Aktivistja Oneda Vruzhaj, e cila organizoi protestën e djeshme në Berlin kundër kryeministrit Edi Rama teksa ky i fundit mori pjesë në një konferencë, theksoi se ai nuk përfaqëson interesin e Shqipërisë.
Në një intervistë për News24, aktivistja theksoi se protesta e djeshme ishte në vijimësi të qëndresës masive qytetare kundër qeverisë së Ramës.
“Kjo nismë ka lindur shumë spontan gjatë shqetësimeve të përbashkëta që kemi pasur si komunitet shqiptar në Gjermani. Kjo ishte thjesht një vijim i qëndresës qytetare në Berlin.
Në atë zonë ku kryeministri do të paraqitej nuk ishte e mundur të merrej leje proteste kështu që rrezikonim shumë që policia të shpërbënte mbledhjen por edhe gjobitje, probleme me leje qëndrimin e deri me deportim. Ne protestojmë se e para e duam vendin tonë. Jemi larg, por jemi me trup dhe shpirt në Shqipëri.
Kërkuam largimin e Ramës se nuk përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nëse përmendim ligjin 21/2024, ne kërkojmë anulimin. Ne kërkojmë edhe dorëheqjen e tij, se ka shumë gjëra. Ne si shqiptarë të diasporës kemi përpiluar edhe një hartë me të gjitha problematikat që qeveria jonë ka dështuar”, u shpreh ajo.
© Panorama.al












