Siri, hiqet ligji i emergjencës, protestat vazhdojnë

Apr 20, 2011 | 10:32

Qeveria e Sirisë ka miratuar një projektligj historik për të hequr ligjin e emergjencës në vend, në fuqi prej 48-vjetësh. Heqja e ligjit ishte një nga premtimet e Presidentit Bashar al Asad, që pas nisjes së protestave antiqeveritare në vendin e tij. Lajmi u konfirmua nga agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, e cila tha se kabineti qeveritar e kishte ratifikuar projektligjin. Tashmë pritet që ai të marrë vetëm firmën e Presidentit Bashar al Asad për të hyrë në fuqi. Ligji i emergjencës ekzistonte pothuajse në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, të cilat kishin regjime autokrate. Sipas këtij ligji, forcat e policisë mund të kontrollonin çdo shtëpi në çdo orë, mund të arrestonin këdo pa informuar më parë apo më pas familjarët dhe mund të kontrollonin këdo që dëshironin ta shihnin si të dyshuar. Por heqja e ligjit nuk i dha fund protestave. Forcat e sigurisë në Siri kanë përdorur dhunën për të shpërndarë një protestë masive antiqeveritare në qytetin e tretë më të madh të vendit, Homs, i cili vetëm një ditë më parë ishte “pushtuar” nga protestuesit. Mediat raportojnë se një person ka humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur. Ministria e Brendshme siriane ka vlerësuar se revoltat në Siri po marrin formën e një “kryengritjeje të armatosur” dhe ka njoftuar se nuk do të tolerojë asnjë revoltë brenda vendit, duke paralajmëruar kështu, se çdo ngjarje e tillë do të marrë një kundërpërgjigje agresive.

© Panorama.al

Te lidhura