SHBA largohen nga Libia. Pentagoni do të tërheqë sot avionët e tij të sulmit nga fushata ndërkombëtare ajrore në Libi, me shpresën se partnerët e NATO-s do ta marrin situatën në dorë. Njoftimi ka nxitur reagime të ashpra në Kongresin amerikan, ku shumë pyetën përse administrata e Obamës po heq dorë nga strategjia kyçe e mbrojtjes së civilëve libianë. Njoftimi u bë nga sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts dhe admirali i lartë Majk Mullen, se misionet amerikane përfundojnë të shtunën. Një prej zyrtarëve rebelë ka deklaruar se është arritur një marrëveshje për t’i shitur Katarit naftën e qyteteve të marra nga rebelët, për të blerë armë dhe furnizime të tjera. Vendimi është marrë pasi shteti i pasur i Gjirit Persik ka dërguar avionët e tij luftarakë për të ndihmuar në përballjen e forcave të Muamar Gedafit. Ali Tarhouni, i cili merret me financat e Këshillit Nacional të Tranzicionit të opozitës në Libi, tha se rebelët i kanë kërkuar OKB-së dhe Francës të heqin sanksionet e armëve për zonat ku qëndrojnë ata. Ai shtoi se nëse kjo ndodh, rebelët mund të nisin menjëherë eksportimin e një milion fuçive në javë. Katari po ndihmon edhe në transmetimin e televizionit rebel satelitor dhe ka rënë dakord të mirëpresë një grup përfaqësuesish të rebelëve. Një zyrtar i lartë i rebelëve, Mustafa Abdul Jalil, ofroi armëpushim të premten nëse Gedafi i tërheq forcat e tij jashtë qyteteve të tyre dhe lejon protesta paqësore kundër regjimit të tij. Ndërkohë, një këshilltar i ngushtë i djalit të Gedafit, Saif al-Islamit, ka mbërritur në Londër, ku po diskuton me diplomatë të lartë britanikë në “privatësi”, mbi gjetjen e një mënyre për të dalë nga situata ku ndodhet Libia. Sipas “The Guardian”, referuar burimeve nga “Downing Street”, një prej zgjidhjeve është tërheqja e Gedafit dhe vendosja në postin e Presidentit që do të udhëheqë përkohësisht vendin, të djalit të tij, Mutasim. Lajmi nuk është konfirmuar nga autoritetet britanike. Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Libinë, Abdelilah al-Khatib, ka mbërritur dje në Benghazi për t’u takuar me përfaqësues të Këshillit të Opozitës.
NATO shënon viktimat e para
Shtatë civilë janë vrarë dhe 25 janë plagosur pas bombardimeve të NATO-s në Libi. Të mërkurën, në fshatin Zavia al Argobe, 15 kilometra larg Bregas, një predhë ka goditur një mjet me municion të Gedafit. Mjeti ka shpërthyer duke shkatërruar edhe dy shtëpi aty pranë. NATO ka nisur hetimet për ngjarjen, ku viktimat ishin të moshës 12-20 vjeç.











