Sezoni turistik, masa emergjente për ndotjen

Apr 9, 2011 | 10:42

“Masa emergjente për zonat bregdetare. Ndotja vijon të jetë në nivele të larta dhe duhet ndërhyrë sa më shpejt”. Këtë deklaratë bëri dje ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë konferencës së përbashkët me kreun e shëndetësisë, Petrit Vasili, në prag të çeljes së sezonit turistik për vitin 2011. Kreu i mjedisit kërkoi bashkëpunimin e pushtetit lokal për mbetjet dhe ujërat e zeza. Ai paralajmëroi se të gjitha subjektet që shkelin rregullat higjeno-sanitare, do të mbyllen.”Vija bregdetare e Shqipërisë, nga Velipoja deri në Sarandë ka një problem të madh, plazhet janë të papastruara. Problematika është shumë e madhe në derdhjet e lumenjve e në zonat përreth tyre, pasi bashkitë e komunat i hedhin mbetjet urbane në këto zona. Probleme jo të vogla hasen në organizimin dhe grumbullimin e mbetjeve urbane në rrethet e Kavajës e Rrogozhinës”- tha ministri Mediu. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili premtoi mbështetje maksimale në reduktimin e këtyre problemeve. Në vëmendje gjatë sezonit turistik do të jenë dhe ndotja akustike apo varrezat e makinave, për të cilat ka disa projekte që pritet të zbatohen në muajt në vazhdim.

© Panorama.al

Te lidhura