Shqiptarët e kërkuar në Itali, gjykatat ulin dënimet

Apr 18, 2011 | 13:05

Drejtësia italiane humbet besimin tek gjykatat shqiptare. Vitin e fundit ka ardhur në rënie numri i vendimeve penale të dhëna nga gjykatat italiane, që përcillet për t’u njohur në Shqipëri.Konstatimi bëhet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila thekson se pala italiane ka shfaqur rezerva dhe më pak interes gjatë vitit të fundit, pas disa vendimeve problematike të dhëna nga gjykatat shqiptare. Dy vjet më parë, Shqipëria dhe Italia nënshkruan marrëveshjen për njohjen e vendimeve penale të huaja. Kjo marrëveshje parashikonte se gjykatat shqiptare do të njihnin dënimet e dhëna nga drejtësia italiane për shtetasit shqiptarë që arrestoheshin në atdhe. Marrëveshja u kthye në domosdoshmëri pas të dhënave të Interpolit, që tregonin se rreth 250 shtetas shqiptarë të dënuar në Itali ishin kthyer në Shqipëri dhe qëndronin të pashqetësuar. Drejtësia shqiptare nuk vepronte dot, pasi ligjet e Kushtetuta nuk lejojnë arrestimin dhe ekstradimin e shqiptarëve në Itali për vuajtjen e dënimeve të dhëna ndaj tyre. Për rrjedhojë, dy vendet nënshkruan marrëveshjen që parashikonte se pas dënimit të një shqiptari në Itali, nëse kishte informacione se ai ndodhej në Shqipëri, apo nëse personi arrestohej në atdhe, dosja dhe vendimi penal nisej drejt Tiranës dhe njihej nga gjykatat shqiptare.
Statistikat
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2009 organi i akuzës ka marrë dosjet nga Italia dhe ka kërkuar njohjen në Shqipëri të dënimeve të dhëna nga gjykatat e vendit fqinj ndaj 58 shtetasve. Tetë prej këtyre rasteve kanë qenë nga drejtësia italiane dhe njohja e vendimeve është bërë me kërkesë për arrestim provizor. Pjesa tjetër e kërkesave për njohje vendimesh penale të huaja ka qenë nga vendet tjera të rajonit, si Maqedonia, Greqia apo Kosova. “Vihet re një reduktim i ndjeshëm i kërkesave për njohje të vendimeve penale të huaja, sidomos nga autoritetet italiane pas konstatimit të një fenomeni shqetësues lidhur me këto procedura. Ka pasur në shumë raste ulje drastike të masave të dënimit nga gjykatat shqiptare të të gjitha niveleve”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2010. Pasi ka konstatuar fenomenin e uljes në gjykatat shqiptare të dënimeve të dhëna nga gjykatat italiane, me sa duket drejtësia e vendit fqinj nuk ka treguar më interes për realizimin e procedurave të njohjes dhe transferimit të vendimeve penale (dënimeve) nga gjykatat e huaja.
Precedentët
Në shkurt të vitit 2011, Gjykata e Tiranës shpalli dënimin për shtetasin Alxhi Nallbani, i njohur si i afërm i kreut të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Alxhi Nallbani akuzohej se kishte trafikuar 92 kilogramë drogë në Itali gjatë viteve 2003-2004. Për këtë krim, shtetasi shqiptar ishte dënuar në Itali me 12 vjet burg, ndërkohë që Gjykata e Tiranës, në njohjen e vendimit penal të huaj e dënoi Nallbanin me 5 vjet e 11 muaj burg. Një tjetër rast tipik është vendimi i dhënë nga gjykata shqiptare për shtetasin Edmond Bego, edhe ky i akuzuar si bashkëpunëtor me grupin kriminal të Aldo Bares në Itali. Bego, i cili u arrestua në Shqipëri, u dënua me shtatë vjet burg nga Gjykata e Tiranës, në njohje të vendimit penal të dhënë nga gjykata në Itali, e cila e kishte dënuar atë me 13 vjet burg.

Vendimet penale të huaja

– 28 kërkesa në Gjykatën e Tiranës për njohje vendimesh penale të huaja gjatë vitit 2008

-58 raste kërkesash të prokurorisë në gjykatat e gjithë vendit për njohje vendimesh penale të huaja të dhëna nga gjykatat e vendeve fqinje

– Statistikat e prokurorisë nuk japin numër për kërkesat e bëra në gjykatë për njohje vendimesh penale të huaja gjatë vitit 2010

Procedurat

Sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjes me Italinë, procedura për njohjen e vendimit penal të huaj fillon që me shpalljen e dënimit nga gjykatat italiane. Nëse personi është gjykuar në mungesë, atëherë vendimi dërgohet në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë. Kjo e fundit përkthen dosjen dhe vendimin e gjykatës, dhe ia dërgon për veprim Prokurorisë së Përgjithshme. Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në dënimin e dhënë në Itali dhe provat e mbledhura atje, paraqet para gjykatës shqiptare kërkesën për njohjen e vendimit penal të huaj. Si rregull, gjykatat shqiptare nuk duhet të ndryshojnë masat e dënimit, me përjashtim të rasteve kur penaliteti i parashikuar për veprën penale për të cilën është dënuar shtetasi në Itali, është i ndryshëm në parashikimin
që ka bërë ligji shqiptar.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura