SHKODER – Pas gjysmë viti bllokimi nga dëbora, vetëm dje është bërë e mundur hapja e rrugës nacionale Bogë-Theth, që të çon në zonën turistike. Një fakt i tillë është pohuar nga vetë drejtori i rrugëve rurale të Shkodrës, Gjovalin Kodra. Sipas Kodrës, në një segment rruge prej 15 km trashësia e dëborës varionte nga 1-4 metra në zonat ku ka pasur ortekë dhe rrëshqitje dëbore. Ky segment rrugor, çdo sezon fundvjeshte nis të bllokohet nga dëbora dhe qëndron i bllokuar deri në fund të pranverës. Për shkak të nivelit të lartë të rrugës në segmentin e quajtur Qafa e Thores, e cila ndodhet mbi 1300 metër mbi nivelin e detit, relievit tepër të thyer malor, zona e thellë malore dhe turistike e Thethit qëndron e izoluar nga dëbora. Situata në këtë aks rrugor ka kaluar çdo parashikim, ku lartësia e dëborës ka arritur deri në tre metra. Madje, ky aks rrugor është ndër të vetmet akse nacionale në Shqipëri, të cilin dëbora e mban të bllokuar për 6 muaj. Puna për hapjen e rrugës së Thethit ka nisur prej 10 ditësh, kur ndërmarrja “Rruga-Ura” me dy mjete të rënda ka filluar punën për hapjen e rrugës. Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje, ka qenë tepër e vështirë për të hapur këtë rrugë, pasi prezenca tepër e madhe e dëborës bënte të mos dallohej ku është rruga, për më tepër kur ajo shoqërohet nga një greminë e thellë. “Falë një pune intensive prej 10 ditësh, si dhe mbështetjes financiare të Këshillit të Qarkut Shkodër, është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës nga mjete borëpastruese me zinxhirë, pasi ato ishin të vetmet mjete që mund të kryenin një punë të tillë”, është shprehur Kodra. Rruga e Thethit, pas fillimit të punimeve për zhbllokimin e dëborës, të ngjasonte me një tunel dëbore, një pamje aspak e zakontë për një zonë që është vetëm 80 km larg bregdetit. E megjithatë, me zhbllokimin e Qafës së Thores nga dëbora, për ndërmarrjen e rrugëve rurale puna nuk ka përfunduar, pasi tashmë si detyrë shtrohet riparimi i aksit tjetër Dycaj-Bogë, i cili ka pësuar dëmtime të madhe, si rezultat i reshjeve të shiut të rëna gjatë këtij dimri. Bllokimi i rrugës ka ndikuar në turizmin e Thethit, pasi shumë turistë të huaj janë detyruar të kthehen pas. Zona turistike e Thethit është një nga zonat malore të Alpeve të Shqipërisë, ndër më të frekuentuarat nga turistët e huaj. Çdo vit, gjatë sezonit të pranverës dhe verës, Thethi vizitohet nga rreth 3 mijë turistë të huaj, kryesisht nga Çekia, Polonia dhe Gjermania. r.d











