
Dhjetëra tornado kanë goditur pjesën jugore të Amerikës, duke shkatërruar shtëpi e biznese dhe duke vrarë të paktën 215 njerëz në gjashtë shtete, bilanci më vdekjeprurës i 40 viteve të fundit. Të enjten, banorët në Alabama janë gjendur pa shtëpi, me lagjet të mbushura me mbetura dhe materiale të thërrmuara nga ndërtesat e shkatërruara dhe janë përpjekur të nxjerrin trupat nga rrënojat, pas stuhisë së fuqishme që goditi këtë shtet të mërkurën pasdite dhe gjatë natës. Sipas dëshmive, stuhia mund të ketë zgjatur për rreth 15 minuta. Emergjenca shtetërore në Alabama ka konfirmuar 131 të vdekur, 32 viktima të tjera janë shënuar në Misisipi, 30 në Tenesi, 13 në Xhorxhia, tetë në Virxhinia dhe një në Kentaki, sipas të dhënave të siguruara nga AP. Qendra kombëtare e parashikimit të stuhive në Oklahoma, SHBA, ka njoftuar se ka marrë 137 raportime për tornado të mërkurën në mbrëmje. Të enjten shtëpitë janë gdhirë pa çati, rrugët ishin të pakalueshme, trotuaret të shkatërruara dhe nuk ekzistonin më pemë anësore. Sistemi i stuhisë ka shkaktuar shkatërrime nga Teksasi në Nju Jork, ku dhjetëra rrugë janë mbushur me ujë. Në Alabama, Misisipi dhe Xhorxhia është deklaruar gjendje e jashtëzakonshme. Meteorologët amerikanë janë shprehur se kjo ishte vala më vdekjeprurëse e stuhive në 40 dekadat e fundit. Numri më i madh i të vdekurve nga stuhitë është shënuar në vitin 1974, ku humbën jetën 315 njerëz.











