Skënderbeu, zyrtare, Levi merr drejtimin

Oct 12, 2011 | 12:48
Zeqo e Levi dje në konferencë

Shpëtim Duro është shkarkuar nga drejtimi i skuadrës korçare dhe në vend të tij është emëruar dje çeku Stanislav Levi. Prezantimi i trajnerit të ri është pritur me duartrokitje dhe ovacione dje nga banorë dhe tifozë të shumtë korçarë. Presidenti Agim Zeqo ka sjellë në Korçë trajnerin e ri, i cili porsa ka hyrë në ambientet e stadiumit, është ndalur në dhomën e konferencave. “Vendosëm të sjellim tanimë një trajner të huaj, pasi kemi bërë plane për një ekip kampion, plane të cilat dëshirojmë t’i përmbushim. Trajneri Duro pati të gjithë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar një ekip kampion me lojtarët e domosdoshëm për skuadrën gjatë merkatos së verës. Por unë nuk mund t’ia fal dot humbjen e Superkupës, në një kohë që ne si klub jemi shumë të uritur për trofe. Madje, kam mbetur i pakënaqur dhe nga paraqitja e dobët e ekipit në Champions League”, tha Zeqo. Ndërsa trajneri i ri theksoi se e kishte bindur jo vetëm presidenti, por edhe njohja me kapitenin e Kombëtares shqiptare, Altin Lala.

Duro
Shpëtim Duro nuk e ka pritur aspak mirë largimin nga Skënderbeu, por gjithsesi nuk ka dashur të bëjë polemika. “Unë largohem me kokën lart nga Skënderbeu, sepse jam trajneri kampion i kësaj skuadre. Ktheva titullin pas 78 vitesh në Korçë dhe kjo nuk është pak. Askush nuk ka dëshirë që të largohet nga një ekip, por gjithsesi kështu u krijua situata dhe nuk kam dëshirë të shprehem për momentin”, ka deklaruar Duro. Ai pati zënë vendin e Shkëlqim Muçës te skuadra korçare në mars të sezonit të shkuar.

© Panorama.al

Te lidhura