Shfaqen “Gjyshërit e rinj” të Donika Mustafajt

Oct 20, 2011 | 12:28
Regjisorja Donika Mustafaj

“Gjyshja i rri në krah gjyshit, është e moshuar dhe ajo, e pafuqishme, dhe ajo me shkop…”. Ky është përkufizimi që një vogëlushe me sy të mëdhenj të jep për “gjyshen”. Ndonëse i përket të tjera kohëve, ajo ka thuajse të njëjtin parafytyrim që kemi pasur pak a shumë të gjithë për gjyshërit, deri në një farë moshe: Me fytyrën e bukur të mbushur me rrudha dhe thinjat e bardha që u kanë mbushur flokët. Ata që i përkasin një brezi më të hershëm, i kujtojnë gjyshet thuajse gjithë të veshura me të zeza, me shami në kokë… Bastuni sipas rastit. Sot vazhdon të ketë si këta, por krahas këtij modeli të njohur është shtuar edhe një tjetër. Është kategoria e atyre gjyshërve, të cilët janë bërë të tillë, edhe pse kanë qenë vetë ende shumë të rinj dhe në kulmin e karrierës së tyre si biznesmenë, politikanë, etj., Donika Mustafaj preferon t’i quajë “gjyshër të rinj”. Gazetarja dokumentariste pranë RTSH-së shfaqi dje për mediat dokumentarin e saj të radhës. Duke marrë 5-6 shembuj, Mustafaj na tregon se si ka evoluar koncepti i “gjyshit/gjyshes” për vetë ata që janë të tillë, por edhe për nipërit e mbesat. Personazhet e zgjedhur nga Mustafaj janë deputetja Arta Dade, ekonomisti Liri Goci me bashkëshorten Vjollca, bibliotekare, Vera Isaku, poete, Brunilda Zavalani Ferra biznesmene, Naim Xholi, dentist dhe Hasan e Lirie Kanga, biznesmenë. Janë të gjithë në kulmin e karrierës dhe askush nuk do të donte të ishte në pozicionin e gjyshit të dikurshëm. Ndihen ende të rinj dhe përballja me këtë “status” të ri sa i ka gëzuar, aq edhe i ka trembur njëkohësisht. “Gjyshërit e rinj” kanë një tjetër komunikim me nipërit e mbesat, jo vetëm sepse janë dhënë tërësisht pas tyre, por edhe për shkak të gjendjes së mirë ekonomike, kanë mundësi që edhe t’ua plotësojnë të gjitha tekat, pse jo të ndihmojnë ekonomikisht fëmijët e tyre. Nipi 13-vjeçar i thërret në emër gjyshes Arta Dade, gjë për të cilën asaj nuk i vjen aspak keq. Madje, të dy kalojnë kohë para kompjuterit dhe i nipi e ndihmon të radhisë në kompjuter fjalimet që mban në Parlament. Pas shumë mundimesh, Ilir Goci ka mësuar t’i ndërrojë pelenat të nipit, i cili ka një pushtet absolut mbi të. Ndërsa gjysh Cani (Hasani), i një prerjeje më tradicionale, jo vetëm e çon tek lodrat mbesën, por kujdeset ta njohë edhe me të afërmit e saj. Përmes sociologëve Zyhdi Dervishi dhe Grida Duna, Mustafaj përpiqet të na tregojë se si janë “gjyshërit e rinj” dhe cili do të jetë roli i tyre në shoqëri në të ardhmen. Gjyshërit e sjellë përmes këtij dokumentari, të cilët i gjejmë më së shumti në Tiranë apo në rrethet e mëdha, janë pa dyshim një

Arta Dade dhe i nipi 13-vjeçar në dokumentarin “Gjyshër të rinj”

model, i cili po bie edhe më shumë në sy viteve të fundit (gjyshër intelektualë ka pasur në çdo kohë), por është vetëm njëri syresh, ai që është në karrierë dhe në gjendje të mirë ekonomike. Ndërsa ekzistojnë edhe modele të tjera, si ai i shtresave të mesme, që janë gjithnjë prezent në jetën e nipërve dhe mbesave të tyre, por që ndihma e tyre është e kufizuar ekonomikisht. Siç është edhe ai model, i pamundur tërësisht ekonomikisht, që presin t’i ndihmojnë, por edhe nëse nuk presin, janë aq të preokupuar nga hallet e ditës, saqë nuk janë të disponueshëm t’u rrinë pas për një kohë të gjatë. Por jo vetëm niveli ekonomik, po as ai intelektual nuk ia lejon një gjë të tillë. Dhe, si këta të fundit kemi me shumicë, brenda në Tiranë, në periferi dhe në gjithë Shqipërinë. Megjithatë, siç thotë Mustafaj, në 30 minuta ajo donte të ofronte këtë model gjyshërish, që ndoshta në fund të fundit edhe i përket. “Jam pjesëtare e këtij brezi dhe jam e interesuar të shoh si i përballon ai situatat e reja”, thotë ajo.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura