër të tre njerëzve që më kanë pritur me dashuri të jashtëzakonshme në shtëpinë e tyre. Kam lumturuar shumë njerëz, dhe jo pa shijen e një egoizmi morboz e pranoj se kjo më ka shumëfishuar krenarinë(qesh).
Zakonisht pretendohet nga nënat e reja që deri në muajin e tretë të shtatzënisë nuk duhet rrëfyer asgjë rreth pritjes së fëmijës, kjo për t’iu ruajtur “syrit të keq”. Ju vetë, e rrëfyet menjëherë lajmin e shtatzënisë, apo jeni natyrë supersticioze që i druheni bestytënive?
E pashmangshme në rastin tim, bebi duhet të jetë shumë ekzibicionist(qesh), sepse parapëlqeu të vijë plot zhurmë e trazim brenda trupit tim, sa mu desh të tregoja që në krye të herës në punë për të marrë mjekimin dhe trajtimin e nevojshëm. Kemi çelësin e shpirtrave në prehër e vështirë të mos dëgjohen kambanat e atij tempulli.
Ke filluar të mendosh për mëmësinë, për modelin që kërkon t’i ngjash apo të jesh?
Më vjen nëpër mend një thënie me këtë pyetje: “Zoti nuk mund të ish gjithkund, andaj krijoi mamatë”. Nuk mund ta komentoj më gjatë këtë thënie, mjafton t’i ftoj lexuesit të mendojnë për nënat e tyre, për ato nëna për të cilat jemi të dëshiruar si pema për ujin dhe dritën e diellit. Sidomos tash e dua shumë nënën time e nuk e gjykoj dot, nuk do të mundja, por siç më ka bërë fëmijë të lumtur, ashtu do të doja t’i dhuroja fëmijëri të mrekullueshme krijesës sime. Unë dua ta njoh e ndiej që në fillim bebin, jo si një krijesë në nevojë të dëshpëruar për mua, por si njeri. Por pak piper kësaj përgjigjeje politikisht korrekt dua t’ia hedh duke cituar shqeto Oscar Wilde (uroj ime më dhe ime vjehërr ta marrin me dozën e duhur të humorit). Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre, kjo është drama e gjinisë femërore, por asnjë burrë nuk bëhet si nëna e tij dhe kjo është drama e gjinisë mashkullore.
Dhe çfarë gjinie do dëshiroje të ketë fëmija, djalë apo vajzë? Kujt do donit t’i ngjante dhe çfarë tiparesh të trashëgonte nga të dy ju?
Të lindë i shëndetshëm, kjo ka rëndësi për mua, të tjerat pak rëndësi kanë. Ai/ajo është fëmija ynë, ka një instikt në çdo grua për të dashur më shumë fëmijën e saj, por dhe një instikt tjetër për të bërë të vetin çdo fëmijë që ka nevojë për dashurinë e saj. Unë dhe Drini u bekuam me këtë fëmijë e do bëjmë gjithçka për t’i shpërblyer lumturinë që ka mbjellë në familjen tonë të re.
Sa pranë po ju qëndron bashkëshorti juaj dhe si e shihni tani Drinin në pritje të të bërit baba?
Nuk është e lehtë të jesh mama, po të qe kështu, atëherë baballarët do ta kishin bërë me kohë një gjë të tillë dhe Drini e di mirë këtë(qesh). Drini është surprizë çdo herë, më bën ta dua më fort çdo ditë për atë lumturi që më jep, që nga dhurata e një krijese që do të ketë genet tona e deri tek të qenurit mashkulli i përsosur si baba i bebit tim. Mandej nuk mund t’ju tregoj dot për pëshpëritjet deri në agim mbi barkun që mban bebin tonë, planet për të, ëndrrat, dëshirat, projektet gjer në fantashkencë. Ky fëmijë është me fat që ka prindër kaq shumë të dashuruar me njëri-tjetrin.
Tashmë ke filluar përgatitjet për dhomën e fëmijës, për veshjet?
Dhoma ka qenë e planifikuar që me blerjen e shtëpisë, teksa çdo detaj arredimi do të nisë kur të mësoj nëse do bëhem mam i një vajze apo djali. Tash për tash e kemi pagëzuar Bebi Jasa. Çdo element i dekorit dhe veshjeve i është besuar sime motre që, si teze për herë të parë, ka marrë përsipër gjithçka. Kam ardhur në jetë si dëshirë ekskluzive e saj dhe dua që bebi ta ndjejë që në fillim sa shumë e dua tezen e tij/saj.
Rëndësi parësore për ty në këtë periudhë ka sigurisht shëndeti yt dhe i fëmijës në pritje. Mendon se do t’i mungosh gjatë ekranit?
Shëndeti i bebit dhe imi janë prioriteti kryesor. Koka, trupi im tash janë të preokupuar veç me qenien brenda meje. Sapo të kalojë ky moment i parë i vështirë, do të jem sërish aty dhe do të keni mundësi të shihni çdo ditë Sonilën e re, Sonilën në pritjen e ëmbël, Sonilën që mbushet çdo ditë përpos me një trupth që rritet e rritet brenda saj, edhe me angazhimin e fortë për të qenë profesioniste e për të dëshmuar edhe në këtë rast, se ne gratë jemi pajisja më e automatizuar që ekziston në familje e shoqëri(qesh).
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











