Pas vendimit të Qeverisë, ALUIZNI do masë në terren të gjitha shtëpitë, edhe pse kanë bërë vetëdeklarim.
Kush përfshihet për herë të parë, do të plotësojë një deklaratë të veçantë.
Toka sipas ligjit të ri edhe për vetëdeklarimet ekzistuese.
Matje, verifikime dhe procedura të mbështetura në ligjin e ri për çdo ndërtim pa leje në vend, pavarësisht kohës së ndërtimit dhe fazës në të cilin ndodhet sa i takon procesit legalizues.
Nga vendimi i qeverisë për nisjen e matjeve në terren do të përfshihen të gjitha ndërtimet pa leje. Bëhet fjalë për 270 mijë shtëpitë që e kanë bërë vetëdeklarimin dhe për ata që do të bëhen për herë të parë pjesë e legalizimeve sipas ligjit të ndryshuar. Grupet e ALUIZNI- t do të bëjnë matjet edhe për ata të cilët kanë bërë pagesën apo kanë avancuar me plotësimin e dosjes sipas ligjit të vjetër. Në vendimin e qeverisë parashikohet edhe që të gjitha ndërtimet do të jenë pjesë e ligjit të ri. Kjo nënkupton që, pavarësisht vetëdeklarimit, grupet e ALUIZN-it do të bëjnë matjet dhe sipas ligjit do të legalizohet vetëm trefishi i sipërfaqes së ndërtimit, pa tejkaluar sipërfaqen 500m2, për shtëpitë e banimit. Përgatitja e dokumentacionit mbi gjendjen faktike në terren nuk shërben vetëm për skanimin e situatës me ndërtime informale, por edhe për përditësimin e të dhënave. Mbledhja e këtyre të dhënave nënkupton proces nga fillimi për pajisjen me leje legalizimi, të mbështetura tërësisht në ligjin e ri. Nga kreu i ALUIZNI-t janë komunikuar më herët problematikat e konstatuara nga hapja e dosjeve, nga ajo çfarë gjendet aty dhe ajo çfarë rezulton në terren. Sipas Lames, janë 94 mijë familje që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë që u është bërë kalimi i pronësisë, por për shkak të papërputhshmërisë që u është gjetur, ato do të rishikohen. Pra, në pjesën dërrmuese të tyre do të ketë rikalim pronësie. Veç kësaj, janë edhe 45 mijë dosje të tjera, qytetarë që e kanë kryer edhe pagesën për shërbimet, një pjesë e tyre edhe për truallin, që do t’i nënshtrohen procesit nga fillimi. Kjo do të thotë që për të gjitha familjet me vetëdeklarim të kryer ose jo, procedurat që do të nisin nga fillimi do të mbështeten në ligjin e ri. Ligji i ri nuk sjell ndryshim vetëm në formulën e pagesës, por edhe në sipërfaqen e truallit për të cilën do të bëhet kalimi i pronësisë, mbi bazë të së cilës do të aplikohen edhe lehtësirat.
NDËRTIMET E REJA
Ndryshimet e miratuara në ligjin e ri të legalizimeve, krahas ndërtimeve me vetëdeklarim të kryer, përfshijnë edhe ato objekte të ndërtuara rishtazi që nuk janë bërë pjesë e procesit të pajisjes me leje në fazat e mëparshme. Për ndërtimet në tokë shtet dhe tokë me pronarë, ky afat shtrihet deri më 15 janar të vitit 2009, ndërsa për ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, afati është deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Me miratimin e formularit, këtyre familjeve u lind e drejta për të bërë deklarimin. Akoma nuk është përcaktuar se sa do të zgjasë kjo fazë. Në vendimin e qeverisë thuhej se kjo do të ishte kompetencë e drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI.
VERIFIKIMI NË TERREN
Në procedurat e evidentimit e të hartimit të dokumentacionit të gjendjes faktike përfshihen:
• përditësimi i të dhënave të gjendjes ndërtimore të ndërtimeve informale;
• plotësimi i procesverbalit të konstatimit, sipas modelit të miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI);
• harta e përditësuar e ndërtimeve informale në formatin elektronik dhe “hard copy”, si dhe dokumentacioni teknik (genplan, planimetri).
Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për
legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese.
Forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI).











