Shpejtësia, tre të vdekur në dy aksidente rrugore

Apr 12, 2011 | 11:10

Tre të vdekur dhe një tjetër i plagosur rëndë është bilanci i aksidenteve rrugore që ndodhën në Korçë dhe Elbasan.Ngjarjet e rënda ndodhën në orët e vona të së dielës dhe paraditen e djeshme. Policia njoftoi se një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ndodhi rreth mesnatës të së dielës në aksin rrugor Korçë- Pogradec. Viktimat u goditën nga pas nga një automjet tjetër që ecte me shpejtësi, teksa ishin duke shtyrë mjetin e tyre të udhëtimit për shkak të një defekti. Policia bëri të ditur se aksidenti automobilistik ndodhi rreth orës 23:30 të së dielës në afërsi të fshatit Bulgarec, rreth 2 kilometra në hyrje të qytetit të Korçës. Genci Çollaku, 35 vjeç, dhe Roland Myslyli, 52 vjeç që të dy nga qyteti i Korçës, mbetën të vdekur në vend, si pasojë e goditjes nga automjeti tjetër. Policia tha se të dy këta persona kishin dalë të shtynin makinën e tyre nga prapa, për shkak të një defekti që u kishte ndodhur në rrugë. Ndërsa ishin duke lëvizur mjetin e tyre, një makinë tip “Jeep”, me targa TR 2216 L, e drejtuar nga 27-vjeçari, Ligor Vojkollari, nga fshati Orman i Korçës, i ka goditur nga prapa. Policia që kreu hetimet e ngjarjes së rëndë bëri të ditur se aksidenti ndodhi në kushtet e errësirës dhe shpejtësisë tej normave të lejuara të drejtuesit të automjetit, 27-vjeçarit Vojkollari. Ai nuk i ka vënë re në kohë dy personat që shtynin makinën nga prapa. Duke udhëtuar në të njëjtin krah të rrugës me viktimat, i riu nuk ka arritur të frenojë në kohë makinën që drejtonte me shpejtësi të lartë. Policia e Korçës mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë dhe ndaloi drejtuesin e mjetit për të sqaruar rrethanat e aksidentit që shkaktoi dy të vdekur.
Ndërkaq, aksident me pasojë vdekjen ndodhi edhe në aksin Tiranë- Elbasan. Për pasojë një grua gjeti vdekjen dhe një person tjetër është plagosur rëndë. Policia e Elbasanit bëri të ditur se mjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga. Ekspertët hetimorë mbërritën në vendin e ngjarjes nga ku konstatuan shenja të forta frenimi. Sipas policisë, dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit.                  g.a

© Panorama.al

Te lidhura