Çelen fondet për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor bulevardi “Bajram Curri deri në rrugën “Ali Demi”. Punimet kanë nisur prej gati dy vjetësh, por ky aks nuk ka mundur të përfundojë për shkak të këtij problemi. ” Sipërfaqja truall, nga 5 621 bëhet 5 612 m2 “, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkaq, vlera e përgjithshme prej 167 668 810 lekësh, bëhet 167 400 348 lekë. ” Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës”, thuhet në vendim. Sipas tij, kompensimi i pronarëve për efekt shpronësimi nis më 15.5.2011 dhe duhet të përfundojë më 15.7.2011. “Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Tiranë”, thuhet në vendim. Sipas tij, Bashkia e Tiranës duhet të bëjë likuidimin e pronarëve brenda afateve të përcaktuara. “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat treguese të regjistrimit,” saktëson vendimi.











