TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha shprehu sot ambicjen e qeverisë së tij, që në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të arrihet objektivi, siç e quajti, “madhor”, ”Shqipëria Dixhitale”
Janë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, tha kryeministri por hapat vendimtar janë për tu bërë.
“Qeveria ofron falas në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare, në të cilat në një hark kohor gjashtë mujor, kanë lundruar në internet, duke përdorur shërbimet e tij, 2.1 milionë shqiptarë”- kryministri në mbledhjen e qeverisë.
Ai paralajmëroi se posta e vendit po pregatitet të hapë dhe 1800 zyra të tjera për internet falas për qytetarët shqiptarë.
Në shërbim të objektivit “Shqipëria Dixhitale”, kryeministri tha se janë në zbatim e sipër rreth 125 projekte, të cilat janë të shtrira në të gjitha ministritë dhe agjencitë e vendit.
Gjithçka duhet të jetë dixhitale në zyrat dhe agjencitë e shërbimet tuaja, vazhdoi më tej kryeministri, duke shtuar se çdo punonjës i zyrave të shtetit, duhet të ketë certifikatën e programeve të kompjuterit.
“Tu organizojmë kurse në te gjitha zyrat e shtetit, për diçka që ata mund ta mësojnë. Pavarësisht moshës, çdokush duhet të përdorë me shkathëtësi të plotë kompjuterin. Duhet të jetë një detyrim”- tha kryeministri.
Kreu i ekzekutivit theksoi se qeveria po bën gjithçka që tregu i 3G-së të behet sa më kompetitiv, sikundër po përgatitet edhe kuadri ligjor për 4G.











