Skënderbeu i Korçës nuk fiton një ndeshje ndaj Tiranës në kryeqytet, që prej sezonit 1976-1977. Goleadori quhet Vaskë Thimo dhe rezulton që goli i tij të ketë qenë trepikëshi (asokohe dy pikë) i fundit i Skënderbeut në kryeqytet ndaj skuadrës bardheblu. Asokohe, korçarët kishin një nga ekipet më të mira të kohës, me emra si Teodor Vaso, Xhambazi, Koço Dinella etj, të cilët arritën ta çonin atë skuadër deri në vendin e dytë në klasifikim. Kampione e vendit në atë kampionat doli Dinamo me 44 pikë, në 32 ndeshje (16 fitore, 12 barazime dhe 4 humbje), ndërsa Skënderbeu zuri vendin e dytë me 40 pikë (14 fitore, 12 barazime dhe 6 humbje). Ndaj Tiranës (asokohe quhej 17 Nëntori) korçarët zhvilluan katër ndeshje në një sezon, pasi kampionati ishte i ndarë në katër faza. Në dy fazat e para, korçarët fituan 2-0 në fushën e tyre dhe 1-0 në ndeshjen e fazës së dytë në Tiranë. Më pas, në fazën e tretë dhe të katërt ekipet ndaheshin në 6-të që luanin për titull kampion dhe 6 për të mos rënë nga kategoria. Kështu, në dy fazat e tjera, Skënderbeu fitoi sërish 1-0 në Korçë, por humbi më pas në kryeqytet 2-1. Atë sezon, Tirana (17 Nëntori) u rendit në vend të pestë me 32 pikë (14 fitore, 5 barazime dhe 13 humbje). Ndërkaq, në total Tirana dhe Skënderbeu kanë luajtur mes tyre 120 ndeshje, nga ku 58 janë fitore për Tiranën, 38 ndeshje kanë përfunduar në barazim dhe vetëm 24 janë fitore që i përkasin Skënderbeut. Për sa u përket golave, kryeson gjithashtu Tirana, me 197 të shënuar dhe 105 të pësuar. Fitorja e fundit e Tiranës daton më 29 gusht 2009 (1-0), ndërsa fitorja e fundit e Skënderbeut i përket këtij sezoni, në fazën e parë, 2-1 (3 tetor 2010).
Tafaj jep siguri: Luhet ndershëm
Për drejtorin sportiv të Tiranës, Alban Tafaj, sot Skënderbeu i Korçës do të luajë fatet e sezonit të tij, pasi bardheblutë nuk kanë ndërmend t’i hapin rrugë. “Unë personalisht nuk shoh ndonjë presion të madh te lojtarët. Në këtë kontekst, në valle janë të tria rezultatet, ndaj korçarët nuk mund ta marrin aspak lehtë ndaj Tiranës. Ne realisht nuk bëjmë llogaritë e tyre, por nderojmë fanellën tonë, e cila siç e di cilido, peshon shumë herë më shumë se cilado fanellë tjetër në Shqipëri. Tirana nuk ka pasur në këtë sezon aleatë dhe nuk ka as në ndeshjen e nesërme (sotme)”, tha Tafaj.
Flamurtari, 50 mijë euro premio Tiranës?
Klubi i Flamurtarit ka vënë në dispozicion të Tiranës 50 mijë euro, në rast se bardheblutë sot ndalin Skënderbeun kryesues. Lajmi ka qarkulluar dje në skuadrën bardheblu, por gjithsesi asnjë nga pjesëtarët e skuadrës apo drejtuesit nuk e konfirmon diçka të tillë. Kjo nuk ndodh vetëm në kampionatin shqiptar, pasi ka precedentë edhe në disa vende të tjera, ku niveli i futbollit është shumë më i lartë. Në Shqipëri vetëm presidenti i Elbasanit, Arben Laze, ka pranuar se klubi i Bylisit i ofroi 30 mijë euro, që skuadra e tij të fitonte ndaj Besës.
© Panorama.al











