
Rreth 450 raste të reja me tuberkuloz janë regjistruar për vitin që lamë pas. Është numri më i ulët, regjistruar në të paktën 4 vitet e fundit.Sipas krerëve të shëndetësisë, ulja e shifrave është shoqëruar me ulje të vdekshmërisë dhe pakësim të rezistencës bakteriale. Statistikat e vitit u bënë publike dje në Ditën botërore të Tuberkulozit. “Numri i rasteve të reja për 2010 është 14 të prekur për 100 000 banorë. Kemi një ulje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, rezultat ky i prekshëm falë politikave të drejta shëndetësore dhe investimeve të bëra nga qeveria. Pjesë e këtyre politikave janë edhe treguesit e rëndësishëm tek fëmijët dhe moshat e reja.”, tha Spahia. Sipas tij, politikat ekonomike për eliminimin e varfërisë ekstreme kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë, pasi tuberkulozi prek në radhë të parë shtresat e varfra të popullatës. Zv/ministri i Shëndetësisë, apeloi për më shumë sensibilizim të popullatës, duke ftuar të gjithë faktorët, opinionin shkencor mjekësor dhe atë mediatik, për t’u bërë pjesë e fushatës për më shumë sensibilizim.”Kjo, në mënyrë që iniciativa të mos ndalet vetëm në një ditë, por të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi tuberkulozi nuk është vetëm një problem shëndetësor, por në radhë të parë është një fenomen social”, tha Spahia. Nga të dhënat që u publikuan dje, u bë me dije se në dekadën e fundit, prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje të qëndrueshme dhe pothuajse është pakësuar përgjysmë, nga 27 raste të reja për 100 000 banorë (790 raste) në 1999, në 14 raste të reja për 100 000 banorë (afërsisht 450 raste të reja në vit) në 2010. Sipas specialistëve, rezistenca e shumëfishtë ndaj medikamenteve antituberkulare, që përbën një kërcënim serioz, pasi medikamentet mund të mos jenë të efektshme, është e ulët nën 1%. Mjekimi është i suksesshëm në mbi 87% të rasteve të reja me tuberkuloz. Sipas publikimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Plani për ndalimin e Tuberkulozit në 18 vende me përparësi të lartë në rajonin e Evropës për vitet 2007-2015”, kontrolli i tuberkulozit në Shqipëri konsiderohet i suksesshëm. Vendi ynë, sipas këtij raporti, renditet mes atyre shteteve që kanë pasur rezultate pozitive dhe të prekshme në këtë fushë. Nga ana tjetër, OBSH-ja rekomandon hartimin e një strategjie që do të mundësonte reduktimin e mëtejshëm të rasteve të reja dhe të shkojmë drejt eliminimit të TB në Shqipëri. “Programi Kombëtar i Kontrollit të Tuberkulozit ka realizuar rishikimin e strategjisë ekzistuese me objektiva të qarta: më pak se 10 raste të reja për 100 000 banorë në vitin 2015, sukses mjekimi në mbi 90% për rastet me sputum pozitiv, vdekshmëri nën 0.5%.”, theksoi zv/ministri i Shëndetësisë. Për kontrollin e sëmundjes së tuberkulozit, në Shqipëri aplikohet vaksina ndaj tuberkulozit gjatë javës së parë të të porsalindurve. “Tuberkulozi mbetet një sëmundje infektive , që nëse neglizhohet, përkeqësohet brenda një kohe të shkurtër. Prandaj, kjo ditë është një ditë apeli për veprime konkrete dhe një mobilizim politik dhe angazhim social në nivel kombëtar.”, theksoi Spahia.
Statistikat
450 raste të reja me tuberkuloz për 2010
14 të prekur për 100 000 banorë
Objektivat
10 raste për 100 000 banorë në vitin 2015
90% sukses mjekimi mbi sëmundjen
0.5% vdekshmëri për rastet të prekura
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











