Një përmendore e inauguruar dje pranë Parlamentit të Maqedonisë në Shkup, e cila nderonte pjesëtarët e forcave maqedonase që humbën jetën gjatë konfliktit të vitit 2001 me shqiptarët, ka nxitur reagimin e ashpër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Maqedoni. “Ndërtimi i kësaj përmendoreje para organit më të lartë legjislativ, ku përfshihen edhe disa emra të shqiptarëve, ka si synim të devijojë historinë, duke u përpjekur të dëshmojë që UÇK-ja nuk ka qenë një formacion gjithëshqiptar, por e mbështetur vetëm nga një grup shqiptarësh. Njerëzit që rrokën armët për të fituar të drejtat e tyre, po pasqyrohen si një formacion që ka dashur të lëkundë shtetin e Maqedonisë”, deklaroi kryetari i veteranëve të UÇK-së në Maqedoni.











