Donald Dervishi, një mësues i larguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksoi se është një sinjal i mirë që mijëra qytetarë shqiptarë janë ngritur kundër qeverisë së Edi Ramës, dhe po kërkojnë që vendi të ndryshojë.
Duke komentuar protestat e zhvilluara në SHBA, paralelisht me atë në Tiranë, mësuesi theksoi se edhe shqiptarët që jetojnë atje kanë një lloj presioni për të mos protestuar për shkak se ata kanë familjarë në Shqipëri.
“Edhe në Amerikë siç është presioni këtu, ekziston një farë presioni edhe atje. Se njerëzit kanë familjarë të punësuar, lidhje me komunitete që kanë lidhje politike me Shqipërinë. Ana tjetër është se ndoshta zëri tjetër nuk do të dëgjohet. “, u shpreh ai.
Mësuesi theksoi se erdhi në Shqipëri për t’iu bashkuar protestave që po zhvillohen para kryeministrisë, ndërsa e cilësoi revoltën e qytetarëve si një lajm të mirë, pasi ata po kërkojnë që vendi të përmirësohet dhe ndryshojë.
“Jam marrë prej vitesh me aktivizëm dhe qasja ndaj protestave nuk është diçka e re për mua. Kam qenë një prej organizatorëve të protestës për armët kimike. Kam qenë pjesëmarrës në protestën e studentëve. Kjo tani është sinjal i mirë që shqiptarët po kërkojnë se Shqipëria duhet të ndryshojë.
Kam qenë edhe drejtor shkolle për një periudhë kohe prej 1 vit e gjysmë. Në atë kohë fati ndeshi që bashkë me një kolegu tim të merrnim një nismë për të ndërtuar një shkollë në Skrapar.
Largimi ka qenë një vendim familjar. Nuk mendoj se do të jetë i përhershëm. Dua që vendi im të përmirësohet, të ketë arsim, shëndetësi, siguri, të mos na vriten fëmijët rrugëve apo përpara shkollave por t’u sigurohet një jetesë e mirë”, u shpreh mësuesi.
© Panorama.al












