Gratë ngelin në klasë qeverisjen vendore për Tiranën. Në një sondazh të fundit të zhvilluar për kryeqytetin “Vlerësimi i komunitetit në qeverisje”, ato kanë vendosur nota për çështje të ndryshme, nga ku mund të përzgjidhnin nga 5-n (nota më e mirë) dhe deri te 1-shi (nota më e keqe). Në përfundim, ka rezultuar se gratë kanë dhënë maksimalisht notën 1, si dhe notën 2, duke vlerësuar përkatësisht shumë keq dhe keq qeverisjen vendore për rajonin e Tiranës. Vetëm në një rast gratë kanë vendosur notën 3, ndërsa 4 dhe 5 as që janë përmendur ndonjëherë (shihni tabelën). Sondazhi në fjalë është realizuar nga Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave, të Rinjve dhe Minoriteteve në Politikë, Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Shoqata për Integrimin e Zonave Informale, partnere të UN Ëomen dhe UNDP, që punojnë për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri, të cilat prezantuan dje në hotel “Rogner”, rezultatet e sondazhit “Vlerësimi i komunitetit në qeverisje” për rajonin e Tiranës.
Notat që vunë gratë
Pjesëmarrja e ulët në vendimmarrjen publike të grave dhe vajzave – 2, keq
Përfshirje e ulët e grave dhe vajzave në komisione & procesin vendimmarrës – 2, keq
Politikat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave – 1, shumë keq
Mungesa e strukturave për denoncimin e dhunës në familje – 1, shumë keq
Mungesë informimi i grave mbi njësitë mbështetëse ku duhet të drejtohen në rast se përjetojnë dhunë – 1, shumë keq
Politikat për përmirësimin e gjendjes ekonomike – 2, keq
Cilësia e çerdheve publike – 3, mesatare
Cilësia e infrastrukturës e kopshteve publike – 2, keq
Mbulim i ulët i grave dhe vajzave aplikante për ndihmë ekonomike – 1, shume keq
Mungesa e shërbimeve vendore që ndihmojnë formimin profesional të grave te papuna – 1, shumë keq
Mungesa e trajtimit të çështjes së strehimit për familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve (të informohen për çfarë ofrohet nga shteti) – 1, shumë keq
Politikat për shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimimin – 2, keq
Cilësia e ujit të pijshëm – 2, keq
Mungesa e një parku/ hapësirave të gjelbra dhe qetësuese – 1, shumë keq
Cilësia dhe shpeshtësia e mbledhjes së plehrave – 2, keq
Ndotja e lumit nga papastërtitë e shumta që sjell uji – 1, shumë keq
Cilësia e infrastrukturës rrugore – 2, keq
Cilesia e ndriçimit në rrugë – 2, keq
Mungesa e një këndi lojrash për fëmijët dhe qendrave sociale nëpër lagjet e Tiranës – 1, shumë keq











