Shkodër, vidhnin kabllot e ndriçimit rrugor, kapen në flagrancë autorët

Apr 11, 2011 | 10:28

SHKODER – Pranga grabitësve të kabllove të ndriçimit rrugor në unazën e qytetit të Shkodrës. Pas një periudhe disaditore hetimesh, policia e Shkodrës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e një grupi, të cilët në kohë të ndryshme ishin bërë tmerri i kabllove të ndriçimit rrugor, duke lënë në errësirë me dhjetëra metra të unazës së qytetit. Sipas burimeve policore, mësohet se ka qenë ora 03.30 e mëngjesit të së dielës, kur shërbimet policore të komisariatit të policisë së Shkodrës kanë bërë të mundur prangosjen e tre kushërinjve e Mirsad, Fatjet dhe Shpëtim Demës, të afërm mes tyre. “Unaza në errësirë” është quajtur nga ana e Drejtorisë së Policisë aksioni për zbulimin e këtij grupi, pasi segmenti që është dëmtuar nga vjedhjet e kabllove elektrikë, ka qenë unaza e qytetit dhe këta persona zgjidhnin errësirën për të kryer një veprim të tillë. Sipas pohimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, ky grup kishte kohë që kryente vjedhjet dhe jo vetëm në unazën e qytetit, por dhe në vende të ndryshme. Mëngjesin e djeshëm ata janë zënë në flagrancë, teksa po tentonin të vidhnin një sasi kablloje elektrike të ndriçimit rrugor në lagjen “Ahmet Haxhija”, pjesë e unazës së qytetit. Kjo u ka kushtuar prangosjen e menjëhershme tre autorëve. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se hetimet për këtë grup kishin nisur prej kohësh dhe tashmë janë siguruar provat e nevojshme që vërtetojnë se ky grup kriminal ka kryer një sërë vjedhjesh të tjera të kabllove elektrike, kryesisht në lagjet “Ahmet Haxhia” dhe “Salo Halili” të qytetit. Ndaj tre të arrestuarve tashmë rëndon akuza “vjedhje e kryer në bashkëpunim”. Vënia në hetim e këtij grupi, si dhe hetimi për dëmtimin e investimeve të pushtetit vendor ka ardhur pas këmbënguljes së Bashkisë së Shkodrës dhe kërkesave të vazhdueshme që Bashkia i ka drejtuar Drejtorisë së Policisë. Pre e grabitësve kanë qenë kabllot e ndriçimit rrugor, si dhe kapakët e pusetave, të cilat pasi vidhen shiten si skrap.           r.d

© Panorama.al

Te lidhura