Reforma në Drejtësi ka shënuar mbylljen zyrtare të procesit të Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit, duke kaluar në një fazë të re profesionalizmi dhe etapë për arritjen e standardeve dhe llogaridhënies.
Kështu e cilësoi sot procesin e nisur që pas vitit 2016, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, në fjalën e tij, duke theksuar se tani drejtësia është më e mirë se para reformës.
“Edhe pse një proces i pazakontë dhe tronditës për sistemin, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve erdhi si një imperativ i kohës, për të adresuar mosbesimin e thellë dhe të përhapur të publikut ndaj sistemit të drejtësisë, perceptimin e lartë të korrupsionit në gjyqësor dhe korporatizmin në sistem. Në këtë drejtim, anëtarët e organeve të vettingut dhe ONM kanë kryer një punë të jashtëzakonshme, duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa ai i periudhës para vitit 2016”, u shpreh ai mes të tjerash.
Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u mbajt sot (17 qershor) në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Metani nënvizoi se tani vjen faza e rritjes së standardit profesional të magjistratëve dhe se pavarësia në sistem nuk vjen pa llogaridhënie.
“Në të njëjtën kohë, duhet të tregohet një kujdes i shtuar dhe maturi në ruajtjen e një ekulibri delikat ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve. Pavarësia e magjistratëve nuk është një privilegj personal i tyre, por ajo është një garanci kushtetuese për qytetarin. Por po aq e vërtetë është se pavarësia nuk mund të ekzistojë pa një sistem llogaridhënës. Sfida e institucioneve të reja është pikërisht ruajtja e këtij ekuilibri, në mënyrë që llogaridhënia të mos cenojë pavarësinë dhe pavarësia të mos shndërrohet në mungesë përgjegjshmërie apo përgjegjësie”, vuri ai në dukje të fjalës së tij para të pranishmëve.
Fjala e plotë e kreut të ILD-së, Artur Metani:
“I nderuar z. Çomo!
Të nderuar pjesëmarrës,
Faleminderit për ftesën dhe mundësinë që më dhatë për të shprehur disa mendime, në lidhje me përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Edhe pse një proces i pazakontë dhe tronditës për sistemin, vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve erdhi si një imperativ i kohës, për të adresuar mosbesimin e thellë dhe të përhapur të publikut ndaj sistemit të drejtësisë, perceptimin e lartë të korrupsionit në gjyqësor dhe korporatizmin në sistem. Në këtë drejtim, anëtarët e organeve të vettingut dhe ONM kanë kryer një punë të jashtëzakonshme, duke verifikuar dhe larguar nga sistemi pjesën e pashëndetshme të tij, mbi bazën e standardeve konkrete të vlerësimit të integritetit të gjyqtarëve e prokurorëve. Sot sistemi i drejtësisë, edhe për shkak të kësaj pune, është dukshëm më i mirë sesa ai i periudhës para vitit 2016.
Tanimë, përfundimi i procesit të vettingut kërkon një vlerësim të kujdesshëm dhe një reflektim mbi të ardhmen, pasi shënon kalimin nga faza e funksionimit të mekanizmit të jashtëzakonshëm të vettingut dhe sui generis, të kontrollit të integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve, drejt një etape të re, ku përgjegjësia për garantimin e integritetit dhe profesionalizmit të magjistratëve u takon plotësisht institucioneve të reja të drejtësisë.
Kjo është arsyeja pse përfundimi i këtij procesi nuk duhet parë si finalizimi, apo arritja e rezultateve të duhura dhe të suksesshme të rrugëtimit të reformës në drejtësi. Ky moment shënon fillimin e fazës më të rëndësishme të reformës në drejtësi, i cili ka të bëjë me institucionalizimin e standardeve të integritetit dhe të përgjegjshmërisë. Sfida tashmë, nuk është më pastrimi i sistemit të drejtësisë nga magjistratët jo profesionistë, jo me integritet, apo të papërgjegjshëm, por garantimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë mbi baza apo standarde të qëndrueshme profesionalizmi, etike dhe përgjegjshmërie.
Pikërisht sot, ne duhet të shkojmë një hap më përpara drejt një sistemi drejtësie, i cili funksionin në kushte normale. Një shtet i së drejtës nuk mund të mbështetet pafundësisht mbi masa të jashtëzakonshme. Kur masat e jashtëzakonshme kanë karakter vazhdues apo të përhershëm, ato rrezikojnë të bien në kundërshtim me vetë parimet që synojnë të mbrojnë. Për këtë arsye, dilema që duhet ti japim përgjigje sot nuk është nëse standardet e vettingut duhet të vazhdojnë apo jo, por nëse këto standarde janë bërë pjesë e veprimtarisë së insitucioneve të reja të sistemit të drejtësisë për të garantuar në të ardhmen integritetin dhe llogaridhënien e magjistratëve.
Sfida e sotme e të gjithëve ne është ndërtimi i një sistemi drejtësie të ri, të qëndrueshëm si dhe duke u organizuar dhe funksionuar mbi bazën e një sistemi “llogaridhënës të zakonshëm”. Nëse do të gjykojmë një ditë suksesin e reformës në drejtësi, treguesi më domethënës nuk do të jetë thjesht numri i çështjeve të trajtuara nga organet e vettingut, apo vendimet individuale të marra prej tyre, por aftësia e institucioneve të reja dhe të përhershme për të ruajtur dhe zhvilluar vetë standardet e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies që procesi i vettingut synoi të vendoste. Vetëm atëherë mund të themi se standardet e jashtëzakonshme me karakter kalimtar kanë përmbushur misionin e tyre për të cilin u krijuan dhe, jo duke zëvendësuar institucionet aktuale, por duke krijuar kushtet që këto institucione të funksionojnë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Për këtë arsye, fokusi i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë duhet të mbetet tek profesionalizmi, paanshmëria, transparenca dhe pavarësia në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese. Në këtë drejtim, po aq e rëndësishme është edhe ndërtimi i një praktike të qëndrueshme dhe të parashikueshme administrative institucionale. Vendimet e arsyetuara, procedurat e qarta dhe standardet e konsoliduara ligjore jo vetëm që forcojnë sigurinë juridike të veprimtarisë institucionale, por kontribuojnë gjithashtu edhe në krijimin e një kulture të përgjegjshmërisë profesionale.
Në këtë proces, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është i vetmi institucion që duhet të luajë një rol të rëndësishëm. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë luajnë një rol po aq të rëndësishëm në garantimin e meritokracisë, zhvillimit të karrierës dhe funksionimit efektiv të mekanizmave të përgjegjshmërisë. Ndërsa Shkolla e Magjistraturës mbetet institucioni kyç ku formësohen jo vetëm njohuritë profesionale, por edhe kultura etike e brezave të ardhshëm të magjistratëve, pasi integriteti i tyre nuk mund të sigurohet vetëm nëpërmjet aplikimit të mekanzimave të kontrollit dhe përgjegjësisë. Integriteti dhe profesionalzimi i magjistratëve duhet të shndërrohet në një kulturë institucionale dhe duhet të funksionjë mbi bazën e një sistemi efektiv përgjegjshmërie. Dhe kjo kulturë duhet të ndërtohet në mënyrë të vazhdueshme dita-ditës përmes kombinimit të edukimit profesional, vetëdijes etike të magjistratëve, sistemit të karrierës dhe sistemeve efektive të llogaridhënies.
Në të njëjtën kohë, duhet të tregohet një kujdes i shtuar dhe maturi në ruajtjen e një ekulibri delikat ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve. Pavarësia e magjistratëve nuk është një privilegj personal i tyre, por ajo është një garanci kushtetuese për qytetarin. Por po aq e vërtetë është se pavarësia nuk mund të ekzistojë pa një sistem llogaridhënës. Sfida e institucioneve të reja është pikërisht ruajtja e këtij ekuilibri, në mënyrë që llogaridhënia të mos cenojë pavarësinë dhe pavarësia të mos shndërrohet në mungesë përgjegjshmërie apo përgjegjësie”.
© Panorama.al














