Shpërthimi në fabrikë, shoqërohen 21 persona

Apr 23, 2011 | 10:56

FUSHE-KRUJE – Policia e Krujës, edhe pse ka shoqëruar në polici 21 persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me shpërthimin e fundit në Fabrikën e Çimentos, autorët mbeten ende mister. Sipas policisë, dyshohet se autorët kanë vendosur një sasi prej 400 gramësh lëndë eksplozive, e cila shpërtheu në pjesën e jashtme të murit rrethues. Si pasojë e shpërthimit, u dëmtua një pjesë e murit, si dhe xhamat e godinës. Për fat nuk ka pasur të lënduar, nisur dhe nga ora e vonë e natës. Nisur dhe nga precedentët e mëparshëm, policia dyshon se shkak mund të jetë bërë konflikti i hershëm që kanë pronarët e fabrikës me banorët e fshatit Zallë, si dhe mosdhënia e dëmshpërblimeve për ndotjen që ju vjen nga kjo fabrikë. Ngjarja e mbrëmjes të së enjtes pasoi atë të së dielës  së kaluar, kur një sasi tritoli shpërtheu në pajisjet e brendshme të fabrikës, ndërsa më parë ishte hedhur në erë shtylla që furnizon fabrikën me energji, si dhe linja hekurudhore nga realizohet transporti i çimentos për në Portin e Durrësit. Pavarësisht ngjarjeve të rënda, nuk ka asnjë person të ndaluar, me gjithë dyshimet e policisë.                                              r.n

© Panorama.al

Te lidhura