DURRES – Prefekti i qar-kut të Durrësit ka kërkuar më shumë punë në drejtim të përgatitjes së punës dhe marrjes së masave për turizmin në nivel qarku. Në një takim me drejtues të institucioneve të ndryshme, prefekti Genci Alizoti ka theksuar se përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat bregdetare të qarkut të Durrësit i ka dhënë një frymëmarrje turizmit, duke i dhënë mundësi kësaj industrie që të zhvillohet edhe në zona të tjera. Me gjithë arritjet që janë theksuar në raportin e punës së prefekturës së Durrësit, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit në këtë qark ndeshet me disa probleme, siç janë: problemi i plazheve private, ndotja e plazheve nga ujërat e zeza, ndotja akustike, problemi i motorëve të detit, mungesa e nyjeve hidrosanitare në plazhet publike dhe private. Alizoti ka kërkuar që këto probleme duhet të evitohen sa më shpejt. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Durrës, Ramazan Kalia, është shprehur se problemi i ujërave të zeza aktualisht ndeshet në tri pika kryesore në Durrës në Currila, tek Vollga dhe një tjetër tek vilat qeveritare. Kalia ka shtuar se shumë shpejt grupi Task-Force do nisë inspektimet dhe kontrollin në gjithë gjatësinë e vijës bregdetare. Durrësi, me një bregdet me një gjatësi prej 7. 2 km, është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar, i cili mbetet një nga më të frekuentuarit në vend nga pushues të shumtë, ku një vit më parë ka shënuar një numër rekord. Pikërisht në këtë zonë turistike, ku është dhe përqendrimi kryesor i pushuesve të ardhur kryesisht nga Kosova, Maqedonia e nga rrethet e vendit, por dhe turistë të huaj, numri i të cilëve ka ardhur në rritje. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Me gjithë diskutimet për sezonin turistik, nuk është caktuar ende hapja zyrtare e tij, që përkon me fushatën elektorale dhe zgjedhjet vendore të 8 majit. l.m











