Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, flet për garën për Tiranën, duke e cilësuar Lulzim Bashën si kandidatin më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë Partia Demokratike në zgjedhjet lokale.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Shehi thotë se i ka bërë një shërbim të madh komunitetit të djathtë teksa ai vetë u tërhoq nga kandidimi për kryetar Bashkie më 8 maj. Sipas tij: “Ne, detyrën tonë, në njëfarë mënyre, moralisht, e kemi bërë. Kur u tërhoqa unë i kam lënë një hapësirë goxha të rëndësishme së djathtës për t’i rritur shanset, për të maksimalizuar fitoren në Tiranë. Basha përfaqëson, sigurisht, një fytyrë më të fisshme nga ata që ka kandiduar Partia Demokratike deri më sot”. Në të njëjtën kohë, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar shprehet se Rama mund të jetë i disfavorizuar në këto zgjedhje për shkak se kandidon për herë të katërt dhe i ka dhënë një ton politik kësaj fushate për zgjedhjet lokale. “Në zgjedhjet e kaluara e ka pasur të fituar garën zoti Rama, madje edhe me diferencë të madhe. Këtë radhë, mendoj se do të jetë më ndryshe, për një mijë motive. Një arsye është rikandidimi për herë të katërt në krye të Bashkisë i zotit Rama, për ngarkesën politike që ka marrë fushata, dhe kjo mendoj se do të ketë një çmim. Besoj që garë më të hapur në këtë dekadën e fundit nuk ka pasur në Tiranë”, shprehet Shehi.
Kur kanë ngelur më pak se dhjetë ditë nga 8 maji, si po ju duket fushata në Tiranë?
Nuk e kam ndjekur shumë fushatën në Tiranë sepse kam qenë me fushatë vetë në Veri dhe në Jug. Një lloj tensioni e ka, sepse fushata e Tiranës është puro politike. Kot themi që është për administratorë. E keqja është se një fushatë politike po zhvillohet në të gjithë Shqipërinë. Edhe në këto komunat ku po bën fushatë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, përveç rasteve kur kemi futur ne një kandidat të tretë, shikohet fushata bardhezi: ose njëra aleancë, ose tjetra. Kjo nuk është më as fushatë programesh, as idesh, por është fushatë e mirëfilltë politike dhe, si e tillë, do të ketë edhe incidente.
Në gjykimin tuaj kjo duhet të ishte një fushatë me programe për secilin komunitet, apo një referendum për punën e qeverisë?
Në gjykimin tim duhet të ishte një fushatë thjesht për komunitetin, me programe dhe bile me programe të afishuara shumë kohë më përpara. Në këtë mënyrë qytetarët do të kishin mundësi të gjykonin mbi këto programe. Kam përshtypjen që këto programe që shfaqen tani janë thjesht njëlloj fasade, një lloj koperture për problematikën politike, por qytetarët nuk janë në gjendje të përtypin për dy javë 200 mijë propozime dhe skema. Kjo ishte një fatkeqësi e madhe për Shqipërinë, që këto zgjedhje nuk u përgatitën siç duhej. Nuk patëm as ndonjë ligj të ri elektoral që t’u hapte hapësirë komuniteteve për të vendosur. Në këtë mënyrë ne jemi duke bërë një gjysmë zgjedhje politike.
Po për sa u përket kandidatëve për kryetar të Bashkisë së Tiranës, si e shikoni garën midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës?
Unë mendoj që për herë të parë ka njëlloj rivalizimi, sepse herët e tjera nuk është bërë garë. Në zgjedhjet e kaluara e ka pasur të fituar garën zoti Rama, madje edhe me diferencë të madhe. Këtë radhë mendoj se do të jetë më ndryshe, për një mijë motive. Një arsye është rikandidimi për herë të katërt në krye të Bashkisë të zotit Rama, për ngarkesën politike që ka marrë fushata, dhe kjo mendoj se do të ketë një çmim. Besoj që garë më të hapur në këtë dekadën e fundit nuk ka pasur në Tiranë.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, cilin prej dy kandidatëve do të mbështesë në zgjedhjet e 8 majit, duke qenë se ndryshe nga katër vjet më parë, ju nuk jeni pjesë e koalicioneve paraelektorale?
Ne do të votojmë për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, numrin 35. Unë gjykoj se një kandidat si puna ime, që është tërhequr nga gara, nuk ka të drejtë të gjykojë për kolegët, e kam humbur këtë të drejtë. Nuk ka ndonjë rëndësi se si do të votoj unë.
Po në fletën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Këta që votojnë në Tiranë nuk janë barinj që t’i urdhëroj unë për kë të votojnë. Ne detyrën tonë, në njëfarë mënyre, moralisht e kemi bërë. Kur u tërhoqa unë i kam lënë një hapësirë goxha të rëndësishme së djathtës për t’i rritur shanset, për të maksimalizuar fitoren në Tiranë.
E shikoni Bashën si kandidat që mund të thithë votat e të gjitha shtresave të së djathtës?
Aleanca që ka Basha nga mbrapa nuk përfaqëson të djathtën tradicionale, për të qenë të sinqertë. Por Basha përfaqëson, sigurisht, një fytyrë më të fisshme nga ata që ka kandiduar Partia Demokratike deri më sot. Basha nuk mund ta përfaqësojë të djathtën në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me Partinë Agrare, me ata që ishin ministra të socialistëve. Çdo zgjedhje e ka një çmim, e ka një avantazh, por edhe një disavantazh. Por, megjithatë, unë e gjykoj pozitivisht krahasuar me kandidaturat e tjera dhe përderisa jam tërhequr vetë, i kemi bërë një shërbim komunitetit të djathtë në kryeqytet. Pastaj, kush e përfaqëson më mirë, e zgjedhin vetë qytetarët.
ADI SHKEMBI











