SHBA godet sërish Iranin, CENTCOM: Sulmet kishin në shënjestër mjetet që kërcënojnë anijet në Ngushticën e Hormuzit

Jul 15, 2026 | 23:00

Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer mbrëmjen e së mërkurës sulme të reja ndaj Iranit, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), e cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme.

maketa-aeroplanoforo

Në një njoftim të publikuar në platformën X, CENTCOM bëri të ditur se “në orën 15:00, sipas orës së Bregut Lindor të SHBA-së, forcat amerikane nisën një raund të dytë sulmesh gjatë ditës së sotme kundër Iranit”.

Sipas njoftimit, objektivi i goditjeve ishin “mjetet e përdorura nga ushtria iraniane për të kërcënuar anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, një korridor detar me rëndësi jetike për tregtinë globale.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, janë raportuar shpërthime në Bandar Abbas. Mediat iraniane raportojnë se raketat amerikane goditën një zonë pranë qytetit. Gjithashtu janë raportuar tre shpërthime në Çabahar dhe në qytetin Ahvaz, pranë kufirit me Irakun.

Aktivizohen sirenat në Bahrein

Sirenat e alarmit për sulm ajror u aktivizuan mbrëmjen e së mërkurës në Bahrein.

“Qytetarët dhe banorët u bëhet thirrje të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen drejt hapësirës më të afërt të sigurt”, deklaroi Ministria e Brendshme e Bahreinit në një njoftim të publikuar në platformën X.

Ministria nuk bëri të ditur arsyen e aktivizimit të sirenave.

Presidenti amerikan Donald Trump duket se po anon drejt zgjerimit të operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit, pas disa informimeve të njëpasnjëshme që ka marrë ditët e fundit nga këshilltarët e tij të lartë, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga “Wall Street Journal”.

Në tryezë ndodhen disa opsione ushtarake, përfshirë intensifikimin e sulmeve ajrore, dërgimin e trupave tokësore për të marrë kontrollin e ishujve iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, si dhe bombardimin e objektit të fortifikuar “Pickaxe Mountain”, i cili dyshohet se mund të përdoret për aktivitete të fshehta bërthamore.

Më herët gjatë ditës, Trump deklaroi se nuk i pëlqen të vendosë afate kohore, kur u pyet nga gazetarët se sa kohë ka Irani përpara se forcat amerikane të fillojnë bombardimin e urave.

“Nuk më pëlqen të jap afate, por ata e dinë shumë mirë, e dinë se si shkon kjo… Më mirë të sillen siç duhet”, tha Trump.

Një ditë më parë, presidenti amerikan kishte paralajmëruar në një intervistë për “Fox News” se do të urdhëronte bombardimin e centraleve elektrike dhe urave në Iran nga java e ardhshme, nëse Teherani nuk arrin një “marrëveshje”.

“Gjërat do të shkojnë vërtet keq për ta”, tha Trump, duke shtuar se “javën e ardhshme do të jenë në radhë centralet elektrike” dhe më pas “do të jenë urat”, nëse Irani “nuk ulet në tryezën e negociatave”.

© Panorama.al

Te lidhura