Një rast i emigracionit të paligjshëm me gomone është regjistruar në brigjet e Vlorës, ku 11 persona u shpëtuan pasi mjeti lundrues hasi vështirësi në det.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë. Policia Kufitare mori njoftim për një mjet të vogël me 11 persona në bord dhe ndërhyri menjëherë me dy mjete lundruese, duke bërë të mundur lokalizimin e gomones.
Si rezultat i ndërhyrjes, të gjithë personat në bord u shpëtuan dhe u transportuan në tokë. Sipas të dhënave paraprake, emigrantët janë shtetas nga pesë vende të Afrikës dhe Azisë 5 nga Bangladeshi, 3 nga Pakistani, 1 nga Afganistani, 1 nga Haiti dhe 1 nga Liberia.
Ata ndodhen aktualisht në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.
Ende nuk është konfirmuar destinacioni i tyre apo nëse po tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Kjo pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje dhe vijimit të hetimeve.
© Panorama.al












