Këngëtari i njohur i muzikës turbo folk, Sinan Hoxha, është marrë dje në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, për më tepër se një orë.Sinan Hoxha mësohet se është thirrur për të dëshmuar lidhur me çështjen që po hetohet për konfliktin fizik mes këngëtareve Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta. Rreth orës 12:30, këngëtari ka hyrë në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas është drejtuar në zyrën e grupit hetimor në katin e pestë të organit të akuzës. Për rreth një orë Sinan Hoxha ka dhënë shpjegime në lidhje me disa episode, ku ai ka qenë i pranishëm në konfliktet që dy këngëtaret, Rozana Radi dhe Rezarta Shkurta, kanë pasur mes tyre. Burimet nga Prokuroria u treguan të rezervuara dje në dhënien e informacioneve mbi dëshminë e këngëtarit Sinan Hoxha, por thanë se ai ka rezultuar prezent në ambiente artistësh, ku kanë qenë edhe dy këngëtaret që kanë shkëmbyer mes tyre konflikte verbale. Pasi ka dhënë dëshminë e tij, këngëtari Sinan Hoxha ka dalë nga Prokuroria rreth orës 13:35. Prokuroria e Tiranës po kryen hetime në lidhje me një ngjarje të ndodhur mes dy këngëtareve, Rozana Radi dhe Rrezarta Shkurta, më 6 dhjetor 2010 pas mesnate. Në këtë kohë, dy këngëtaret janë takuar mes tyre në periferi të Tiranës dhe pas një debati verbal janë përleshur fizikisht. Si pasojë e përleshjes, këngëtarja Rozana Radi pësoi dëmtime në pjesën e fytyrës dhe më pas, me anë të një raporti mjeko-ligjor, depozitoi kallëzim penal në polici për kolegen e saj Rezarta Shkurta. Edhe kjo e fundit denoncoi për dhunë të ndërsjellë këngëtaren Rozana Radi, ndërsa policia e referoi çështjen për hetim në Prokurori. Organi i akuzës, pasi ka marrë në pyetje dy këngëtaret që kanë dhënë versionet e tyre në lidhje me ngjarjen, po mbledh dëshmi tashmë nga personat që janë në dijeni të konfliktit mes Rozana Radit dhe Rezarta Shkurtës. Zanafilla e konfliktit kanë qenë debatet që dy këngëtaret kanë zhvilluar mes tyre gjatë pjesëmarrjes në spektaklin “Vip Shtëpia”, të zhvilluar vitin që shkoi në Kosovë. “Kunjat” mes dy këngëtareve, referuar atyre debateve, vazhduan edhe pas daljes së tyre nga spektakli, derisa më 6 dhjetor 2010 ato u përleshën dhunshëm mes tyre.
Shkurta: Jam vetëmbrojtur
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, pak ditë pas konfliktit mes dy këngëtareve, Rezarta Shkurta ka pretenduar se është vetëmbrojtur në përplasjen fizike me Rozana Radin. Duke iu referuar deklaratës së Rozana Radit, se i kishte kërkuar falje pas debateve në “Vip Shtëpia”, Rezarta Shkurta ka thënë se e uroi për këngën, por nuk i kërkoi falje. Sipas Rezarta Shkurtës, pikërisht këto deklarata ishin bërë shkak i sherrit me fjalë, fillimisht në Facebook, e më pas me përplasje fizike mes dy këngëtareve. Rezarta Shkurta ka pohuar se kishte kërkuar ta takonte Rozanën pas mesnate më 6 dhjetor 2010, kur pas takimit ka ndodhur edhe përplasja fizike.
Rozana Radi: Shkurta e i shoqi më dhunuan
Rozana Radi ka akuzuar Rezarta Shkurtën dhe bashkëshortin e saj për dhunë, duke pohuar se të dy ata e kishin qëlluar më 6 dhjetor 2010. “Rezarta më dhunoi fizikisht me gjithë bashkëshortin”, ka thënë Rozana për gazetën. Këngëtarja ka thënë se ka pasur probleme nga goditja tek njëri sy. “Nuk është e vërtetë që e kam goditur Rezarta Shkurtën, pasi ajo nuk i dha kohë të vetëmbrohej sepse sapo hapi derën e makinës, iu sul me grushte. “Unë dola për të folur, siç mund të flasin dy femra. Ku ta dija unë që ajo kishte marrë edhe burrin me vete për të më dhunuar? – ka pyetur Rozana.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











