Ka dështuar mbledhja e komisionit rregullator në KQZ, ku do të shqyrtohej propozimi për zgjatjen e afatit të votimit në 55 Qendra Votimi në Qarkun Vlorë, për shkak të aktivitetit sportive Giro D’Italia.

Dështimi i mbledhjes ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit për ta shqyrtuar, pasi dy komisionarët e opozitës, braktisën seancën.
“U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të cilët deri tani nuk kanë mundur të shkojnë të votojnë dhe kanë dyshime për të votuar, do t’u bëja thirrje qytetarëve të këtyre 55 qendra në Bashkinë e Vlorës, që të krijojnë mundësitë që edhe në kushtet e mungesës së aksesueshmërinë për shkak të atij eventi që thamë, të votojnë”, tha Ilirjana Nano.
Ajo u bëri thirrje edhe kandidatëve për deputetë të largohen nga qendrat e votimit.
“U bëj thirrje kandidatëve për deputetë, nëse ende janë, të largohen nga qendrat e votimit. Të drejtat e tyre lidhur me procesin e votimit dhe me pjesëmarrjen e tyre në komisione, fillojnë nga momenti kur materialet zgjedhore dhe kutetë e votimit mbërrijnë në vendet e numërimit. Aty të drejtat e tyre të vëzhgimit janë të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet nënligjore”, tha Nano.
© Panorama.al











