Ka kohë që në shoqërinë shqiptare ndihet prania e një paqartësie për shkak të përzierjes fatale, konceptuale dhe empirike për raportet e vërteta apo të imagjinuara të njeriut, në lidhjet e tij me lirinë individuale dhe përgjegjësinë sociale. Një anomali shumë serioze e tejet turbulente, e cila ka sjellë një situatë që nuk është vetëm me natyrë sociale apo thjesht si sfidë teorike e sociologjike, por është një gjendje reale e transplantuar dhe e shfaqur agresivisht në patologjitë e shumta shoqëruese e komplementare, të ndeshura në mënyrë suksesive në habitatin e jetës sonë të përbashkët, sasia dhe intensiteti i të cilave është jo vetëm në rritje, por edhe gjithnjë e më shumë e dimensionuar si anomali e përgjithshme sociologjike, e shfaqur masivisht dhe ndikim toksik në strukturimin e kufijve të jetës së përbashkët sociale.
Kjo situatë kaotike është krejt e padëshiruar dhe njerëzit po kuptojnë efektet pozitive dhe toksike të këtij realiteti. Sepse kanë qenë krejt të tjera pritmëritë sociale dhe dëshirat fillestare të shoqërisë shqiptare, nga ardhja e lirisë si fenomeni më i rëndësishëm në procesin historik të kalimit nga diktatura totalitare, shoqëria antiliberale, në jetën e lirë dhe demokratike, që me të drejtë konsiderohet konsensualisht politikisht dhe sociologjikisht si “një nga frytet fisnike të pazëvendësueshme të zhvillimit të jetës moderne”. Tage Lindbom “Miti i demokracisë” f. 85.
Gjatë këtij kalimi (tranzicion shumë i zgjatur atipik), këto raporte thelbësore u shoqëruan me deformime, veprime anarkike, me peshë sociale penguese për konceptimin e drejtë të lirisë dhe demokracisë. Të mërzitur nga “kafazi i hekurt” totalitarist dhe shpresa për të rindërtuar një shoqëri demokratike, kjo gjendje me paqartësi endemike dhe koncepte sempliste, u shoqërua nga ideja fillestare e konceptit të njeriut të lirë, i shkëputur nga koraca sociale e determinuar e shoqërisë, nga konvencionet e ngurta ideologjike dhe “korseja e ngushtë morale” e saj.
Tashmë shoqëria është nën “sulmin” e qëndrimeve eksentrike, e reagimeve kontestatore, synimeve arriviste, dëshirave subjektiviste anormale e anarkike, që u bënë “bazamenti konceptual” dhe që sollën si pasojë, nga njëra anë dhe në mënyrë të vërtetë liri dhe autonomi më të madhe morale dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë, një prishje të relacioneve sociale të njeriut, që më shumë u ekspozua para vetes dhe shoqërisë, si “qenie biologjike” me kërkesa ultimative, të paduruara, eksentrike në raport me shoqërinë. Koha kërkon që duhet t’i njohim realitetet e këtij ekuacioni social të deformuar e të zhbalancuar, por edhe ndikimin konsistent që ka në zhvillimet sociale kaotike e kontroversale, me ndikim të thellë në këtë “binom” social të marrëdhënieve të shpërdoruara midis individit dhe shoqërisë. Situata në të cilën ndodhemi, problemet sociale që ndeshim, patologjitë të pranishme me intensitet përtej konceptimit literal si “metaforë mjekësore”, janë të lidhura ekzistencialisht dhe në mënyrë thelbësore me procesin kontekstual të kalimit të shoqërisë nga totalitarizmi në demokraci dhe individit nga “qenie doktrinarisht e bindur” nga ketmanët e ideologjisë në “hapësirën e shpërdoruar të lirisë”.
Problemi duhet parë në mënyrë të dyanshme, në komplementaritet lidhur me efektet dhe kundërefektet e perceptimit të rolit të lirisë. Sepse pavarësisht defekteve sociale e anomalive individuale, në perceptimin e jetës në liri, edhe pse janë bërë të bezdisshëm prania në rritje e njerëzve eksentrike, egocentrikë e me anomali individuale, është e padyshimtë e vërteta, se dëshira për liri e njerëzve tanë, është një faktor madhor që ka luajtur një rol të rëndësishëm në atë nivel që ka arritur procesi i demokratizimit të jetës sonë. Për ne shqiptarët, liria duhet të ishte më e vlerësuar dhe ne duhet të ishim më të kujdesshëm në “përdorimin” e duhur adekuat e utilitar të saj. Sepse ne kemi një të kaluar historike shumë të hidhur. Historia e shoqërisë totalitare na dha mësimin e madh, se jeta sociale dhe individuale që përjetuam në obskurantizëm ideologjik, pa liri individuale e sociale në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ishte antihumane. E cila sikurse e tregoi koha, ishte për të gjithë shqiptarët jetë në “amulli dhe kalbëzim”. Por, ne duhet të jemi realistë.
Politikisht dhe sociologjikisht ishte e parashikuar, që pas një periudhe të gjatë të sundimit të ortodoksie totalitariste dhe mungesës së lirisë, nuk do ishte e lehtë për njerëzit tanë për t’u adoptuar me normat dhe kërkesat heterodokse të lirisë së vërtetë. Për fat të keq, nga mungesa e konceptimit të drejtë të raporteve midis lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale, kemi ngatërruar keq kuptimin e trajtimit të lirisë si gjendje materiale e fizike, morale e psikologjike. Realiteti ynë social dhe lidhjet e marrëdhëniet e njeriut me lirinë, tregojnë kuptime të cekëta, të njëanshme, anarkike e arriviste me natyrë sociale dhe individuale. Anomalitë me të cilat përballemi në realitetin e jetës së përditshme, duket sikur liria jo vetëm që është duke u shpërdoruar në përmasa sociale e dimensionet e sjelljes individuale në nivele shqetësuese, por realitetet që zhvillohen në shoqëri, të krijojnë idenë se liria e individit, duke u shpërdoruar, është kthyer në një “udhëtim pa itinerar të sigurt”. (Zygmunt Bauman f. 89-91).
Nga ana tjetër, duhet pranuar dhe sociologjikisht është e njohur, që edhe liria ka “mëkatet” e saj, nga që në shumë raste energjia e saj shpesh del jashtë kontrollit social, shfaqet si mohim i rregullave sociale, nënvleftësim i pushtetit të ligjit, vlerave morale, kodeve sociale, autoritetit, duke u bërë faktor me një forcë relativizuese shpesh të papërballueshme. Me sa duket, niveli jo aq i përgatitur social i shoqërisë shqiptare, nuk ka mundur të dallojë dhe vendosë në rrugën e duhur energjinë komplekse, forcat dikotomike të zhvillimit progresiv të lirisë, si mjet universal zhvillimi e moderniteti.
Unë besoj se është plagë e madhe e shoqërisë shqiptare shikimi i thjeshtëzuar, konceptimi empirik e anarkik i lirisë, që është bërë kaq evident dhe në mënyrë fare të dukshme tregon se janë shtuar anomalitë dhe dozat sociale që shfaqen si mungesë përmbajtjeje dhe vlerësimi për pasojat negative, të lidhura me një lloj ambiguiteti midis lirisë dhe përgjegjësisë, si tipar dallues i njeriut që nuk llogarit pasojat e konceptimit semplist e subjektivist të lirisë, frytet e hidhura të së cilës po i “shijojmë” së bashku në jetën tonë të përditshme. Koncepti dominant dhe gjeneratori i së keqes sociale, që po deformon jetën tonë sociale, është shtimi individëve, madje edhe i shtresave sociale, që kërkojnë të jetojnë në liri, të përfytyruar si një botë imagjinare, si habitat me “liri pa kufij” apo subjektivisht të pakufizuar, duke e menduar lirinë e zgjedhjes personale vetëm si mjet për t’u “arratisur në labirintin ekzistencial individual”, që mund të shërbejë si “strehë” për të bërë një jetë individuale pa përgjegjësi, me sfond të qartë antisocial. Padyshim janë shqetësuese pasojat që shfaqen në ngjarjet e shumta antisociale, ekseset individuale e ngjarjet kriminale, në dobësimin e lidhjeve njerëzore, vlerës së përbashkët të institucioneve që shërbejnë si amortizatorë të jetës sociale.
Ky realitet jo vetëm ka dëmtuar konceptimin e duhur të lirisë, si motiv i domosdoshëm i veprimit individual dhe social, por ka cenuar stabilitetin ekzistencial. Kjo tendencë sociale me ndikim masiv ka ndikuar në vulgarizimin e shumë komponentëve, ritualeve sociale, duke deformuar strukturën e habitusit të jetës së përbashkët, duke cenuar rëndë sistemin e domosdoshëm të vlerave mbi të cilën strukturohet jeta. Ne duhet të jemi të vërtetë dhe ta shikojmë realitetin social në “sy”. Jetojmë në kohë të vështira, kur dukshëm është shfrenuar dhe zgjeruar epidemia e keqpërdorimit të lirisë, e cila po shoqërohet masivisht me një proces të akseleruar të përkeqësimit të edukatës sociale, zgjerimit të përmasave toksike që po vulgarizon jetën tonë të përditshme.
Padyshim, diagnostikimi sociologjik i kësaj situate nuk është i pamundur, e cila sipas mendimit tim, ka shumë arsye historike, politike, kulturore e antropologjike të trashëguara dhe aktuale. Por tashmë është shtuar edhe plaga e madhe e shpërdorimit të lirisë, një dukuri masive sociale që është në zgjerim. Ajo shfaqet në mënyrë evidente si anomali patologjike krejt e dukshme deri në nivel banal, në sjelljen e shumë njerëzve që kanë humbur sensin e masës apo kufijtë racionalë të raportit ekzistencialisht të rëndësishëm, atë që filozofi Isaiah Berlin e konsideron si raport “midis zgjedhjes së lirë dhe moralitetit”, e cila në thelb sipas tij, është një raport midis “lirisë negative” si e drejtë e njeriut të jetë i lirë nga ndërhyrjet e jashtme që të pengojnë të bësh atë që dëshiron, nga “liria pozitive” që kërkon vetëkontroll për të qenë zot i vetes. Isaiah Berlin, “Katër esse për lirinë”, f. 36-37.
Nuk e ka fajin liria që ne si shoqëri kemi këto anomali të ekzagjëruara, sikurse janë dhuna, arroganca, mungesa e komunikimit normal social dhe individual, krimi në përmasa shqetësuese e bullizimi në rritje. Përkundrazi, është liria që sjell ato forca progresive që janë faktor social me rëndësi për normalizimin e qetë të jetës sonë sociale. Liria për të gjithë shqiptarët ka sjellë një gjë të madhe dhe me rëndësi historike: mundësinë e zgjedhjes personale. Kjo është fantastike në kushtet kur jeta e sotme është bërë likuide, dhe shoqëria një lloj labirinti ekzistencial. Kjo është arritja më e madhe, që për fat të keq është edhe më e shpërdoruara në shoqërinë tonë.
Koncepti i lirisë së pakufizuar, i kuptuar në mënyrë subjektiviste dhe i trajtuar në antinomitë e saj, ka krijuar një situatë sociale kaotike, të paqartë, anomike, me sistem vlerash të cunguara. Relativizimi i kufijve të lirisë është një nga patologjitë më të rënda në tri dekadat e fundit, e shfaqur dukshëm në tendencën e mbivlerësimit të individualizimit dhe atomizimit të jetës shoqërore, në dëm të stabilitetit social dhe shpërbërjes së sistemit të vlerave sociale e morale. Kjo ka dobësuar dukshëm mundësitë e shoqërisë për t’u mbrojtur nga të “këqijat e lirisë”. Liria e keqkonceptuar është bërë plaga sociale më e agravuar, më toksike që po helmon jetën e përditshme të shoqërisë tonë, duke dëmtuar ekzistencën, stabilitetin dhe funksionalitetin e saj normal brenda kufijve të arsyeshëm të lirisë. Banalizimi i konceptit të lirisë e ka sjellë atë në kufijtë e absurditetit të njeriut asocial, i cili e mendon atë si një arketip social të pakufizueshëm, të pafrenueshëm deri në nivelin e asaj, që në emër të lirisë “gjithçka lejohet dhe asgjë nuk ndalohet”. Nuk janë vetëm njerëzit me natyrë asociale, kundërshoqërore e kriminale ata që kanë perceptim të deformuar të raporteve midis vetes individuale dhe kornizës sociale, brenda të cilës zhvillohen masat dhe konturet e lirisë së perceptuar në mënyrë të drejtë.
Kësaj kategorie sociale destruktive, arriviste u duhet bashkuar ekzistenca e një kategorie sociale që përbëhet nga njerëz që këto devijanca edhe me anomali, i shfaqin nga që nuk kuptojnë kohën ose jetojnë në terrene sociale me frymëzime utopike, pritshmëri sociale jo realiste për lirinë individuale, duke deformuar raportin racional midis lirisë individuale dhe hierarkisë sociale, midis lirisë dhe moralitetit social. Sidoqoftë, jemi në momente kur si asnjëherë më parë, është imperative të bëjmë atë që duhet përmes institucioneve të edukimit dhe formimit social, për të rregulluar raportet e njeriut me lirinë personale dhe detyrat sociale, duke rregulluar ekuacionin funksionues midis lirisë individuale dhe moralitetit social. Kjo formulë është e ngatërruar dhe për pasojë, është sfidë e madhe komplekse politike, morale, edukative, psikologjike, familjare, fetare e shkollore, për gjetjen e një “formule” socioedukative që kombinon natyrshëm, sjelljen e individit dhe komportimin e duhur të performancës vetjake në raportin midis lirisë, origjinalitetit individual dhe rregullave të përbashkëta sociale.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












