“S’mund të ketë negociata me kryeministrin”- Aktivisti Laçi: Nuk shtyhet më kështu, ka shkuar thika në palcë! Shqipëria peng i dy sundimtarëve Rama-Berisha

Jun 17, 2026 | 15:14

Aktivisti Marlind Laçi tha sot nga studio e “News24” se pakënaqësia popullore për abuzimet e qeverisë, klasën e vjetër politike dhe situatën social-ekonomike shkaktuan protestën dhe revoltën qytetarë që hyn sot në ditën e 18-të të saj dhe ku kërkohet dorëheqja e qeverisë.

marlind laci

Ai nënvizoi se nuk mund të vazhdohet më me dy sundimtarët Rama dhe Berisha, kurse rinia dhe mbi 1 milion shqiptarë që kanë ikur nga vendi duhet të bashkohen për të ndërtuar demokracinë në vend.

“Është një nga protestat si ato të vitit 1990. Zvërneci ishte fitili që ndezi protestën popullore dhe pakënaqësinë. Jemi përballur me korrupsion sistematik Shqiptarët kërkojnë rrëzimin e sistemit korruptiv. Kërkohet një reformë e jashtëzakonshme, deputetët në parlament të të dyja partive nuk përfaqësojnë popullin me votë”, tha ai mes të tjerash.

Aktivisti shpjegoi se protesta që është ndër më të mëdhatë e mbajtura në Shqipëri ndonjëherë, ka shërbyer edhe si terapi për qytetarët, ndërsa është gjetur edhe slogani më i bukur i saj, për burgosjen e dy liderëve politikë.

“Protesta ka shërbyer si terapi, që shqiptarët të besojnë të institucionet, shteti dhe demokracia. Ndaj edhe shqiptarët kanë gjetur sloganin më të bukur “Berisha në burg, Rama në burg”. Po shkatërrohet natyra dhe po shiten pronat”, tha ai.

Laçi refuzoi ofertën e kryeministrit Edi Rama për negociata:

“Nuk mund të ketë negociata me kryeministrin, janë mbi 1 milionë qytetarë të larguar, politikanë që e shikojnë veten si sundimtarë, krimi i organizuar, rendi oligarkik, mbajnë varur shqiptarët. Intelektualët e rinj duhet të investohen në këtë tezë, kështu nuk shtyhet më, ka arritur thika në palcë. Kërkohet një qeveri e re, të rinjtë të investojnë pasi nuk ecet më kështu. Shqipëria është më shumë se peng, mjaft është mjaft, nuk mund të vazhdohet më me Ramën dhe Berishën. Populli kërkon drejtësinë, s’mund të jemi nën diktatin e dy personave. Protestat kanë qenë spunto edhe për SPAK-un”.

Në fund ai vuri në dukje se demokracia ndërtohet hap pas hapi me kontributin e të gjithë qytetarëve, kurse protesta tashmë i ka dhënë rezultatet e saj.

“Demokracia bëhet hap pas hapi, ta bëjmë se bashku atë. Protesta i ka dhënë frutet e saj. Shqiptarët të kthehen dhe të bëjmë bashkë demokracinë”, u shpreh Laçi.

© Panorama.al

Te lidhura