Sequi: Nëse njëra palë nuk e pranon rezultatin, vendi humb trenin e BE

Apr 22, 2011 | 10:11

Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, kërkoi nga palët në zgjedhje që pas tyre të njohin rezultatin. Sipas tij, refuzimi i rezultatit do të ketë pasoja për integrimin e vendit. “Në qoftë se njëra palë nuk e pranon rezultatin, atëherë duhet të përpiqemi të kuptojmë se çfarë nuk shkon. Unë mendoj se në këtë rast bileta do të ishte më e shtrenjtë për në BE”, u shpreh Sequi. Duke folur për monitorimin e zgjedhjeve të 8 majit, ambasadori i BE-së në Tiranë tha se do të ketë edhe europarlamentarë që do të ndodhen në Shqipëri. “Mund të vijë një delegacion i vogël me deputetë të Parlamentit Europian”, u shpreh Sequi, duke thënë se në 9 maj prezenca që ai drejton do të organizojë një festë europiane. “Vetë kam besim që dita e zgjedhjeve do të jetë e qetë, siç thate edhe ju. Por e di se ç’do të ndodhë një ditë më pas. Më 9 maj është Dita e Europës. Dhe kam besim që kjo do të jetë një shenjë e mirë për shpejtësinë e trenit, rrugës për në Bruksel. Por mund t’ju them edhe se ç’do të ndodhë një ditë përpara zgjedhjeve: një koncert i madh për të festuar Bashkimin Europian”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë. Duke dhënë një mesazh për kandidatët në garë, Sequi tha se “mesazhi im do të ishte, dhe për këtë do të kthehem tek fjalët e kopshtarit tim: të përpiqen të ushtrojnë pjekurinë, t’u kërkojnë mbështetësve të tyre të kenë pjekurinë e duhur me qëllim që të kemi një fushatë zgjedhore dinjitoze”.

© Panorama.al

Te lidhura