Sondazhet nxjerrin fituese Ermelën, me 50% të votave

Apr 2, 2011 | 13:40

Mes katër finalistëve, publiku ka dhënë gjysmën e votave online për Ermelën. Duket sikur ka një vendim që lë pak ose aspak dilema brenda nesh, të paktën duke parë tendencat e votimeve dhe intervistat që ne vetë kemi zhvilluar gjatë tre muajve të transmetimit të “Big Brother”. Pak javë më parë ne morëm opinionet e banorëve të eleminuar nga ky reality show dhe shumica prej tyre ishin të mendimit së është Ermela fituesja e këtij edicioni të “Big Brother”. Natyrisht që opininoni i tyre është me shumë vlerë, pasi ata banorë kanë ndarë shtëpinë për javë të tëra me finalistët e këtij edicioni dhe kanë parë disa detaje të cilat me shumë gjasa nuk mund të përcillen nga ekrani. Por duket se në të njëjtën mendje janë edhe fansat të cilët në portale të ndryshme online, duke futur këtu edhe atë zyrtar të programit, kanë votuar fituesin e mundshëm sipas tyre. Me të dhënat që kemi marrë deri mbrëmë në darkë nga katër adresa të ndryshme interneti, ku votohet pafund, fituese është konfirmuar Ermela Mezuraj, vajza 24-vjeçare e cila ka mbetur dhe e vetmja femër mes tre finalistëve të tjerë, Ergysit, Marjelit dhe Ogrenit. Ermela në këto votime ka një distancë të dukshme nga vendi i dytë të cilin e mban Ogreni. Ky rezultat, i cili pa dyshim tregon edhe tendencën me të cilën do të votohet me sms gjatë natës së sotme të spektaklit, duket se nuk të lë shumë vend për dyshime, për sa i përket emrit të fituesit. Duket qartë se këtë vit, mbas tre edicioneve ku fitues ishin vetëm meshkuj, më në fund do të kemi një fituese femër, e cila triumfoi mbi shumë konkurrentë, që për hir të së vërtetës këtë vit ishin të fortë. Nëse bëjmë një kthim mbrapsht në kohë që nga momenti kur hyri Ermela në BB, vëmë re disa fenomene që ndër të tjera janë edhe risi, për sa i përket këtij formati krahasuar me edicionet e tjera, pasi duket qartë se ajo nuk është pranuar dhe pëlqyer menjëherë nga publiku, për t’u preferuar dhe përkrahur shumë më pas. Ermela hyri në “Big Brother” një javë më vonë, më saktë me 1 janar, ditën e parë të vitit 2011, duke pasur kështu disavanzhin prej shtatë ditësh në krahasim me banorët që kishin hyrë në fillim e kishin investuar për t’u bërë të njohur në publik. Nga votimi për të nxjerrë atë që pëlqehet më pak, Ermela ishte në vijën e rrezikut një javë pas hyrjes pasi ishte shumë pranë të eleminuarit me vota, ndërkohë që Elisa kishte mundur të mblidhte më shumë vota. Pra, Ermela, nënjë farë mënyre nuk dha mesazhe të menjëhershme simpatie në publik, karizma e saj donte edhe pak kohë të dilte në pah. Lidhja që krijoi me Ervinin, e cila u sulmua jo pak nga banorët duke u etiketuar si e shtirur, Ermelës i krijoi jo pak probleme brenda shtëpisë, pasi i kishte pothuajse të gjithë kundër dhe këtë fakt Ermela e komentonte si disavantazh, pasi i duhej të luftonte për dy veta. Por ka qenë pikërisht ai moment kur publiku ka filluar ta mbështesë. Nga debatet e forta, Ermela mori pa kuptuar rolin e protagonistes, duke ekspozuar të gjithë bagazhin dhe zgjuarsinë e saj. Pastaj, ka edhe një fakt që njihet tashmë në formate të tilla, në përgjithësi kush sulmohet shumë nga brenda, përkrahet nga jashtë, edhe pse ky rast njeh dhe përjashtime. Të gjithë ata që kanë votuar Ermelën, kanë dhënë edhe arsyet pse e kanë zgjedhur atë si të preferuarën e tyre. Fansat kanë pëlqyer tek Ermela krahas zgjuarsisë dhe shkathtësisë, edhe racionalitetin dhe pjekurinë e saj, të qenit me këmbë në tokë dhe ekspozimit të krejt vetes së saj, edhe pse në shumë gjëra mendonte se publiku nuk do ta pëlqente. Ka qenë pikërisht ky sinqeritet që e ka bërë publikun për vete, duke lënë mënjanë paragjykimet. Njerëzit kanë nevojë të shohin një konkurrent se si është dhe jo se si dëshiron ai apo ajo t’i serviret publikut. Pra fiton ideja, “sa më shumë origjinal dhe i vërtetë, aq më i përkrahur”. T’i thuash njerëzve “unë kjo jam”, me modesti dhe zemër në dorë, ka bërë efektin e saj pozitiv në rastin e Ermelës. Fansat vërejnë se Ermela në lojë ka preferuar që të jetë vetëm, pa aleatë, paçka se mund t’i krijonte shumë lehtë ata. Kjo ka bërë që Ermela të jetë koherente dhe jo hipokrite në marrëdhënie me të tjerët dhe sot në mbarim të “Big Brother”, do ishte shumë e vështirë që ta përballje Ermelën me ndonjë moment ku ajo ndryshe ka thënë në fillim e ndryshe në fund. Fansat, teksa kanë përshkruar tiparet që kanë pëlqyer tek Ermela, kanë shtuar se tek ajo gjendet karizma. “Ka një rregull të pashkruar për ekranin, aty nuk ka rrugë të mesme, kush zgjedh të jetë në ekran, ose urrehet ose pëlqehet. Ermela në këtë rast është pëlqyer dhe karizma është një cilësi që secili prej nesh ose e ka, ose nuk e ka dhe nuk mund të bësh asgjë për ta ndryshuar” – pohon njëri prej fansave të saj. Ne, gjithsesi urojmë që të fitojë më i miri dhe kemi besim për këtë pasi në tre edicionet e kaluara fitues ka qenë ai që është pëlqyer dhe duartrokitur më shumë nga publiku.

Votimet në 4 portale online
http://forum.top-channel.tv
Ermela 57%
Ogren 24%
Ergys 13%
Mariel 6%

http://bigbrotheralbania.net
Ermela 49%
Ogreni 26%
Ergysi 15%,
Marjeli 10%

http://www.bbalbania.info
Ermela 48%
Ogreni 28%
Ergysi 14%
Marieli 10%

http://bigbrotheralbania.biz
Ermela 46%
Ergysi 26%
Marjeli 25%
Ogreni 8%

Tre ish-fituesit e “BB”, Arbri, Qetsori dhe Jetmiri zgjedhin Ermelën si fituese të “BB4”

Ata janë tre djem, që pas 100 ditësh në “Big Brother” në fund kanë dalë të fituar. Arbër Çepani i BB1, Qetsor Ferunaj i BB2 dhe Jetmir Saliaj i BB4, fituesit e tre edicioneve të “Big Brother Albania” në “Top Channel” japin opinionet e tyre  se kush do të jetë fituesi i BB4. Janë tre djem dhe ndaj parapëlqejnë që BB 4 ta fitojë për herë të parë një femër. Mes katër finalistëve; Ogren, Ergys, Mariel, e vetmja femër që ka rezistuar në lojë është Ermela. Pasi e kanë provuar se ç’do të thotë të jesh konkurrent në BB, i kemi vendosur në pozicionin e opinionistëve: Ja çfarë thonë tre djemtë për fituesin e mundshëm të BB4:

Arbër Çepani i BB1: Në këtë shoqëri maskiliste, Ermela sfidoi meshkujt

Ai ishte i pari fitues, dhe ra në sy me staturën e djalit intelektual. Arbër Çepani e ka paksa e vështirë të bëjë një parashikim për fituesin pasi sipas tij, “ndoshta është i vetmi edicion ku të gjithë finalistët kanë pothuajse mundësi të barabarta”. Në një analizë të shkurtër të katër finalistëve ai thotë se Marieli është një djalë me cilësi shumë të rralla që rrezaton mirësi në çdo veprim të tijin dhe ka dhënë një shembull të mirë të sensit pozitiv. Ergysi është shumë ndryshe nga të rinjtë e sotëm, megjithëse ka një jetë jo të lehtë, beson dhe lufton, jo pa sakrifica për një ëndërr të madhe si bota e artit dhe për këtë ai duhet të përgëzohet dhe të mbështetet, Ogreni gjithashtu është një djalë që është rritur në një familje me vlera të larta dhe këtë e ka pasqyruar edhe brenda shtëpisë, dhe në fund Ermela vajza që me inteligjencën e saj natyrale që e karakterizon qëndroi me kurajë, si e vetmja femër deri në fund, duke u treguar shqiptarëve që jo vetëm meshkujt kanë aftësinë për të ecur përpara. ”Mendoj që BB4 ta fitojë një femër – thotë ai, – pasi në tre edicionet e kaluara fituesit kanë qenë meshkuj”. Mendoj se jemi një shoqëri maskiliste, megjithëse jetojmë në vitin 2011 dhe çdo femër në Shqipëri paragjykohet pa të drejtë e në mënyrë tendencioze, ndaj unë do dëshiroja që për gjithçka thashë më sipër fituesja e këtij edicioni të jetë një femër. Këtu vlen shprehja “Lady’s first”, sepse duhet të thyhet ky mentalitet paragjykues ndaj femrave që duan të sfidojnë meshkujt në Shqipëri. Po a ka një sekret në lojën e fituesit? “Nuk ekziston një lloj lojtari standard që pëlqehet nga publiku, pasi ai pëlqen atë lojtar që arrin të tregojë se është i veçantë në llojin e vet, që është i aftë ta përballojë sfidën në atë “reality” dhe në jetë pa u demoralizuar që në pengesën e parë që ndeshet.”

Qetsor Ferunaj: Nuk pashë meshkuj tipa në BB4, Ermela është femër pa komplekse

Djali nga Vlora, Qetsor Ferunaj ka dhënë opinionin e tij se kush do të jetë fitues i BB4, ndërkohë që sapo ka hyrë në një tjetër lojë të ngjashme me BB, “Vip Shtëpija” që organizohet në Prishtinë. Për sa i përket fituesit ai pohon se “Big Brother 4” duhet ta fitojë Ermela, pasi është koha që ta fitojë një femër. Sipas tij, ”Ermela është vajzë simpatike, dinamike, pa komplekse dhe mbi të gjitha një vajzë që ka bërë lojë të vërtetë”. “Mendoj se ka ardhur koha që këtë ‘reality show’ ta fitojë një femër, dhe jam i bindur se ajo e meriton”, thekson ai. Për sa u përket komenteve se Ermela ka bërë lojë të pisët, ai sqaron se, “unë s’mund ta ndaj një lojë në të pisët apo të pastër, vetëm mund të them se në “Big Broother” duhet bërë lojë, dhe ajo e ka bërë. Emëruesi i përbashkët është thjesht lojë e sofistikuar që nëse të ka kënaqur si lojtar, jepi votën dhe ajo   besoj ia ka arritur”. Më tej, ai shton se “kur hyn në BB, pyet veten se cili është mesazhi që po jap, dhe ndaj besoj që Ermela ka dhënë mesazhin e një femre të lirë”. Nëse e pyet për meshkujt, ai thotë se nuk ka ndonjë preferencë megjithëse veçon si më interesant Ergysin.”

 

Jetmir Saliaj i BB3: Në BB duhet të nxjerrësh kthetrat, Ermela e bëri me inteligjencë

“Mendoj se Ermela është vajza që me tipin e saj u shpalli sfidë banorëve të tjerë dhe ndaj duhet të fitojë. Më tej, ai shton se është një vajzë e re pa komplekse që i duhej këtij “reality show”, por është shumë inteligjente, pavarësisht se shpesh është e kushtëzuar të tregohet  paksa vulgare. Sipas meje, në atë pozicionim të lojtarëve ku dikush bën intelektualin, dikush prindin, dikush tjetër shijon aventurën, Ermela ka treguar natyrën e një vajzë të lirshme. Për sa i përket lojës në tërësi të BB4, ai pohon “nuk mund të flas për risi, por që kam parë karaktere interesante, ku bie në sy qëllimi i tyre për të nxjerrë anën më të mirë”. Nëse e pyet për lidhjet e krijuara brenda shtëpisë, ai pohon se çiftet i janë dukur “të lirë dhe fatmirësisht nuk kanë komplekse, më duket banale të diskutohet sa e vërtetë është lidhja, kur fundja çdo njeri prej tyre ka zgjedhur një person për të bashkëjetuar brenda lojës”. Në një koment të përgjithshëm, ai ka pohuar se disa persona kanë stonuar pasi marrin përsipër të tregohen shumë korrekt dhe të ditur. Ajo nuk është lojë për komoditet, por është lojë për të nxjerrë kthetrat e për të treguar vërtet se sa të vlen lëkura. Gjithçka pranohet në “Big Brother” dhe e rëndësishme është që personat pjesëmarrës të kenë fantazi për të krijuar e vepruar.”

© Panorama.al

Te lidhura